Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar përmes një postimi në facebook, në lidhje me konstatimet e CIA-s për Shqipërinë, të cilën e konsideron ende një burim të rëndësishëm për prodhimin e kanabisit si dhe një pikë aktive për tranzitin e drogave nga Azia Jugperëndimore.
Në profilin e tij ne facebook, bashkëngjitur një video ku akuzon kryeministrin Rama se me luftën antikanabis mashtroi shqiptarët dhe BE, Basha shkruan se vendi nuk e meriton një kryeministër të lidhur me krimin e organizuar.
“Edi Rama mashtroi shqiptarët, BE dhe SHBA me shpalljen e fitores së luftës kundër kanabisit dhe heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit. Nga Janari deri në Korrik 2018 në Itali, Greqi dhe Shqipëri janë sekuestruar 30 tonë kg kanabis shqiptar. Deri tani nuk është arrestuar asnjë bos i drogës në Shqipëri, sepse garant për parekshmërinë e tyre është qeveria e Edi Ramës. Ministria e Brendshme nuk bën analizat e drogës së kapur për të fshehur të vërtetën se Shqipëria vazhdon të jetë parajsa e krimit për mbjelljen e kanabisit. Analizat italiane dhe greke të drogës së kapur nga Shqipëria provojnë se kanabisi është mbjellë gjatë muajve të fundit. 30 tonë drogë e sekuestruar në 7 muaj janë vetëm maja e ajsbergut të krimit të organizuar me mbrojtje politike, që ka marrë peng vendin. Shqiptarët nuk meritojnë një kryeministër të korruptuar, që ka lidhur fatin e tij politik me krimin e organizuar”-thuhet në videon e publikuar nga Basha.