Kryedemokrati Lulzim Basha pasi publikoi videon e plotë të rrëfimit të oficerit të policisë Emiljano Nuhu ku ka zbuluar detaje tronditëse në lidhje me përdhunimin e shtetases Xhensila Maloku, i bëri thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë dhe të mos heshtin. Oficeri rrëfen se e reja është rrëmbyer dhe kërcënuar me armë nga djali i deputetit të PS Rrahman Rraja dhe në momentin që ka dashur të bëjë kallëzim në polici, oficerët nuk ia kanë pranuar pasi është njoftuar deputeti i PS-së së bashku me të vëllanë dhe në sy të oficerëve e kanë nxjerrë nga komisariati ku e ka kërcënuar duke i vënë pistoletën në bark për të mos folur.
Për këtë oficeri tregon se vetë deputeti i ka kërkuar të zhdukë të gjitha dokumentet dhe provat. Ndërkohë gjatë hetimit të tij ai është kërcënuar se do ta vrasin dhe për këtë ka pasur dijeni dhe shefi i komisariatit.
Apeli i Lulzim Bashës:
“Një vajzë e pambrojtur është rrëmbyer, përdhunuar në mënyrë sistematike. Është një krim monstruoz. Është një krim shtetëror. Para drejtësisë duhet të dalë përdhunuesi, por edhe pushtetarët. Kryebashkiaku Artur Roshi, deputetët Rrahman Rrahja dhe Taulant Balla. Para ligjit të dalin edhe të gjithë ata që mbrojtën këtë krim, nga policia deri te prokuroria. Ky krim i rendë kundër njeriut i mundësuar nga funksionarë më të lartë të shtetit është një kambanë alarmi. Tashmë jeta e çdo shqiptari është në rrezik. Ju bëj thirrje shqiptarëve , grave dhe vajzave ta ngrenë zërin. Vetëm forca e njerëzve të bashkuar mund ta mposhtë diktaturën e krimit. Ju bëj thirrje komunitetit shqiptar të mos mbyllë sytë por të reagojnë. Heshtja dhe iluzionet e rreme mundësuan drogën dhe krimin. Kur shtetin e kap krimi, qytetarëve u mbetet të ngrihen me të gjitha mënyrat”