Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ka bërë thirrje deputetëve që ta lexojnë me gjakftohtësi dhe të triumfojë logjika për vendimin e Presidentit Meta për Teatrin Kombëtar.
Manjani i ka përcaktuar momente të vështira, të pa jetuara më parë në historinë e shtetit tonë modest këto kohë.
Deklarata e plotë
Uroj që deputetët të vendosin arsyen mbi emocionin politik dhe ta lexojnë siç duhet mesazhin e Presidentit të Republikës, me rastin e kthimit të të ashtuquajturin ligji për Teatrin Kombëtar!
Vetëm me arsye të ftohtë mund të tejkalohet kjo situatë shumë delikate, e vështirë sa më s’ka! Nuk vlen asgjë çelja e debatit me deklarata koti, që jemi mësuar të dëgjojmë.
Helmin që deputetën dhe drejtuesit e institucioneve politike në vend kanë me njëri-tjetrin le ta shprehin, por në këtë rast vlen vetëm ARSYEJA dhe ARGUMENTI në kushte tepër të veçanta ku gjendet shteti.
Mbi të gjitha, fakti që nuk ka një gjykatë që ta vlerësojë kushtetutshmërinë e atij ligji, është arsye e mjaftueshme për t’u tërhequr nga kjo nismë.
Janë shumë njerëz që kanë të drejtën e ligjit dhe të zotit të ankohen ndaj qeverisë, por nuk kanë se ku. Nuk mund të mohohet në asnjë rrethanë e drejta për t’u ankuar e gjykuar nga një gjykatë kompetente!
Të gjitha konventat kuadër e parashikojnë këtë detyrim të çdo shteti, pavarësisht formës apo llojit të regjimit politik.
Ndaj uroj të triumfojë logjika, në këto momente të vështira, të pa jetuara më parë në historinë e shtetit tonë modest! Le të shpresojmë!