Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në një intervistë televizive ka thënë se kriminalizimi qeveritar ka lënë vendin pa investime të huaja, në shkretim ekonomik dhe rrënim shoqëror.
E kam zgjedhur emisionin e parë për opozitën se gjithnjë opozita është ajo që duhet përkrahur më tepër se mazhoranca….
Më mirë të thoni, pasi është përkrahur me bollëk qeveria, më në fund po reflektoni që të ketë një lloj baraspeshe në reflektimin publik, sepse opinioni publik do që të dëgjojë, dhe shumicën e kohës të vërtetat anojnë nga krahu i opozitës, jo i qeverisë. Aq më keq për një qeveri si kjo, që vetëm gënjen. Problemi qëndron këtu. Opozita nuk bën takime, duke synuar të jetë interesante, apo jo. Bën takime apo aksione, pasi ai ishte një veprim politik nuk ishte vetëm një takim pune, i cili tregonte tre elemente thelbësore: soliditet politik, të qenit atje ku problemi ndodh dhe për t’u dhënë mesazhin qytetarëve që nuk janë vetëm. Për të mos menduar që, nëse qeveria u ka kthyer krahët ata janë vetëm, askush nuk mendon për ta, apo ata nuk kanë alternativë dhe shpresë. Qeveria e ka humbur pa e filluar luftën me krimin, sepse është njësh me të. Por turpi i qeverisë, këtë nuk e shpiku opozita, por është e vërtetë, mbas takimit tonë për t’i hedhur hi syve, policia bëri sikur bëri një aksion atje në Shkodër. Kur ju nuk keni asnjë emër të ndonjë të arrestuari, të ndaluari apo të përplasjes me kriminelët, të cilët janë mjaft mirë të pajisur dhe të armatosur. Pra, do të thotë që në një situatë kur qeveria dhe krimi bëhen njësh, pra nuk ka më instrumente, populli kërkon rrugën, kërkon udhëheqje.
Po cili ishte mesazhi i takimit se ju nuk është se shkuat për të kapur të fortët e Shkodrës besoj?
Po në qoftë se ju mendoni se ne do veshim anti-plumbin besoj që as ju nuk jeni në planin e gazetarisë, as unë nuk po bëj politikë. Mesazhi është ky që të përcolla dhe më lartë, populli nuk është vetëm ka qartësi ka dhe njerëz që e marrin përsipër këtë çështje, për t’i drejtuar nesër në një shtet të ri.
Nuk është vetëm Shkodra që ka probleme, ka dhe rrethe të tjera, po nuk keni shkuar ndonjëherë as në Elbasan, as në Vlorë…
E kalojmë se nuk është pyetje për nivelin tënd. Mesazhi u dha nga Shkodra, kjo ishte shumë e rëndësishme, pasi atje ka kulmuar një situatë e tillë dhe mesazhi është për gjithë vendin. Sigurisht do ketë mesazhe më të forta po të këtij lloji, pra do të thotë që lidhet pikërisht atje ku problemi zien. Pse e kemi dhënë pikërisht mesazhin? Pasi Shkodra gjithmonë fatkeqësisht është gjetur e vetmuar. Në përmbytjet e fundit të Shkodrës ju e dini që Kryeministri nuk vuri këmbë më në Shkodër. Kur pati tërmet në veri të Shqipërisë, nuk shkeli, vazhdoi pushimet i qetë atje ku ishte. Atje ishte një situatë shumë e ngarkuar kriminale dhe me një tension shumë të madh, pasi ju e kuptoni më së miri se si përjetohet, Kryeministri prapë nuk është. Kryeministri ka një problem të madh. Ka frikë të përballet edhe me problemin, dhe me popullin. Por populli nuk është i vetëm dhe nuk merr frymë se ka këtë Kryeministër, por populli kërkon udhëheqje të drejtë dhe kur ajo udhëheqje e drejtë i mungon, populli duhet të gjejë alternativën e re, zgjidhjen e re që të qeveriset mirë. Dhe ne kemi shkuar atje me këtë ndërgjegje, me këtë vetëdije që ka zgjidhje, ka dritë në fund të tunelit dhe nuk do jetë Shqipëria në kthetrat e kriminelëve, por ka të gjitha mundësitë që t’i mposhti në pak kohë. Pasi kriminelët janë motivuar, sepse një pjesë e tyre ndodhet në qeveri. Po të mos kishin ata, nuk do kishin guxim të dilnin rrugëve. Si në çdo vend të botës dhe në çdo vend të Ballkanit, ku ju e dini që nuk ka situatë kriminale si në Shqipëri, ku raporti me rendin, policinë dhe gjithë instrumentet shtetërore që veprojnë, është raport i prerë. Raport lufte, kriminelët janë përballë tyre. Në rastin konkret ju e dini që kriminelët dhe policia kanë qenë në një krah dhe ju e dini shumë mirë që një pjesë e mirë e kupolës së policisë është shpallur në kërkim dhe ndodhet nëpër botë, pasi kanë bërë trafik droge për vite të tëra, ky nuk është fakt i opozitës, është i vërtetë.
