Presidenti Meta takon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, António Guterres

Saturday, 29 September 2018 11:19

Gjatë qëndrimit në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi një takim të veçantë me Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres.

Presidenti Meta vlerësoi edhe njëherë lidershipin e zotit Guterres në përpjekjet e tij për të reformuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe për të avancuar Agjendën 2030.

Presidenti Meta e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm Guterres se Shqipëria i mbetet besnike parimeve themelore të Organizatës dhe mbështet diplomacinë parandaluese në dobi të paqes, sigurisë, zhvillimit të qendrueshëm ekonomik dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Presidenti Meta, nënvizoi qëllimin kombëtar të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE dhe rëndësinë që i gjithë rajoni, në frymën e integrimit të tij europian, të forcojë bashkëpunimin rajonal.

“Shqipëria, – nënvizoi Presidenti Meta, “po luan një rol të rëndësishëm konstruktiv në rajon dhe ambicia e saj për të qenë anëtare e Këshillit të Sigurimit për vitet 2022-2023 do të jetë vazhdimësi e kontributit të saj në interes të paqes e sigurisë rajonale e globale dhe një zë përfaqësues i rajonit tonë në këtë organizatë të rëndësishme”, tha Meta.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm Guterres, e vlerësoi rolin shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e projekteve zhvillimore në Shqipëri dhe në rajon.

Login to post comments