Ç’ i tha truri vadejasit të na vidhte mbiemrin?

Tuesday, 08 October 2019 10:13

Nga Eden Babani, Bruksel

1

Për sivjet, stina e verës na e ka kthyer shpinën përfundimisht. Ka ditë që kemi hyrë në zemër të vjeshtës, teksa dimri po na troket në derë, duke paralajmëruar përkeqësim të kushteve klimatike. E keqja jonë, - pra e ne, shqiptarëve, - është se ftohja e motit s’ka shanse të parandalojë përndezjen e krizës politike. Përkundrazi. Kriza do të ndihet edhe më dhunshëm seç është ndier. Do të ndihet ajo në të gjitha fushat e jetës: në atë ekonomike, sociale, psikologjike e në ç’ nuk tjetër.

S’ka pse të befasohemi aspak:

- kur atentatet dhe vrasjet mafioze përballë dhe pas shpine, të përmbytin kronikën e zezë, më keq se sot;

- kur aksidentet vdekjeprurëse gjatë punës a në qarkullim rrugor të zënë gjithnjë e më shumë kryetitujt e mediave;

- kur bëmat e vjedhësve ordinerë ose të atyre “prodhim qeveritar” të zgjaten pafund me hallka të reja;  

- kur PPP-të ta zbrazin përfundimisht “magjen” e shtetit që, po të bjerë miu brenda, do të thyejë kokën;

- kur skandalet e pushtetarëve të çdo niveli të zënë njëra-tjetrën më keq se ç’e kanë zënë, pa ia bërë syri tërc as Kryeministrit, as Parlamentit gjysmagjel me kukulla parlamentare.  

Thua se nuk mjaftojnë tërë këto e sa e sa të tjera si këto, ja edhe raporti i Komisionit të Venecias, i cili s’lë kënd pa lumturuar, sido që ta kthesh. Lumturohen gjithë të dijshmit e fushës përkatëse, pale të padijshmit e tryezave të kafeneve. Lumturohen analistët që mendojnë, që flasin e që shkruajnë sa mundin e ku mundin duke ngulur këmbë se Presidenti i Republikës duhet shkarkuar. Por lumturohen edhe ata që s’ lëvizin nga e vetja, pra që thonë të mos shkarkohet Ilir Meta. Një raport kësisoj, - i  pranueshëm disi për një vend me nivel të përfytyruar demokratik, por investuar për një vendi në buzë të greminës, do ta emërtoja “Raporti Allah-Allah”. Them kështu, jo vetëm falë mosdijes sime juridike, çka do ta kompensoja me komentet e më të dijshmëve, por sepse s’di kujt syresh t’i besoj. Çdokush e zbërthen dhe e komenton Venecian sipas bindjeve politike dhe sipas qasjes ndaj mazhorancës a opozitës. Lëre pastaj termin “tejkalim kompetencash”, të cilin nuk e gjen në Kushtetutë, edhe sikur ta shfletosh libërthin faqe më faqe, edhe sikur të lexosh në nënrreshta, çka nuk do as shumë kohë, as shumë mund, as shumë dituri. 

Duke i shtuar kësaj shkrepjeje “flesh” edhe varfërinë që ka kapluar vendin anekënd (ky nuk është ndonjë zbulim), tollovia shqiptare po përjetohet me dëshpërim edhe te ne, në diasporë.

E kundërta këtu, në Belgjikë. E freskët, e dëlirë, e qetë, me qeveri dhe pa qeveri që nga zgjedhjet e fundit të 26 majit të shkuar, por me ligje që mbretërojnë edhe mbi vetë Kurorën Mbretërore, ku s’ pretendon kush epërsi ndaj të tjerëve, por gjithsekush vepron shoqërisht si i barabartë mes të barabartëve, Belgjika më frymëzon, më hap shtigje për ta gëzuar jetën deri në imtësi. E, megjithatë, frymëzimi im i vetvetishëm, (pse jo, edhe e i ligjshëm), merr padashka përmasa stresuese.

Për fatin tim të keq, gjithçka e këndejshme bie ndesh me kaosin e andejshëm. Atëherë, qenia ime e dyzuar, zë e grindet me vetveten. Është një lloj grindjeje që më shkund si me qenë ethe. Më cyt që dashka-padashka të bëhem edhe unë pjesë e tollovisë së atjeshme, nëmos fizikisht, mendërisht.

