Votimet në vendet e Ballkanit sipas modelit belg

E mërkurë, 10 October 2018 18:35

Nga Augustin Palokaj

Në shumicën e vendeve të Ballkanit dalja në zgjedhje sillet rreth 50 për qind. Kjo do të thotë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote nuk janë të interesuar për zgjedhje. Ose për shkak se nuk besojnë se ato do të ndryshojnë diçka, dhe shpesh kanë të drejtë, ose për shkak të parregullsive dhe pasaktësive në regjistrin e votuesve. Ndoshta modeli i Belgjikës, sipas të cilit dalja në votime është obligim jo vetëm qytetar por edhe ligjor, dhe mosdalja sanksionohet me dënim financiar, do të ndihmonte që votimet të nxjerrin një pushtet më legjitim.
Të dielën u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Bosnjë-Hercegovinë, shtetin me një prej sistemeve më të komplikuara politike dhe zgjedhore. Të dielën e ardhshme në Belgjikë zhvillohen zgjedhjet lokale, në njërin prej sistemeve po ashtu më të komplikuara zgjedhore që njeh Evropa. Bosnjë- Hercegovina është e ndarë në entitete territoriale, që janë dy, por e përbërë edhe nga tri kombe konstituive. Në zgjedhje përsëri është votuar për tre përfaqësues të Presidencës treshe të shtetit që në teori do të duhej të përfaqësonin secili kombin e tyre. Por në Federatën e Bosnjë- Hercegovinës votuesit me kombësi boshnjake mund të mos votojnë për kandidatin nga radhët e tyre, por për kandidatit kroatë. Kështu, kroatët druajnë se, siç ka ndodhur edhe një herë më parë, boshnjakët t’ua caktojnë pjesëtarin kroat të Presidencës treshe të Bosnjë-Hercegovinës. Kjo nuk është e vetmja anomali. Ky sistem zgjedhor është edhe i paligjshëm, sepse sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Sedjiq-Finski shkel të drejtat e njeriut, ngase përjashton nga gara personat që nuk janë as boshnjakë, as serbë e as kroatë.
Belgjika në anën tjetër ka po ashtu veçoritë e saj në sistemin tejet të komplikuar zgjedhor. Është e ndarë në njësi territoriale, por edhe në bashkësi gjuhësore. Për shkak të sistemit zgjedhor, në këtë shtet është gjithmonë e vështirë të formohet qeveria. Sepse shpesh duhet më shumë se 5 parti të bëhen bashkë për të formuar qeverinë. Tash në zgjedhjet lokale, që kanë rëndësi të veçantë në këtë shtet tejet të decentralizuar ku komunat kanë kompetenca shumë të mëdha, kanë të drejtë të votojnë edhe shtetasit e huaj me qëndrim të përhershëm në Belgjikë. Belgjika ka qenë ndër shtetet e para që edhe të huajve ua ka dhënë këtë mundësi pa pasur nevojë të jenë shtetas. Dhe ka logjikë, sepse ata jetojnë në këto komuna, paguajnë taksa, hedhin mbeturina, dërgojnë fëmijët në shkolla, dhe është për ta me rëndësi jetike se kush dhe si do ta menaxhojë komunën.
Për një qytetar të Bosnjë-Hercegovinës, i cili tash e 25 vjet jeton në një komunë të Brukselit, do të jetë shumë më e rëndësishme se kush do të jetë kryetar i komunës së tij në vendin ku jeton, pra në Belgjikë, sesa kush do të jetë përfaqësues i boshnjakëve, serbëve aspo kroatëve të Presidencën treanëtarëshe të Bosnjë-Hercegovinës.
Prandaj numri i qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës që kanë mundur të votojnë në përfaqësitë diplomatike nëpër shtetet e Evropës është shumë i vogël. Në anën tjetër, nëse jetojnë në Belgjikë, ata do të jenë me ligj të detyruar të dalin në votime, sepse në rast të bojkotimit do të mundë të dënohen. Në Belgjikë besojnë se sistemi i tyre politik do të ishte në kolaps sikur të mos ishte votimi detyrim ligjor për qytetarët e jo vetëm detyrim qytetar, siç është në shumë shtete të tjera. Ose do të kalonin më mirë në to partitë me qëndrime ekstremiste, të cilat e kanë më të disiplinuar bazën.
Kështu në Belgjikë shpesh dalja në votime është afro 100 për qind, sepse ka të tillë që mund të kenë mungesa të arsyeshme në votime, qoftë leje nga mjeku apo dëshmi se kanë qenë jashtë.
