Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka qenë i pranishëm në Komisionin e Ligjeve nga ku raportoi se kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku nuk ka folur asnjë fjalë për çështjet si ajo e Saimir Tahirit, apo kokaina e Xibrakës dhe Maminasit.
Gjatë mbledhjes së Komisionit, Noka u shpreh se Marku ka treguar vetëm përralla dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje të saktë, për çështjet në hetim.
Pjesë nga fjala e Flamur Nokës në Komision:
A e dëgjuat zonjën që të thotë se është arrestuar apo është para drejtësisë një bandë e trafikut të drogës, një bandë apo strukturë e organizuar që angazhohet në mbjelljen e drogës?
A ka qenë e vërtetë që Prokuroria e Krimeve të Rënda deri kur erdhi zonja në atë drejtim të gjitha aksionet për kapjen e tonelatave të drogës i organizonte ajo dhe sot që kur ka shkelur zonja në atë karrige a keni dëgjuar që Prokuroria e krimeve të rënda të angazhohet në arrestime apo në kapjen e një sasie droge në Shqipëri?
Jo. Sepse të gjitha i kap vetëm Antimafia italiane dhe asnjë nuk kapet këtu. Pse u zhbë Prokuroria e Përgjithshme, kjo është çështja. Pse u zhbë Prokuroria e krimeve të rënda e cila ka pasur flamurin e luftës ndaj drogës dhe bandave të drogës në mandatin përpara se të vinte zonja? Kjo është çështja!
Këto janë çështje për të cilat janë të shqetësuar edhe shqiptarët, sigurisht që jemi të shqetësuar edhe ne. Këto janë çështjet për të cilat zonja duhet të na raportoje dhe të përgjigjet këtu, jo për hartime.
Për hartime zotëri merreni tek partia ku e keni prokurore private, të ju lexojë hartime sëbashku me stafin e saj dhe vazhdoni. Këtu raportohet për çështje të cilat I ka detyrë ligjore, për çështje të cilat janë sensibilitet i opinionit publik dhe sigurisht edhe i opozitës.
Duhet të raportojë pse sa u ul në karrige ajo mbylli çështjen e Saimir Tahirit? Pse nuk u apelua që ka qenë rregulli normal në prokurori, të apeloheshin të gjitha vendimet e shkallëve të ulëta.
Pse nuk u apelua vendimi i Xibrakës? Apo sepse sipas dyshimeve tona ka familjarë të kryeministrit të përfshirë.
Pse nuk ka asnjë të dhënë për hetimin e 613 kg kokainë të kapur në Durrës dhe pse dështoi ai aksion.
Këto janë çështjet për të cilat duhet të flasë zonja këtu dhe jo të na tregojë përralla