Dje ishte Samiti i NATO-s, ku ndodhej edhe Presidenti amerikan Donald Trump. Pas deklaratave sfiduese ndaj NATO-s dhe Kancelares gjermane Merkel të gjithë kryeministrat dhe drejtuesit e shteteve anëtare të kësaj Aleance ishin në tension e frikë.
Pas pak ditësh Trump do të takojë personalisht presidentin rus Putin në Finlandë, pasi të hajë drekë në Londër dhe një darkë në Edinburg në Skoci.
Edi Rama ishte në Samit si kryeministër i Shqipërisë. Me Ramën ishin edhe Visho Ajazi, ambasadori ynë në NATO, ministri Bushati dhe këshilltari i plotfuqishëm Endri Fuga. Këta të fundit, Bushatin dhe Fugën, i kishte futur në Samit vetëm që të rrinin gati me celular për të bërë foto me presidentin Trump, sapo ai ti kalonte afër Ramës.
Siç njofton agjensia sekrete “Ajazivisho” kryeministri Rama nuk e kishte fare mendjen se ç’thuhej në Samit. Ai vetëm vështronte kur të lëvizte Presidenti Trump dhe ti merrte një foto. Edhe po të mos ishte shtrëngim dore, por ama të kapej në foto me të që t’ia dërgonte popullit shqiptar.
Priti e priti Edi Rama, por Trump as që lëvizte. Trumpi hidhte ndonjë shikim pjerrtas nëpër sallë dhe ia ngulte me inat kancelares gjermane Merkel. Nga karrika ku ndodhej kryeministri shqiptar as donte ti hidhte sytë.
-Shef! Kam menduar një zgjidhje-tha duke marrë frymë me shpejtësi Endri Fuga.
Si?- e pyeti më zë të vogël Rama.
-E kam mbajtur nën vëzhgim prej tre orësh Trumpin dhe nuk ka shkuar asnjëherë në tualet.
-Fantastike!-bërtiti ministri Bushati.
-Ule mor zërin, ti!-iu hakërrye Rama- Atëhere ti Ditmir shko me celular në tualet dhe sapo Ai të niset, edhe unë do bëjë sikur kam nevojë për në tualet. Fap del ti dhe shkrepe foton!- tha Rama dhe vështroi nga “spiuni” Visho.
-Çe sollëm këtu ambasador këtë kryespiunin!– iu tha Fugës dhe Ditmirit- Ky do ti tregojë Saliut!
-Varja këtij… !- pëshpëriti Fuga.- Por sa të jap sinjal unë nisu para se Trump të hyjë brenda në ….
Ndërkohë sipas agjensisë “Ajazivisho”, thuhet se Ditmiri mori celularin dhe u nis sipas planit. Endri Fuga shkoi kah tavolinës se Presidentit Trump për të parë se sa shishe ujë kishte pirë.
Pas afro 34 minutave Fuga lëshon sinjal Ramës që “nisu”. Dhe hapi i Ramës, natyrisht, është më i gjatë se sa i Donald Trump.
Dhe i doli përpara. Në moment, tre roje më ngjyrë afrikane, rrethojnë Trumpin.
-Who are you?- iu drejtohet Trumpi, trupmadhit Rama. Dhe instiktivisht i jep dorën. Në moment ministri Bushati vrapon nga koridori i banjës dhe shkrep celularin për foto. Endri Fuga nga një pozicion, që asnjë ligj i Ajshtanjit nuk e parashikon dot, përkulet dhe bën foton.
– I am Albanian primeminister!– thotë.
-Aaa! Ti je ai! Popo, pa merak nga fundi i vitit të vjen radha!– dhe iku.
Të tre nxituan të shikojnë fotot. E Fugës ishte më e mirë.
-Shpërndaje foton urgjent!- urdhëroi kryeministri.
Foto u nis me whatsapp. Në Tiranë sapo foto mbërriti në celularët e pronarëve të mediave, u bllokuan punët në pallatet në ndërtim apo në koncesione. Nxituan të gjitha mediat për ta futur apo dhënë lajm të parë në televizione.
Ndërkohë kryeministri u kujtua se pse ma tha atë togfjalëshin se “Aaa! Ti je ai! Popo, pa merak nga fundi i vitit të vjen radha!”.
I dogji shumë. Ku ka zot që e parashikon Donald Trump, ndaj thërriti Vishon si më i ditur në këto punët e kodeve, pasi ai kishte përgjuar Sajmir Tahirin dhe vetë Ramën, dikur.
-Di gjë pse më tha Trumpi kur bëmë takimin zyrtar tani se “Aaa! Ti je ai! Popo, pa merak nga fundi i vitit të vjen radha!”
-E ka patur se do të ftojë në Shtëpinë e Bardhë. Prandaj po punon edhe ministri Gjiknuri me këto shoqëritë e naftës dhe gazit.
-Saktë!– foli gjithë lehtësim kryeministri.
Ndërkohë në Tiranë ishte dhënë lajmi i madh: Presidenti Trump takon përzemërsisht kryeministrin Rama./ Fejton/
Marrë nga Koha Jonë