Nga Qemal SAKAJEVA
Para 20 vjetëve Serbia ndërmori luftë barbare të armatosur për spastrimin e shqiptarëve. Pas çlirimit Serbia ka 20 vjet që nuk e ndërpret luftën e egër politike e diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Nuk është rastësi që, në krye të shtetit serb veprojnë figura të rëndësishme që ishin bashkëpunëtorë të afërt të Sllobodan Millosheviç. Presidenti Aleksandar Vuçiç, atëherë ministër i informacionit i Millosheviçit, në fundmarsin e vitit 1999, pasi NATO filloi bombardimet për mbrojtjen e shqiptarëve, tha se “Kjo është një dëshmi e politikave neo-naziste të Shteteve të Bashkuara dhe statelitëve të tyre”, pra edhe e vendeve të BE që morën pjesë. Ministri i jashtëm Ivica Daçiç, atëherë zëdhënës i Millosheviçit dhe mbrojtës i zëshëm i figurës së tij edhe sot e kësaj dite, pak ditë më parë, sapo u kthye nga Somalia në Afrikë, tha për kanalin televiziv RTS të Serbisë se kundër Kosovës “Do të shkoj kudo sepse kjo është puna ime”. Ajo që ende nuk ishte dëgjuar të deklaronte diçka të rëndë, qe kryeministrja Ana Brbabiç. Por kur e hapi gojën, foli me gjuhë urrejtjeje kundër shqiptarëve, me mendim dhe fjalor si i nxjerrë nga libri i Vladan Gjorgjeviç “Arnautët dhe Fuqitë e Mëdha”, i botuar në vitin 1913, që i pati cilësuar shqiptarët “fqinjët me bisht”. Brnabiç, në prani të ambasadorit të Bashkimit Europian në Beograd Sem Fabrizi, tha për shqiptarët se “keni punë me njerëz që kanë dalë nga mali”.
Politika në Beograd ka bërë kërmillin. Pas luftës rrinte e tulatur, edhe nga droja a mos ndërmerrej një akt për ta cilësuar dhe dënuar Serbinë si vend që kreu genocid shtetëror. Por pati një kujdes të qartë ndërkombëtar, që ky cilësim të mos formulohej, të mos kishte nismë ligjore dhe të mos gjente asnjë shteg për të kaluar. Më pas Serbia fitoi kohë, i nxori brirët me arrogancë si para 20 vjetëve, nuk e njeh Kosovën dhe synon ta ndajë në tavolinën e bisedimeve. Sillet aq e trimëruar sa që i erdhi radha edhe Brnabiç, e vetëcilësuar kryeministre “properëndimore’ dhe “teknokrate”, të përdorë para përfaqësuesit të BE formulime raciste të një shekulli e ca më parë, pa e çarë kryet. Ky trimërim nuk është vetëm se pas tyre gjendet Moska, por kjo kurajë e kreut të qeverisë vjen nga përkëdhelja dhe lëshimet e paimagjinueshme të Brukselit ndaj Beogradit.
Reagimi i BE nëpërmjet zëdhënëses Maja Kocijançiç se, “ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë për normalizim të marrëdhënieve”, për rastin nuk godiste në shenjë. Kjo sjellje e kryeministres dhe korit arrogant serb nuk vjen nga mungesa apo domosdoshmëria e një marrëveshje të tillë, por se Serbia e spastrimit etnik nuk është larguar nga mendësia e kolonizatorit. Me pak më shumë se 100 000 serbë sa jetojnë në Kosovë synojnë të mbajnë peng fatin e gjithë popullisë, të republikës dhe pavarësisë. Edhe në konferencën për shtyp “EU Enlargement Package 2019”, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme Federica Mogherini tha për Kosovën se duhet të hiqet taksa ndaj mallrave serbe që të fillojnë bisedimet, por nuk shqiptoi asnjë fjalë që Beogradi të ndërpresë menjëherë dhe plotësisht politikën dhe diplomacinë e ethshme nëpër botë kundër pavarësisë së Kosovës, dhe pastaj të fillojnë bisedimet.
Brukseli le t’i kujtojë Beogadit se drejtuesit e sotëm të shtetit serb nuk ishin spektatorë të asaj çfarë bëri Serbia në Kosovë, por qenë funksionarë të rëndësishëm në krah të Sllobodan Millosheviç dhe mbështetes të genocidit ndaj shqiptarëve, ndërsa nuk e dënojnë e as kërkojnë falje as sot e kësaj dite.