Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar në lidhje me ngjarjen skandaloze, e cila është vërtetuar nëpërmjet videos së publikuar se ndryshe nga seç pretendon prokuroria protestuesit e arrestuar të Rrugës së Kombit janë rrëmbyer në mes të natës dhe dokumentet e prangosjes së tyre janë falsifikuar. "Ky nuk është më turp, por krim! Policët, prokurorët dhe eprorët e tyre, që shoqëruan në mes të natës dhe i ndaluan në mes të ditës, duke falsifikuar letrat, duhet të ishin në burg! Transmetimet vizive në media, provojnë se arrestimet janë bërë natën! Ndërkohë me letra ato janë arrestuar ditën! Çfarë shteti! Av. Altin Goxhaj ka bërë një punë të shkëlqyer denoncuese me prova të qarta! Falsifikimi i Dokumenteve, rrëmbimi i personit, arrestimi i paligjshëm heqja e paligjshme e lirisë, janë vepra penale. Të gjitha këto vepra janë kryer në bashkëpunim dhe në shkelje të rëndë të detyrës publike! Gjykatësja e Kukësit që gjykoi në Tiranë, jashtë rregullave, nuk mund të jetë më gjykatëse! Ka humbur çdo test të Vetting-ut! Ka legalizuar shkeljen e lirisë së personit dhe ka dhunuar vetë lirinë kushtetuese të qytetarëve! Ligjërisht ata që mbahen në mënyrë haptazi anti-kushtetuese duhet të ishin të lirë. Në vendin e tyre duhet të ishin dhunuesit publikë! Ky është krim shtetëror! I pastër fare! Rilindja nuk njeh më ligj! Mbase ka zot..."shkruan ndër të tjera Manjani.