Ju keni qenë pushtetar për shumë kohë dhe i dini mirë shifrat. Qeveria mbrohet me shifra…
Do t’u jap një përgjigje. Qeveria ka zgjedhur logjikën e Partisë së Punës që krahasohet me vitin 1938. Edhe duke u krahasuar gjithmonë me vitin `38, Partia e Punës në fund të viteve `90, na çoi të hanim, edhe prindërit e tu, por edhe ti se i vogël ke qenë atë kohë, bukë me tollon dhe të hanim gjysmë kile sallam në javë një familje me 6 veta. Momentin kur një qeveri e ka marrë qeverisjen në dorë dhe nuk e ka mandatin e parë, por të dytin, ka marrë përgjegjësinë të qeverisë vendin, të zbulojë kriminelët, pasi edhe në shifrën që përdori…
Po se krahasohen ata, në mandatin e parë me të dytin…
Do vijnë edhe te shifrat. Ndonëse thashë të krahasohesh me ‘38-ën, do të thotë të përfundosh te tolloni. Po të them edhe këtë gjë. Në 16 vrasje që i referohen atij viti, kam qenë në qeveri unë në atë kohë, 15 prej tyre u gjetën autorët dhe u arrestuan. Sot janë të gjitha vrasjet, janë edhe të marrë peng. Ju e dini që janë të marrë peng atje dhe nuk ka asnjë autor të arrestuar. Kaq edhe çështja mbyllet këtu. Cila është arsyeja? Dikur policia dhe krimi ishin ballë për ballë prandaj edhe zbuloheshin dhe kapeshin e arrestoheshin, sot nuk kapen, sepse policia është në krah me ta dhe nuk mund t’i arrestojë. Kanë ndarë bashkë zgjedhjet, kanë kërcënuar zgjedhësit, kandidatët dhe duke ndarë pushtetin me kriminelin, nuk i lufton dot kriminelët. Çështja mbyllet këtu dhe nuk shkon dot asnjë minutë më tepër.
Kjo kauzë ose çështje e kriminalitet do jetë pjesë e fushatës së opozitës?
Do jetë themeli politik, shoqëror dhe moral. Nuk mundet dot kurrën e kurrës të besojmë, të mendojmë që ne do kthehemi përsëri në situatën kur i lumtë partisë socialiste në atë kohë. Ju i kujtoni vitet 98-99-`00, ku pati një betejë të hapur me krimin dhe banda të tëra u zhdukën në më pak se disa muaj dhe Shqipëria u nda nga historia e bandave një herë e përgjithmonë. Rikthimi i bandave mes qyteteve tona dhe krimi i organizuar, mund të më thoni pa e luftuar këtë betejë, a mund të ketë biznes? E dini ju në Shkodër, se jeni gazetar me eksperiencë më shumë se të tjerë, që ka një sistem gjobëvënie të përjavshëm?
Cila është alternativa juaj? Nëse është kjo situatë që thoni, çfarë alternative ka opozita?
