Rama, një hajdut që përpiqet të mashtrojë gjykatësin popull

E Enjte, 21 February 2019 20:47

Edi Rama sot doli para kamerave sikur të ishte opozita dhe jo kreu i një qeverie të kapur në blerje të vullnetit të popullit (blerja e votave), dhe jo kreu i një qeverie që vendosi në krye të ministrisë së Brendshme njeriun që e mbolli dhe e njohu Shqipërinë si vendi i kanabisit, dhe jo si kreu i një qeverie që eksponentët e partisë iu arrestuan të zënë gafil në telefonata me krerë të bandave, duke liruar kriminelë.
Sot, Edi Rama foli sikur të ishte në opozitë dhe jo ai kryetar Partie që në listën e deputetëve iu ofroi shqiptarëve më shumë se 10 deputetë ish-trafikantë vajzash e grash shqiptare. Rama u doli në mbrojtje dhe nuk e pranonte, por një nga një, ata u larguan nga Parlamenti me ligjin e dekriminalizmit të propozuar nga Partia Demokratike. Vetëm nga parlamenti u larguan pasi nga partia Rama nuk i ka hequr ende, njëri drejton PS-në në Lezhë, tjetri në Kavajë, tjetri mori arratinë, e të tjerë mbushin kutitë e votimit sa herë që popullit i kërkohet të shprehë vullnetin e lirë për të zgjedhur.
Në fjalimin e tij të gjatë pa pika, vetëm me presje (stil që e bën atë të jetë edhe më i pakuptueshëm në atë që thotë që njerëzit të fokusohen vetëm te aktrimi viktimizues) Rama u tregua opozitari që i dhimbsen taksat e shqiptarëve kur ato ikin në xhepat e pseudo firmave që kanë fituar tenderët e ilaçeve, tenderët e dializës, tenderët e akcizës së gazit, tenderët e rrugëve 2.2 milionë euroshe për kilometër. Rama bën sikur të ishte opozitari që po të ishte “Rama qeveritari” do ti kishte thënë jo dhënies me koncension të Check-up të famshëm. Po koncensionet të monitorimit online të bizneseve, që u shton barrën tregëtarëve? Edhe për këto do të thoshte që nuk i kam miratuar.
Për ato që përmendim më lart, por edhe ato që i kemi lënë pa përmendur, Edi Rama nuk është opozitari i pakënaqur, këtë e dinë shqiptarët. Rama është njeriu që duhet të punonte për të rritur rrogat, pensionet, për të ulur taksat, për të na integruar në BE, për të hapur ato 300 mijë vende pune, që minimumi do të kishte mbyllur ato pak metra rrugë të mbetura nga qeverisja e Berishës në 2013-ën. Rama nuk është opozitari, por qeveritari që duhet të garantonte biznesin të ushtronte aktivitetin e lirë, pa monopole që i marrin frymën tregëtarit dhe pa taksidarë që i marrin edhe fitimin më të fundit.
Rama nuk është opozitari që qaravitet para kamerave kur populli e rrethon, por ai arroganti që kur e ndjen forcën e pushtetit e thotë duke qeshur se shtëpitë e Bajromit dhe Hasonit në Unazë do të shkatërrohen. Kjo është fytyra e vërtetë e tij./ Redaksionale 55news.al

Modifikuar më Premte, 22 February 2019 09:43
Login to post comments