Komisioni Ligjeve diskuton sot dekretin e Presidentit për “Kadastrën” i kthyer nga Presidenti Meta në Kuvend. Gjatë raportimit në komision, Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i presidentit Meta tha se ligji cenon parimin e sigurisë juridike dhe se titujt e pronësisë nuk mund të jenë e drejtë e kadastrës.
“Krijohet tension kushtetues, nuk janë në përputhje me jurisprudencën. Bie ndesh me dispozitat civile të Kodit Civil. Ligji cenon parimin e sigurisë juridike që ofronte ligji i mëparshëm. Saktësimi i titujve të pronësisë nuk mund të jetë e drejtë e kadastrës”, tha Dervishaj.
Nga ana tjetër deputetja socialiste, relatorë e ligjit Klotilda Bushka tha se pretendimet e presidentit nuk qëndrojnë, raportoi për “BalkanWeb” gazetari Ergys Gjençaj. “Siguria juridike ka të bëjë me garancitë që i jepen qytetarëve”, tha Bushka.
Sipas saj, do duhen bërë ndryshime për afatet për hyrjen në fuqi për ligjin e kadastrës.
“Duhen bërë rregullime në dispozitat kalimtare. Propozojmë miratimin e dekretit të presidentit dhe të bëjmë ndryshime në disa nene të ligjit”, tha ajo.
Ndërkaq deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se me ligjin që ka miratuar maxhoranca nuk rikthen pronën.
“Problemi është se si koncepton Edi Rama shtetin, gjithçka në dorën e tij. Me ligjin që keni miratuar nuk riktheni pronën. Në 6 vjet jeni tallur me shqiptarët.
Pasi mbyllni gjykatën kushtetuese vazhdoni te shkatërroni të drejtën pronësore në mënyrë brutale”, u shpreh Bylybashi.
Deputeti i PD tha se ky ligj tregon konceptin që ka maxhoranca për të drejtat themelore të shqiptarëve që mund t’i merrni dhe jepni sa të doni.
“Më pas këto janë probleme të karakterit që askush nuk i pranon, themelore. Parimi i të dhënave institucionale është kushtetues, nuk mund t’ua lini autoritetit tuaj të mbrojtjes së të dhënave.
Keni marrë përsipër në ligjin tuaj, në konceptin tuaj se si mund të grabisni pronën. I jepni të drejtën këtij institucioni të hyjë tek titujt e pronësisë.
I thoni qytetarëve ‘unë po ta gris këtë vendim dhe po ta saktësoj si dua unë’. Keni krijuar një ALUIZN tjetër. Në babëzinë tuaj shkoni dhe më larg, në një gjë që është shumë keq, siç është saktësimi i titujve të pronësisë, e bëni gropë deri në fund. Nuk mund të ketë titull që ka në dorë qytetari që t’iu vijë përballë. Të këput titulli i ri i pronësisë. Ajo letër që ka ai nuk vlen. Kështu më doli mua nga sateliti e do ta marrim. Harroni që Gjykata Kushtetuese që ka ndërhyrë dy herë kur ne me qëllim të mirë donim të shfuqizonim titujt korruptivë, jo tha Gjykata.
Cenoni të drejtën e individit, hallexhiut. Gjë më të rrezikshme se kaq për të drejtën e pronësisë nuk ka. Sigurisht ky është koncepti i shtetit tipikisht i majtë, që njerëzit janë në funksion të shtetit. Gjykata Kushtetuese nënvizon rëndësinë që ka regjistri i pasurive të paluajtshme. Nëse nuk e respektoni këtë, Kushtetuesja do ua kthejë mbrapsht”, deklaroi Bylykbashi.
Në fakt Partia Socialiste vendosi të rrëzonte dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për noterinë por vendosi të rishikojë ligjin për kadastrën.
Kreu i Shtetit dekretoi kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij por më pas kreu i ALUIZNI-t Artan Lame e quajti të paargumentuar kthimin nga Presidenti. Lame deklaroi se në 14 faqe të Presidencës kundër ligjit nuk kishte asgjë dhe asnjë argument.