Më fal, shkoni njëherë investigoni. Alternativa e opozitës ishte pikërisht në sytë tuaj. Pra të jemi atje dhe i vetmi stimulues, frymëzues dhe mbajtësi në këmbë të kësaj situate kriminale është kjo qeveri që nuk e lufton dot krimin sepse është bërë njësh me të. Pa u larguar kjo qeveri nuk ka për të pasur zgjidhje. Pikërisht ne jemi aty për të treguar që vjedhja dhe përfshirja e kriminelëve në zgjedhje që nuk e them unë, por e thotë OSBE/ODIHR dhe tërë të tjerët dhe krijimi i situatës kriminale, po kriminalizon vendin. Kriminalizimi i vendit na ka lënë pa investime të huaja, në varfëri ekonomike dhe rrënim shoqëror, i cili i bën njerëzit tu dridhet mishi tani se erdha koha e shkollës dhe a do u blenë dot libra fëmijëve apo jo? Pa marrë përgjigje kjo situatë kriminale, çdo bëjnë, cilat janë të tjerat? Do vinë t`i venë gjobë kriminelët pronarit tuaj. Se mbron dot ti, as me kamerat e tua e as me asgjë. S`ke çfarë i bën se në qoftë se e ka zënë prej gryke me filmime, 500 lloj gjërash e batakçinjllëqe të parët e qeverisë, do thonë mbyll gojën dhe nuk i mbron dot njeri.
Megjithatë, z. Vasili kisha kohë pa parë pamje të kësaj natyre në raport me afërsinë që ju keni me PD. Ju jeni në krahun e majtë të z. Basha. Meqë ra fjala, pati ndonjë arsye të mungesë së znj. Kryemadhi?
Znj. Kryemadhi ka pasur një udhëtim jashtë vendit. Ka qenë, madje, ka drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar paradite dhe pastaj ka udhëtuar për një problem të sajën.
Ju shoh shumë pranë z. Basha. Çfarë do të thotë, që ky sezon veror iu ka bashkuar edhe më shumë me PD? Aty me thënë të drejtën ngjani si forcë e djathtë z. Vasili.
Ky nuk është lajm, pavarësisht nga dëshira jote për të ndërtuar lajm. Ti e di që unë lajmet di t`i komentojë më mirë nga ti. Unë nuk kisha se ku të rrija ndryshe, përderisa kryetari i opozitës është në krahun e kreu të Grupit Parlamentarë PD-së dhe të LSI-së.
Nuk keni të bëni me aleatë aty? Aleati më i afërt i PD-së sot është LSI-a?
Mbi të gjitha janë dy grupe parlamentare, dy grupet më të mëdha. Më i madhi është ai i PD-së dhe grupi i dytë më i madh në Kuvend është LSI.
Se shoh aty z. Mediu në radhën e dytë, që është aleat i vjetër i PD-së.
Nuk ka të bëjë me vendet. Ju e keni parë që kemi qenë krah për krahë edhe me z. Mediu. Ishte një vendosje që ai e respektonte këtë gjë dhe s`kemi pse lodhemi e komentojmë. Z. Mediu është në krah të z. Berisha, që besoj se është akoma edhe më i fuqishëm sesa ne.
Pse do të thotë që z. Berisha është më i fuqishëm se z. Basha?
Berisha është ai që është dhe ju e dini shumë mirë se çfarë është.
Vazhdon të jetë më i fuqishëm se Basha apo jo?
Berisha është z. Berisha dhe nuk është as më pak dhe as më shumë i fuqishëm se askush tjetër. Është vetvetja.
- Z. Vasili si i komentoni deklaratën e Kryeparlamentarit Ruçi, i cili u shpreh se, po ta kishit bërë publike ftesën, qoftë edhe në mbledhjen e Byrosë që ju bëtë, ku dëgjuam edhe z. Balla, i cili tha se ne nuk dinim gjë për iniciativën e opozitës. Pse nuk ia bëtë këtë ftesë mazhorancës?
Kjo është një alibi e lodhur e Gramozit për Edi Ramën. Unë mesazhin ia çova dje nga Shkodra. Shkodra, pra Shqipëria nën krim kuptoi që ka një Kryeministër që trembet nga kriminelët, sepse është pjesë e tyre. Atje u mblodhën një grup deputetësh që e quajnë veten mazhorancë, që i ngjanin një grupi deputetësh kuisling, që nuk duan të dinë për popullin. Populli i quan armiq të tyre këto lloj deputetësh. Duhet të dimë diçka. Në situata të jashtëzakonshme çfarë ndodh? Shtyhen seancat parlamentare. Po këta i kanë shtyrë seancat parlamentare se kanë vajtur me pushime. Se do shkojnë 4 vetë në Bruksel dhe 7 të tjerë në Kanada e kanë shtyrë seancën. Së dyti, për nevoja të caktuara, Kuvendi mblidhet në seanca të jashtëzakonshme. Pra, prioritare është që Parlamenti i popullit shkon atje ku ka hall populli. Dje halli i popullit ishte në Shkodër. Këta i munguan hallit dhe popullit dhe çdo alibi që bën Gramozi gjë për të cilën jam vërtet i keqardhur, sepse në moshën, eksperiencën politike dhe në atë ç’ka kontribuar, që Gramoz Ruçi merr përsipër e bën alibitë e lodhura të Edi Ramës, le t’i bëjë vetë Edi Rama. Nuk ka nevojë për Gramoz Ruçin. Kjo është fare e qartë. Shkodrës i mungon dhe nuk ka qeverisje. Ne kemi bërë detyrën. E kemi bërë shumë dhe do ta shikoni që do ta bëjmë edhe me një ritëm tjetër akoma më të fortë për ta bërë të kuptuar që qytetarët ta kenë shumë të qartë që qeverisja e tyre është njësh me krimin, që të mos kenë më iluzione dhe shpresë. Pikë. Operacionet e policisë janë kozmetikë e krimit.
