Në Komisionin e Ekonomisë, Jorida Tabaku renditi disa argumente pse Edi Rama bëri show, kur firmosi në Samitin e Londrës angazhimin e qeverisë për të bërë transparencë për koncesionet dhe PPP-të.
Tabaku tha se Rama është angazhuar se në tregun shqiptar do të funksionojë konkurrenca, por, në fakt, ai e ka ngritur korrupsionin në sistemin e tij të qeverisjes.
“Por si mund të ketë garë dhe konkurencë kur të gjitha koncesionet e PPP-ve po jepen me ofertë të pakërkuar? Kur koncesioni i PPP-së së Teatrit po jepet me një ofertë të pakërkuar të bërë nga një biznes i cili pretendonte se kishte tokë kufitare me teatrin dhe kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Si mund të kemi garë kur projekti 1 miliard euro, nga 7 projekte, 4 janë bërë me ofertë të pakërkuar deri tani? Si ka mundësi që të gjitha koncesionet që janë dhënë në shëndetësi janë të gjitha me ofertë të pakërkuar”, tha Tabaku.
Zv/kryetarja e Komisionit të Ekonomisë theksoi faktin se qeveria mashtron shqiptarët duke thënë se angazhohet për të gjetur burimin e financimit të projekteve me PPP dhe koncesionet.
“Inceneratorët një nga kompanitë e përfshira, është kompani guackë. Në rastin e “Fusha shpk”, përsëri është një kompani guackë që është një kompani guackë që është duke pastruar paratë e tjetër kujt. Një sërë koncesionesh, duke vazhduar nga Porti i Karpenit duke vazhduar me aeroportin e Vlorës janë të gjitha me kompani që nuk dihet kush është pronari dhe kjo e bën zero dhe fals luftën ndaj pastrimit të parave, e bën zero dhe fals luftën që ka qeveria për të siguruar më shumë transparencë”, tha Tabaku.