Nga Fatmir Guda
Protestat e opozitës së bashkuar, sidomos ato kombëtare organizuar para kryeministrisë, sa vijnë dhe shënojnë shifra rekord të pjesmarrjes qytetare. Dhe kjo mesa duket e ka vënë në alert pushtetin e Edi Ramës, i cili sigurisht s'mund të rrijë duarkryq e të bëjë sehir, sesi kjo mase në rritje protestuesish mund t'i shndërrohet në një rrezik potencial që do t'i sillte fundin e tij të menjëhershëm. Shantazheve nëpërmjet burgosjeve politike të protestuesve, zhvillimi i antimitingjeve nëpërmjet të ashtuquajturit turn "bashkia që duam", blerjeve apo shantazhimit të kandidatëve të listës plotësuese për të zënë vendet bosh pas djegies së mandateve parlamentare nga opozita, presioneve me largimet nga puna për cilindo të punësuar në administratë, që do merrte pjesë në protestat e opozitës, nuk mund të mos i shtohej dhe përdorimi i mjeteve propagandistike si mediat dhe rrjetet sociale. Është fakt i njohur vëmëndja dhe investimi i pushtetit të Edi Ramës në ngritjen e një rrjeti të mirëfilltë propagandistik që funksion si struturë e posaçme qeveritare. Nëpërmjet tyre orë e çast krijohen e shpërndahen lloj-lloj diversionesh apo teorish konspirative me fokus kryesor goditjen e besueshmërisë tek lidershipi opozitar. Marifeti i fake news-eve mori të tjera përmasa pas djegies së mandateve nga ana e opozitës, e cila midis të tjerave me këtë akt të papreçedentë dogji edhe mundësinë e Edi Ramës për ta keqpërdorur sy për sy, sa herë ta kish të nevojshme paraqitjen e Lulzim Bashës si ende të përfshirë në marrëveshje të fshehtë, propaganduar në gjoja vijimin e paktit të 17 Majit të 2017. Trafikimi i lajmeve të reme dhe ndërtimi i legjendave urbane prej komentesh apo opinionesh bazuar mbi po këto lajme të paqëna i serviren publikut për ta dekurajuar atë, që të mos i bashkohet aksionit opozitar. Ndërkaq është për tu vënë re, se edhe pse është pothuajse vetëm një hap larg rrëzimit, vetë Rama dhe propoganda afër tij në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk heqin dorë së përpjekuri të deklarojnë me vendosmëri mbylljen deri në fund të këtij mandati 4 vjeçar dhe çuarrjen e opozitës për skrap, sikurse mjaft evidente është orvatja e tij nën presionin e padukshëm dhe të shtuar të ndërkombëtarëve për t'i ofruar bashkëpunim opozitës për bashkëhartimin e reformës zgjedhore si një kusht edhe për çeljen e negociatave. Në këtë çakërdisje qëndrimesh dhe situatë kontraverse kryeministri nuk sheh alternativë përveçse intensifimin e një batareje sulmesh propogandistike, jo vetëm për të goditur besueshmërinë e lidershipit të opozitës, por edhe për të krijuar krisje midis koalicionit opozitar. Pjesë e tyre janë trafikimi i fakenews-eve mbi gjoja takime të fshehta të Lulzim Bashës me Edi Ramën jashtë Shqipërisë; fabrikimi i tezave qesharake për lidhje të PD me Rusinë; lajmet për plotësimin me shkelje syri të Ilir Metës të mandateve të djegura në parlament nga LSI; keq interpretimi i deklaratave të kryetarit Basha për një kod të ri zgjedhor dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave për kryebashkiakë dhe deputetë, si gjasme tentativë e PD për të hyrë në zgjedhjet lokale të 30 Qërshorit etj etj. Dhe si për t'i dhënë një shuplakë të fortë këtyre sponsorizimeve përçarëse ndaj opozitës, ka ardhur deklarata e vendosur e kryetares së LSI Monika Kryemadhi, se forca e saj politike në zgjedhjet e afërta parlamentare do të kandidojë në të njëjtin koalicion opozitar me PD. Gjithsesi, pakënaqësia në rritje ndaj keq qeverisjes dhe skandalet pafund, që po e implikojnë mazhorancën me aferat korruptive dhe lidhjet me botën e krimit, reflektuar kjo dhe në sondazhet e publikuara së fundmi, të cilat flasin qartë për një epërsi të dukshme të opozitës, janë mjaftueshëm shkaqe që po sjellin progresivisht një situatë revolte gjithmonë e më të shpërthyese në të gjithë vëndin dhe që po të bëjnë nul komplet propagandën antiopozitë të pushtetit të "rilindjes".