Nga Dritan Kaba
Pasi gatuan çorbën ambasadorët thonë se nuk jemi në 1913-ën. Në fakt kanë të drejtë se tani pas votimeve të 30 qershorit kemi përfunduar si në 1813-ën. Sezoni i plazhit, thotë ambasadori austriak, duke harruar heshtjen e vet apo të kolegeve të tij, gjatë sezonit të hashashit dhe votimeve me 1 kandidat që në vendin e tyre as që mund të imagjinohet. Asgjë nuk ka thënë as për mbushjen e kutive të votimeve socialiste ditën për diell.
Përgjigje e menjëhershme edhe ironike për Voltanën, por iu mek goja edhe nuk iu ndje zëri për përgjimet e “Bild”. Nuk bëri asnjë cicërimë, kur vetëm dy javë para skandalit te përgjimeve, Kancelari i shtetit që përfaqëson dha dorëheqjen per një bisedë të aleatit të tij shumë herë me pak korruptive.
Nuk u ndje zëri as për aferat skandaloze të PPP Balldren-Milot, rruga e Arbrit apo ajo Orikum-Dukat. Ky pasionant i “historisë” nuk gërmëzoi asgjë për skandalin e Unazës së Re.
Dhe me sa duket “qefliu” i pushimeve nuk paska lexuar raportin e anketës së zhvilluar nga Komisioni Europian mbi Cilësinë e Jetës në vendet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate për tu anëtarësuar, në të cilin thuhej se 81 % e shqiptareve nuk kanë mundësi të bëjnë pushime. Mirë votimet e 30 qershorit nuk dinë ti lexojnë siç duhet dhe as t’i shohin se çfarë ka ndodhur, por edhe raportet e BE-së nuk i leçitka fare.