Mos u çmendni! Nuk ju ka faj Basha për koronavirusin

E Enjte, 12 Mars 2020 09:40

Të habit lehtësia për të veshur me faj atë që s’e ka! Gjithkush e di që Edi Rama nuk është pjesëmarrës në “komplotin” e shpikjes së koronavirusit. Madje, pikërisht në këtë moment, jemi të prirur të besojmë se do të bëjë maksimumin me sa ka në dorë!
Në të tilla situata, lufta politike kalon në plan të dytë për t’u mbrojtur nga armiku i padukshëm si te “Shkretëtira e Tartarëve” e Dino Buxatit. Por kjo nuk do të thotë që së vërtetës t’i bihet me grushte kresë. E pamoralshme është që ajo të shndërrohet në gënjeshtër!
Lulzim Basha si politikan do të gjykohet nga votuesit bashkë me Edi Ramën, por ai sot s’ka gjë në dorë. Kryeministër është ky i dyti e bashkë me nderin duhet të mbajë edhe përgjegjësinë e detyrës. Sot, ai sulmoi kryetarin e opozitës sepse tha disa të vërteta në lidhje me emergjencën e paralajmëruar. Po ashtu, edhe mediat pranë tij! Nga ana tjetër, shumë të tjerë e akuzojnë Bashën për butësi, ndonëse ai po sillet si në rastin e tërmetit, më shumë si qytetar sesa si politikan. Rama thotë që nuk është koha me bë politikë dhe bën sa i ha krahu.
Nëse maskat janë të skaduara, cili është faji i Bashës, që i thotë silli të paskaduara? Nëse prej javësh i është thënë bëje transparente planin e masave pa propagandë dhe ai s’e ka bërë, ku është faji? Ajo që po ndodhte në Itali, dukej qartë që po mbërrinte edhe këtu. Kësaj nahije kishte një mendjelehtësi të frikshme, bëhej një kongres dhe thirrej një miting. Çdo zë që ngrihej, kritikohej!
Qeveria dukej sikur jetonte në një planet tjetër dhe për këtë sfidë globale dukej fort e padëshiruar që të merrej. Përqeshën çdo zë që kërkoi llogari, që kërkoi të dinte më shumë, që kërkoi të mbylleshin kufijtë ajrorë pjesërisht apo plotësisht me Italinë, që kërkoi një plan masash aq sa mund të bëjë ky shtet tejet i rrjepur nga historia dhe njerëzit e bashkësisë.
Ngjante se gjithë këta kërkonin që në Shqipëri të vinte koronavirusi për të destabilizuar qeverinë! Kështu nuk ishte! Legjitim ishte shqetësimi! Përtej qëndrimeve tona pro e kundër, ai erdhi! Shpresojmë e besojmë se qeveria do të bëjë maksimumin tani e tutje më mirë vonë se kurrë pa propagandë, pa gënjeshtra me bashkëpunimin e gjithë shoqërisë, faktorëve politikë, religjiozë, ekonomikë e individualë!
Por, mos u çmendni që paaftësinë e dikujt tjetër t’ia vendosni mbi shpinë tjetërkujt, përgjumësinë po ashtu! Edi Rama nuk e ka shpikur virusin, por nuk është treguar vigjilent dhe i përgjegjshëm sa duhet që t’ia vështirësojë deportimin! Basha nuk e ndalon dot trajektoren e tij, edhe nëse thërret rroftë Edi Rama nga sabahu në aksham!
Të shndërrohemi në një bashkësi që ndjek rregullat e urdhëresat, që del nga kafet e shton higjienën e plot reagime të tjera! Të gjithë së bashku kundër koronavirusit, duke kërkuar të vërtetën dhe shndërruar atë në ndihmë për gjithsecilin, së pari për ata që janë në linjë të parë, mjekët dhe infermierët!
Ata, pos fjalëve, kanë nevojë për mjete e mbështetje! Janë njerëz si ne, me frikën dhe trimërinë që na karakterizon, me një ndryshim: që ne të tjerët u kërkojmë të bëhen heronj për ne! Mbase do të bëhen, por hajt t’i mbështesim me gjithçka ky vend mundet, po jo duke u nxjerrë Bashën si ogiç haraçit!
Nuk rri kjo as në qiell e as në tokë, pos hapësirës boshe në tryezën ovale të qeverisë. Rama ka të drejtë kur thotë që s’kanë kuptim të gjitha këto task-forca, një e qeverisë, një e Presidentit dhe një e opozitës. Por i takon pikërisht atij të bëjë një për të qenë, duke e pyetur edhe opozitën, edhe Presidentin dhe jo duke kërkuar vetëm heshtjen e tyre për gabimet e veta!/panorama

Login to post comments