Në anën tjetër në vendet e Ballkanit, siç u pa edhe këtë të diel në Bosnjë- Hercegovinë ku votuan më pak se 55 për qind, e një javë më herët edhe në Maqedoni, ku në referendumin historik votuan më pak se 40 për qind e atyre me të drejtë vote.
Në shumicën e vendeve të Ballkanit dalja në zgjedhje sillet rreth 50 për qind, përfshirë edhe Kosovën. Kjo do të thotë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote nuk janë të interesuar për zgjedhje. Ose për shkak se nuk besojnë se ato do të ndryshojnë diçka, dhe shpesh kanë të drejtë, ose për shkak të parregullsive dhe pasaktësive në regjistrin e votuesve. Ndoshta modeli I Belgjikës, sipas të cilit dalja në votime është obligim jo vetëm qytetar, por edhe ligjor, dhe mosdalja sanksionohet me dënim financiar, do të ndihmonte që votimet të nxjerrin një pushtet më legjitim.
Problemi serioz me vendet e Ballkanit qëndron në mungesën e të dhënave të besueshme se sa banorë ka cili shtet dhe sa prej tyre janë me të drejtë vote. Kështu, në Maqedoni dalja në referendum mund të ketë qenë mbi 50 për qind nëse do të merrej numri real i votuesve, që do të thotë i atyre që jetojnë në këtë shtet. Si mund të ndodhë që në Maqedoni të ketë 2 milionë banorë e mbi 1.8 milionë votues. Kjo do të thotë se në këtë shtet ka më pak sesa 200 mijë të rinj nën moshën 18-vjeçare. Për Kosovën të mos flasim, sepse kemi pasur raste kur në komuna të caktuara ka pasur më shumë votues sesa që ka banorë.
Kanë kaluar shumë vjet që kur BE-ja ka tërhequr vërejtjen se duhet reformuar proceset zgjedhore dhe duhet pastruar listat e zgjedhjeve. Por kjo nuk ka ndodhur dhe pasojat mund të jenë të rënda, siç tregon rasti i Maqedonisë ku opozita, që ka bërë thirrje për bojkot të referendumit, konsideron se të gjithë ata që nuk dolën në votime në fakt ishin në anën e tyre dhe kundër marrëveshjes me Greqinë, pra praktikisht edhe kundër hyrjes në NATO dhe nisjes së negociatave me BE-në për anëtarësim.
Sikur të bartej kjo logjikë në procesin zgjedhor në Bosnjë-Hercegoinë, atëherë do të mundë të thuhej se 45 për qind e atyre që nuk kanë votuar kanë qenë kundër të gjithë atyre që janë kandiduar në këto zgjedhje.
Duket se ato që quhen “elitat politike” në vendet e Ballkanit nuk duan qëllimisht të ketë një proces më të pastër dhe më të besueshëm zgjedhor me regjistër real të votuesve. Në këtë mënyrë hapësira për manipulime në proceset zgjedhore është më e madhe dhe me këtë edhe pazaret paszgjedhore. Sepse në Ballkan proceset paszgjedhore e jo votimet janë ato që vendosin pushtetin. Këtë e kemi parë më së miri në Kosovë, ku votat për partitë nuk kanë qenë vendimtare se kush do të jetë në pushtet, por pazaret që janë bërë pas zgjedhjeve.
Do të duhej të bëhej dallimi i qartë i atyre që jetojnë në vendet e tyre dhe i shtetasve me qëndrim të përhershëm apo përkohshëm jashtë shtetit. Atyre nga diaspora do të mundë t’u jepej e drejta të votonin për një listë të veçantë, siç e ka Kroacia, dhe t’u krijohej logjistika për të marrë pjesë në votime. Por për t’i dhënë më shumë besim procesit zgjedhor, që shpesh quhet edhe “manifestimi më i madh i demokracisë”, do të duhej të dihej saktësisht se sa njerëz jetojnë në cilin shtet dhe sa prej tyre vërtet kanë të drejtë vote. Pas kësaj do të mundë të mendohej edhe për modelin belg, pra për bërjen e pjesëmarrjes në votime detyrim ligjor. Atyre që përdorin argumentin se edhe bojkoti është e drejtë demokratike mund t’u shërbejë edhe mundësia që të dalin në votime dhe të mos votojnë për askënd, apo për të ashtuquajturën “listën e bardhë”. Në këtë mënyre ata do të plotësonin detyrimin e tyre ligjor, por edhe të drejtën e tyre për të shprehur revoltën kundër partive politike duke mos votuar për askënd.

Në Ballkan nuk reformohen ligjet zgjedhore, atëherë edhe ndryshimet që shpesh dëgjohet se i do populli nuk do të ndodhin. Sepse votat e atyre që nuk marrin pjesë në fakt nuk ekzistojnë dhe zëri i tyre nuk vlen.

Login to post comments