Hallet e 17 janarit dhe një flamë që po na largon nga Evropa

E Enjte, 17 Janar 2019 15:49

Nga Ilir Nikolla

 17 janari shenjon përvjetorin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, mbylljen e kremtimeve dështuese të qeverisë për Vitin e Skënderbeut, por sot regjistroi edhe një alarm tjetër se Shqipëria po i largohet Evropës, dhe nuk po i afrohet asaj.
Ministri i jashtëm holandez e tha qartë se Shqipërisë do t’i kërkohen standarde si të ishte vend anëtar i BE-së, në mënyrë që të hapen negociatat, ndërsa pasdite, pritet të jetë në Tiranë Komisioneri Evropian për Negociatat e Zgjerimit dhe Politikën e Fqinjësisë, Johannes Hahn, prej të cilit presim veç karamele të gënjeshtërta si dhe lobing për interesa që në rajon i konvenojnë vetëm Serbisë.

Marrëdhëniet e shqiptarëve me Evropën s’ka pse të mos vihen në krye të agjendës ditore, çdo 17 janar, por nëse pas rezistencës së Heroit Kombëtar erdhi shkulja e Arbërisë nga Evropa, këto 17 janarët e “kohës së Edi Ramës” regjistrojnë bllokadë pas bllokade të ndalimit të aspiratës për t’iu kthyer trungut të qytetërimit të cilit i përkasim.
Dhe fajin nuk na e kanë të tjerët. Shndërrimi në një vend që eksporton klandestinë, azilantë, trafikantë dhe “mall” me shumicë, nën bekimin e qeverisë vendore s’mund të tolerohet. Por edhe rreziqe të tjera po vijnë nga Shqipëria. Në një investigim të kohëve të fundit të mediave italiane lidhur me fatin e mbi 40 mijë “foreign fighters” që kanë ikur nga Siria dhe Irani, shtetet evropiane kishin statistika lidhur me adresat dhe fatin e këtyre “bombave” potenciale, por theksohej me dëshpërim se s’kishte statistika se ç’bëhet me rreth 300 “luftëtarët” shqiptarë që janë kthyer në Ballkan dhe s’dihet nëse kanë “emigruar” në Evropë apo jo.
I gjithë ky eksportim rreziku, kjo pamundësi për kontrollin e territorit, së bashku me rrënimin përfundimtar të standardeve të demokracisë ka shuar totalisht shpresat që procesi i çeljes së negociatave do të lëvizë përpara.

Por kryeministri ka halle të tjera këtë 17 janar. Qeveria e tij zombie s’po funksionon as si koperturë, statistikat e ekonomisë raportuan për rënien e importeve me 20 përqind vetëm në muajin dhjetor, çka flet për një varfërim të shpejtë të qytetarëve, por veçanërisht të bizneseve të vogla e të mesme, kurse prognoza për një përplasje civile po bëhet thuajse një ngjarje e sigurtë.

Hallet e 17 janarit duhet të jenë prioritare për shqiptarët dhe të lënë në ngushticën e vet hallet private të kryeministrit në ikje. Meqenëse hallet e shqiptarëve orientohen kah përshpejtimi drejt Evropës, sepse vetëm aty mund të themi se ata s’do kenë të bëjnë më me një shtet që u bie në qafë, duhet bërë çmos që të largohet nga skena edepsëzi që po na e rrënon aspiratën për shkak të pushtetit të tij. Përplasja civile është në rendin e ditës dhe paradoksalisht, ky hall I 17 janarit është edhe në listën e qytetarëve, edhe të kryeministrit.

Modifikuar më E Enjte, 17 Janar 2019 15:59
Login to post comments