Ja edhe një “spicë në thua”, përpos përjetimeve ndesh njëra me tjetrën: Mark Babani, kryetari i i bashkisë së Vaut të Dejës, sapo i zgjedhur nga farsa zgjedhore e 30 qershorit të shkuar.

Nga mbiu dhe si mbiu ky personash me mbiemrin (llagapin) e familjes sime, i keqpërdorur e i përfolur publikisht keq e mos më keq?

2

Qysh se u bë i njohur në shtyp identiteti dhe bëmat e tij, më ka ngacmuar orë e çast ideja për të shkruar një letër “të hapur”, domethënë publike, ose “të mbyllur” në zarf (pra private, me postë). Ta shkruaj, të mos e shkruaj, kam replikuar vetë me vete këta tre-katër muaj. Sikur ta shkruaja, kujt do t’ia adresoja? Patjetër, ndokujt që më rrëqeth me një gudulisje të lehtë e të këndshme ose me trondit te s’mban më. Thënë fare troç, do t’ia adresoja ndokujt ndër ata që mbajnë mbiemrin tim, sado që s’ na lidh gjë prej gjëje, as si farë e as si fis. Ka edhe në Shqipëri (ndoshta me prejardhje nga Babani i Devollit, sikundër familja ime), por s’kanë të sosur mijëra të tjerë shpërndarë anekënd botës, sidomos në hapësirën gjuhësore turko-arabe.

Do t’ia adresoja, fjala vjen, zonjës Babani Koné (shqiptarçe: Koné Babani) në Republikën e Malit (ish koloni franceze në Afrikën Qendrore). Do t’ia vlente, apo jo? E pashme si ajo, e nisur dhe e stolisur si nuse, këngëtare me famë botërore, laureuar me lloj-lloj çmimesh këndej e andej oqeaneve...

Kushedi, do të gjenim me anë të letrës edhe ndonjë lidhje gjaku të largët qindra-e-qindravjeçare. Mbase më priste një ditë në Mali ose e prisja në Bruksel. Pinim nga një kafe, bënim një dorë muhabet dhe shkrepnim ndonjë fotografi.  

Kush do të ishte si unë?                                                                                                           

Ama, mund t’ia adresoja edhe Mark Babanit, i përmendur në shtyp si hajdut veturash  në Itali, kurse tashmë Kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës, me bekimin e një njeriu që beson se është kryeministër, por që as vetë s’di se ç është.

Çfarë do t’i thosha?

Na nxore bojën, o derëbardhë! Po na e nxore fare, bre dreq zotërie nga Vau i Dejës. Na e nxore si farë e si fis. Si na u shpife kështu papritur e pakujtuar me lloj-lloj emrash e mbiemrash, me lloj-lloj atësish e me lloj-lloj datëlindjesh, me lloj-lloj rekordesh kriminale?

 Mark Ndoc Babani (24.12.1967); Marq Saimir Babaj (11.06.1967); Ylli Saimir Babaj (02.11.1968) e ku e di unë se çfarë tjetër soj dreqnish. Tashti, së fundi, edhe Fatmir Babani. Nuk janë pak si tepër? Madje, gjithherë i inkriminuar deri te thonjtë e këmbëve. Cili je në të vërtetë?

Por, jo!...  Ata që ia shitën votën për një dorë miell do ta tjetërsonin brendinë e letrës. Do ta merrnin vadejasin për njeri me prejardhje fisnike, siç njihet familja ime denbabaden, me histori e tradita që datojnë nga mesi i shekullit XVIII. Kurse Marku do të gjente vjegë ku të kapej e të ngrefosej.

Ndaj nuk e shkruaj letrën. As të hapur, as të mbyllur. Ndaj po i drejtohem opinionit në përgjithësi.

3

Prej dy a tre muajsh, nuk rreshtin telefonatat dhe sms-të në numrat e telefonave të mi. Nuk reshtin as e-mail-et në adresën time. Vu-u-u njëri pas tjetrit. Ç’ është ky dreq  personazhi me mbiemrin tuaj, ca si katolik, ca si mysliman, ca si as Zoti vetë nuk e di se i ç’ dreq besimi tjetër?

Një ngritje supesh dhe një frazë tejet e shkurtër “nuk di ç’të them...”, ka qenë përgjigjja ime e vetme.

Shtoj se njohjet e mia si ish-gazetar e sot veprimtar demokrat ende tepër aktiv në diasporën shqiptare të këndejme, janë të shumta qoftë në Belgjikë, qoftë në disa prej vendeve të Europës Perëndimore. Po aq, në mos më shumë, në Shqipëri e në trojet e tjera etnike, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi.  

