Erion Veliaj tashmë është ministri i propagandës së qeverisë së Edi Ramës. Kur po e mbyll mandatin si kryetar bashkie, gjëja e vetme ku ka shkëlqyer është që nuk ka kryer detyrat funksionale të vetat, por ama nuk ka lënë ditë pa qenë i pranishëm në televizione. Qeverisjet e social-komunistëve në të gjithë botën, propagandën kanë parametrin e parë të aktivitetit të tyre. Të tjerat janë gjëra pa rëndësi. Kështu, Veliaj tashmë është bërë shumë i lexuar. Skenaristët e tij të propagandës janë vjetruar po me ato pamje që përsëriten ditë pas dite po me të tjerë njerëz. Në thelb Veliaj i ka thënë të gjitha e nuk ka çfarë të thotë më. Si pasojë e kësaj, ka hyrë në fazën e rrezikshme të monotonisë, e cila e ka rrëmbyer tashmë e nuk e lë më të jetë i lirë. Gati kjo formë propagande dihet edhe pa dalë Veliaj. Përveç shfaqjeve të përditshme e të përsëritshme me fëmijë, së fundi Veliaj ishte edhe në Baldushk, te tregu i gjelave. E ka bërë gjithnjë këtë. I rekomandoi qytetarëve edhe se çfarë gjeli duhej të hanin, duke bërë edhe një llogari në euro, që ngado që ta merrje nuk dilte fare. I bëri miliona euro Erioni me të njëjtën llogari si fiqtë dikur.