- Z. Vasili, ju si opozitë do shkoni sërish në Shkodër? Media ka folur që opozita do të ketë një aksion të veçantë në këto dhjetë ditë. Çfarë do të ndodhë konkretisht?
Ne patjetër që do të shkojmë sërish në Shkodër, sepse e kemi bërë gjithmonë. Për sa i përket pyetjes suaj, do të ketë mjaft veprime politike, për të cilat sigurisht që do të ruaj diskrecionin dhe nuk do t’i zbuloj para jush.
Do të shkoni në Parlament në datë 13?
Do të ketë qëndrime të kushtëzuara me Parlamentin. Nuk do të bojkotohet Parlamenti, por sipas problematikave, sipas çështjeve që do të jenë në diskutim dhe sa kritike do të jetë ato, do të adaptojmë pozicione të caktuara, qëndrime të plotë, qëndrime të pjesshme. Pra, do të ketë një qëndrim jo vetëm shumë aktiv, por edhe shumë të veçantë edhe nga mënyra e demonstrimit publik.
Për Ligjin për Teatrin çfarë qëndrimi do të mbajë opozita në rast se mazhoranca rrëzon Dekretin e Presidentit?
Kam përshtypjen që nuk do ta rrëzojnë Dekretin e Presidentit. Që në shkurt të 2016-s, pra dy vjet e gjysmë përpara, është një nismë për ata që po shkatërrojnë vendin dhe ajo quhet: Nisëm për të ndryshuar Ligjin e Koncesioneve, nismë e LSI-së. Ka filluar prezantimi i kësaj nisme nga unë personalisht në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese dhe me urdhër politik u ndërpre, sikurse nuk ka ndodhur në asnjë procedurë parlamentare. Gramoz Ruçit unë i kam bërë një letër të gjatë për Ligjin e Koncesioneve. Letër, e cila ka dalë, është bërë edhe publike dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Arsyeja, sepse kjo nismë cenonte dhjetëra koncesione që u dhanë dhe po jepen edhe aktualisht, që kanë një shifër prej qindra milionë euro. Kjo vetëm që të mos pengoheshin sepse shfaqja në Parlament, debati parlamentar do të tregonte se çfarë hajdutllëku qeveritar bëhej. Tani ky parlament po zbaton një standard të tillë mizerabël, i cili bllokon nismat në mënyrë të prerë edhe kur kërkohen me insistim. Ka ndodhur edhe diçka tjetër, po në drejtimin e këtij kryetari Parlamenti. Është vendosur që parlamenti të marrë në shqyrtim dhe të çojë në komisione amendamentet e opozitës, i kanë refuzuar dhe s’kanë pyetur as për vendimin e parlamentit, i cili është urdhër i padiskutueshëm kushtetues për veprim.
Çfarë mendoni se do ndodhë konkretisht me Ligjin për Teatrin?
Unë nuk e di se ç’do të ndodhë konkretisht. Se e pamë Taulant Ballën në Parlament që bëri humor me opozitën në Shkodër, kurse kryetari i tij i Parlamentit thoshte që do ishte mirë që të ishte mazhoranca atje. Tani këta që një i bie gozhdës e tjetri patkoit, këto janë tamam një mazhorancë e shpërbërë, moralisht e politikisht. Prandaj, ç’flet njëri, nuk flet tjetri. Dhe për Ligjin e Teatrit, kujt t’i referohem? Gramoz Ruçit, apo të dëgjoj Ulsi Manjën. Pra, procedurat parlamentare janë të paqarta.