Shqipëria po rrëshqet në diktaturë...

Saturday, 07 Mars 2020 18:05

Freedom House, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, ka arritur në përfundimin se demokracia në Shqipëri ka pasur regres gjatë vitit 2019, duke rënë nga 68 pikë që kishte në 2018 në 67 pikë në 2019. Ndërkohë që sipas të dhënave të kësaj organizate rezulton se në vitin 2017, demokracia në Shqipëri s’ka bërë progres, sepse çdo hap përpara është shoqëruar me hapa mbrapa. Përfundimi është i qartë: që nga 2017, për dy vjet, demokracia në Shqipëri ka pësuar regres. Në vitin 2020 duket se ky rrënim do të rezultojë më i konsiderueshëm.

Sipas ‘The Economist- Intelligence Unit’, përsa i përket treguesit që përcakton nivelin e demokracisë, Shqipëria klasifikohet si vend me DEMOKRACI HIBRIDE. Një vend me regjim hibrid përcaktohet si vend që bën pjesë në grupin ne vendeve që ndodhet mes grupit të vendeve me regjim autoritar dhe grupit të vendeve me demokraci me defekte, ndërkohë që vendet e Perëndimit bëjnë pjesë kryesisht në grupin e vendeve me demokraci të plotë. Pra, Shqipëria, pas 30 vjetësh, ndodhet në grupin e tretë të vendeve që cilësohen me demokraci hibride, afër vendeve me regjim autoritar.

Vendet që bëjnë pjesë në grupin e regjimeve hibride, ku bën pjesë edhe Shqipëria karakterizohen nga: Zgjedhjet kanë parregullsi thelbësore që shpesh i pengojnë ato të jenë të lira dhe të drejta. Presioni i qeverisë ndaj partive opozitare dhe kundërshtarëve politikë është i lartë. Dobësi serioze vihen re përsa i përket kulturës politike, funksionimit të qeverisë dhe pjesëmarrjes politike të publikut. Korrupsioni është i përhapur gjerësisht dhe sundimi i ligjit është i dobët. Shoqëria civile është e dobët. Në mënyrë tipike, ka kërcënime dhe presione ndaj gazetarëve, ndërkohë që gjyqësori nuk është i pavarur.

Në dokumentin e vitit 2020 të ‘The Economist-Inteligence Unit’, ku jepen të dhëna për nivelin e demokracisë në vitin 2019, Shqipëria ka mundur të grumbullojë 5.89 pikë nga 10 të mundshme, duke u renditur në vendin e 79 dhe pësuar kështu një rënie me tre vende nga rezultati i saj për vitin 2018. Ky konsiderohet rezultati më i ulët që nga viti 2014, prej nga vërehet një rrënim i vazhdueshëm i nivelit të demokracisë që nga ardhja e Partisë Socialiste në pushtet.

Përfundimi është evident: Shqipëria, që nga ardhja e Rilindjes në pushtet, jo vetëm s’ka mundur ta zhvendosë prej 7 vjetësh qeverisjeje Shqipërinë nga grupi i vendeve me demokraci hibride, por demokracia në Shqipëria është rrënuar duke bërë që vendi të rrëshqasë drejt grupit të vendeve autoritare, dhe nëse kjo dukuri s’do të mund të frenohet (gjë që duket e mundshme vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme), me shumë gjasa vitin e ardhshëm, Shqipëria do të bëjë pjesë në grupin e vendeve më regjim autoritar ku bëjnë pjesë Kuba, Xhibuti, Bjellorusia, Irani, Sudani, e tjerë.

Login to post comments