Kryeministri ynë po kërkon një “zgjidhje finale” për opozitën bezdisëse

Tuesday, 02 October 2018 20:22

Nga Ilir Nikolla/

Rama nuk po mundet më që të menaxhojë skandalet e përditshme të oborrit kriminal, i cili i ka dalë nga kontrolli, prandaj po përpiqet të fabrikojë një “zgjidhje finale” për të neutralizuar një opozitë denoncuese që po i shkakton dhimbje koke. Ai mendonte se e kishte mbyllur rrethin me kapjen e drejtësisë dhe të mediave, por një opozitë që ka marrë edhe rolin e mediave, edhe rolin e Avokatit te Interesit Publik po e përshpejton procesin e konsumimit të mazhorancës.
Në kushtet kur binjakëzimi me celulat alla-Rraja në të gjithë vendin e ka kthyer mandatin e dytë qeverisës në një fushë të minuar, Edi Rama, nën logjikën e bajlozëve të malavitës po mendon për një “zgjidhje finale” të problemit opozitë. Ai ka nxitim, që precedentët e tjerë alla-Rrahja të mos i japin një kosto politike të papërballueshme, prandaj ka vendosur të bëjë diçka të paparë prej vitit 2001, miratimin e një Ligji të ri Zgjedhor në mënyrë të njëanshme, pa konsensus. Imagjinoni, një Kod Zgjedhor version VKM-je. Për të ditur dëmet që shkakton një veprim i tillë, mjafton të mendojmë se një “VKM” e tillë do të synonte të prishte barazinë e votës, të dëmtonte opozitën në bastionet e saj, të sabotonte gjasat e një koalicioni opozitar për një garë të barabartë dhe ç’është më kryesorja, të shkatërronte paritetin mes palëve në administrimin e procesit zgjedhor.
Një Kod Zgjedhor i njëanshëm do t’i hapte rrugë ëndrrës së Ramës për një opozitë të emëruar, iluzion që përsëritet studiove nga papagajtë e kryeministrit. Rama mendon se ka gjithçka për të fituar në një ballafaqim të parakohshëm me opozitën në rrugë, pasi është i fryrë si bretkosë nga koalicioni me krimin. Përdhunuesi që foli si politikan në Krujë rrëfen temperaturën e padurimit qe mbizotëron në strofkën e kryeministrit.
Ky padurim po e çon Edi Ramën të kapërcejë kufirin dhe të propozojë një Kod Zgjedhor të njëanshëm, si “zgjidhje finale” për kokëçarjet që po i shkakton opozita e Lulzim Bashës. Thjesht propozimi i njëanshëm, e çon patjetër klimën politike në konflikt. Si të kalojë në parlament me vota të blera apo shantazhuara, si të mos kalojë, por ta lërë vendin me Kodin e Vjetër dhe bashkitë e vjetra, përfundimi është njësoj: Edi Rama fiton përplasjen civile.
Bretk-kryeministri i fryrë me krim e ka ndarë mendjen për “zgjidhje finale” të problemit opozitë. Është një ëndërr retrograde që s’mund të ketë përfundim pozitiv për të. Fiks si një zhuls që vendos t’i heqë kapakun gropës septike që ka krijuar. Kutërbimi do shkojë ne Perëndim dhe prej andej do vijnë masat profilaktike.

Modifikuar më E mërkurë, 03 October 2018 09:34
Login to post comments