Lëvizja Socialiste për Integrim është treguar indiferente ndaj ftesës së mazhorancës për t’u kthyer të enjten në Kuvend për lojërat e fatit.
Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, i ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, shprehet se nuk e sheh serioz Ramën në nismën për mbylljen e kazinove dhe basteve sportive, si dhe tregon bisedën e hershme me Ramën ku i siguroi votat e të gjithë deputetëve të LSI-së.
“Nuk kam fare ndërmend t’i përgjigjem as Taulant Ballës, aq më pak Edi Ramës, sepse e gjitha është një tollovi dhe propagandë e shtyrë në kohë. Jam prononcuar që në 2016. Këta të dy janë bërë si shpirtra binjakë, se i ka bashkuar halli. Me 31 dhjetor 2016 i kam thënë Edi Ramës të fusë në seancën e parë të janarit ligjin përkatës dhe e kam garantuar jo vetëm për mbështetjen e plotë, por i kam thënë se në rast se një nga anëtarët e grupit parlamentar të LSI nuk do ta votonte do të përjashtohej nga grupi. I kam bërë dhe një thirrje në fund: Uroj të kesh bërë të gjithë votat e deputetëve të tu bashkë që ta kalosh. Tani kryeministri nga karagjoz bëhet serioz. Pse nuk ndodhi 3 vjet, se edhe është ankuar”, shprehet Vasili.
Sa i përket presioneve që, sipas Ramës po u bëhet deputetëve socialist me mesazhe nga burgu, Vasili u shpreh: “Pse nuk shkojnë dhe i denoncojnë në prokurori meqë vinë dhe nga burgjet. Burgjet a i administron kjo qeveri. Sms vinë nga burgjet, do të thotë se paska celularë në burgje.Pse ka frikë, të bëjë fije fije burgun. Pse nuk është shkarkuar drejtori i burgut 313? Ky është prishur nga mendtë e kokës.Burgu nuk është në dorë të Perëndisë. Nga kush trembet Kryeministri?”