Arta Marku raportoi mesditën e kësaj të mërkure në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e institucionit për vitin 2017. Një vit ky që nuk përkon me punën e prokurores Marku, pasi ajo e ka marrë mandatin si e përkohshme në fund të këtij viti. Por megjithatë gjatë seancës u vu re tendenca e Kryeprokurores për të mos iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës.
Në çdo pyetje ajo deklaroi të njëjtën frazë: “Nuk e di”.
Ai që i dha të drejtë në frazën e saj, duke e quajtur edhe zonja “Nuk e di”, ishte deputeti demokrat Klevis Balliu. Sipas tij, e përkohshmja Marku ka të drejtë që thotë nuk e di, pasi veprimtarinë e saj e ka udhëhequr kryeministri Edi Rama dhe ajo ka plotësuar vetëm urdhrat e tij.
Për këtë, Balliu e quajti Markun, znj. “Nuk e di”
Më pas deputeti demokrat renditi edhe veprimtarinë e Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Në punën e saj, shtoi Balliu, kryeprokurorja ka nxjerrë nga burgu ish-ministrin Saimir Tahiri, ka nxjerrë nga burgu Mark Frrokun, si dhe futi në burg 12 kuksianët që protestuan për taksën e “Rrugës së Kombit”
Më poshtë pjesë nga fjalimi i deputetit demokrat Klevis Balliu:
Keni thirrur këtu prokuroren e Përgjithshme , dhe po shohim që ka ardhur zonja “Nuk e di”. Për të gjitha pyetjet thotë “nuk e di”.
Këtu ke marrë përsipër që të vish në vend të kryeministrit Rama se ai është Prokuror. E meqë ke marrë përsipër të vish në vend të atij dua të të bëj disa pyetje.
Prokuroria e Durrësit, në historinë e Shqipërisë, nuk ka ndodhur të vidhet dy herë. Prokurorja e Durrësit, është shoqja juaj. Në vend që të merret në hetim, Si u vodh, Pse u vodh, Kush ishin këto banda. Ju e promovuat në Tiranë.
Kemi Prokurorin Kosta Beluri, pushoi çështjen në 2016 ku u përfshi edhe gjyqtari Thanza. Çështjen e ia pushoi ky prokuror. Me çfarë kriteresh merreni ju zonjë?
Ju vini e na flisni për një punë që nuk e keni bërë ju. Pse nuk flisni për punën që keni bërë ju. S’na i thoni. Ja u them unë çfarë pune keni bërë.
Nxorët Saimir Tahirin nga burgu. Kjo është në historinë tuaj si prokurore
Morët Mark Frrokun e nxorët nga burgu.
Ju morët 4 kuksianët, në fillim 12 kuksianë nga shtëpitë e tyre peng, në kundërshtim me ligjin. I futët në burg.
Ku e keni Petrit Fushën që i pushoi çështjen Erjon Veliajt.
Këto janë bëmat tuaja. E vetmja fjalë që ka thënë zonja këtu është fjala “nuk e di”.
Tentohet ti ndërpritet fjala nga kryetari i Komisionit të Ligjeve.
Balliu: Nëse do të më ndërpresësh nuk më ndërpret dot. Dua të di mbi bazë të cilave provave e nxorrët Tahirin
Mbi ç’kriter i futët kuksianët në burg?
Ka qënë deklarat juaj. Prokuroria do të marrë nën hetim çështjen Seitaj. Zoti kryetar i komisionit ju nuk më ndërprisni dot fjalën.