Ndonjërit, me të cilin më lidhin fije të shëndosha farefisnore, miqësore a shoqërore, i jam përgjigjur me shaka. Thjesht me shaka, ani pse të ta nxjerrë bojën tjetri pa ia pasur borxh, nuk është rast për të qeshur.

Sjell dialogun telefonik mes meje dhe tim kushëriri, V.

Ai: “E more vesh? Mark Babanin e paskan akuzuar ata të PD-së sate për shkelje të ligjit antikorrupsion”. Unë: “Ç’ është ky vadejas me mbiemrin tonë, bre? E njeh ti? Me mua s’ka të bëjë. Po me ty?” Ai, aty për aty: “Nuk e ditke, o? Ja po ta them, me që erdhi rasti. E kam vëlla për babë. Domethënë me gruan e parë të tim ati”.

Dhe, që lexuesi i këtyre rreshtave ta kuptojë humorin e dialogut, shtoj se babai i V u plak e u trashëgua veç me një grua.  

4

Përpos shkëmbimeve me tim kushëri, mendova njëherë mos zotërinë me boll emra e mbiemra  dhe me po aq baballarë e datëlindje e ka frymëzuar këngëtarja e famshme afrikane. Mirëpo, prapëseprapë s’ më dilte e s’ më del llogaria për kiamet. S’ më duket Marku nga ato miza që bëjnë mjaltë. Ku Lezha, ku Zhari! Pastaj, hane Shan, hane Bagdad! Hane Vau i Dejës, hane Segu (Ségou), vendlindja e këngëtares. A mund të qëmtojë këso grimcash kulturore e artistike një i padijshëm? Sepse, kur e këqyr në fotografi, Marku më ngjan më tepër si derdimen, sesa si artdashës. Përndryshe, do ta kisha për mburrje të pija me zotërinë e tij një kafe qoftë buzë liqenit të Vaut të Dejës, qoftë në Grand Plas-in e famshëm të Brukselit, qoftë buzë Atlantikut, në Anversë, ku Babani Koné fitoi Çmimin e Artë në vitin 2008.  

Hajde-hajde, do të thoshin bota! Një babanar-brukselas me prejardhje nga Babani i Devollit, që mban si mbiemër emrin e fshatit denbabaden, dhe dy jo babanarë, por që i lidh mbiemri Babani. Ka më bukur?

Po ç’e do! Vadejasi kryetar bashkie më bën të turpërohem, në vend që të mburrem, siç u mburresha miqve të mi në Belgjikë të nesërmen, të pasnesërme e kushedi sa ditë tjera, pasi stacionet televizive flamanofone e frankofone patën transmetuar drejtpërdrejt festivalin e Anversës.  

Ime kushërirë, u thosha me një shkelje syri kinse. Jemi fis i madh ne. Shtrihemi nga Devolli, në Afrikë e më tej, në Anadoll e në Vendet Arabe.

As që e merrja dot me mend asohere se mbiemrit tonë do t’i ngjiteshin si shushunja emrat Mark, Marq, Ylli, Fatmir e ku di unë çfarë tjetër, identifikuar me të njëjtin individ, me atë që do të bëhej kryetar bashkie në Vaun e Dejës, falë shkeljeve të ligjit në Itali e gjetkë, falë edhe bekimit të Edi Ramës.

Pra, ç’ emër t’i vë përvetësimit të mbiemri tonë nga një njeri as më ke, as të kam. Kusari?

Pse jo? Kusarisht e përvetësoi mbiemrin Babani. Kusarisht e barti këtej e andej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, deri që përfundoi në Vaun e Dejës. Kusarisht e mban sot e gjithë ditën.

A e merr dot me mend ky i paturpshëm turpërimin tim ndaj miqve të mi këtu, në Belgjikë, në Shqipëri e kudo? A e merr dot me mend si mavijosem e nxihem sa herë që zoti Basha, Kryetar i Parisë Demokratike, ku aderoj për më se një çerek shekulli, përmend mbiemrin Babani, një me kajmakët, pjetrat, dakot e kushedi sesa të tjerë nga soji i tyre?

Nuk di ç’të them... Por s’ma do mendja se do ta kuptojë sa të jetë gjallë e sa të vetëquhet Mark Babani. Sepse mëkatet që i rëndojnë, nuk ia lajnë dot as ujërat e lumit Drin.

Jazëk, pra, e pastë faqen e zezë!...

Modifikuar më Tuesday, 08 October 2019 10:39
Login to post comments