"Bregu i Lumit"/ Berisha poston videon, vlerëson guximin e banorëve kundër pushtetit të dhunës

Hënë, 08 Prill 2019 18:04

Banorët e Unazës së Re që prej 5 muajsh protestojnë dhe janë përplasur me policinë në mbrojtje të banesave të tyre në zonën e njohur si Astiri, i janë bashkuar protestës që po zhvillohet sot nga disa dhjetra banorë në zonën e Bregut të Lumit.

Banorët e Unazës së Re kanë marshuar në drejtim Bregut të Lumit për të mbështetur familjet që sot po mbrojnë shtëpitë e tyre në këtë zonë, nga një projekt pothuajse i njëjtë i Bashkisë së Tiranës, që edhe këtu synon të shembë banesat.

Në të dy rastet banorët kërkojnë dëmshpërblim të banesat, ndërsa mungon komunikimi nga ana e institucioneve që më kollaj kanë të krijojnë përplasjet dhe të përdorin policinë, sesa të diskutojnë dhe gjejnë zgjidhje me familjet që preken.

Gjatë paradites së sotme në zonën e Bregut të Lumit pati një agravim të situatës, ndërsa policia, përfshi edhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, u angazhuan në një aksion për të nxjerrë jashtë banorët dhe për vijimin e projektit.

Por rezistenca e banorëve, të cilët përdorën edhe mjetet rrethanore në mbrojtje të banesave, duket se ndali ndërhyrjen e mëtejshme.

Në mbështetje të banorëve kanë shkuar ish-deputetë të opozitës, që e kanë cilësuar si të jashtëligjshme mënyrën sesi bashkia po tenton t’u shembë shtëpitë qytetarëve.

Ish-deputetë të opozitës i kanë kërkuar qytetarëve që të mbrojnë shtëpitë e tyre me çdo mjet, në kushtet kur shteti ka rënë dhe gjykatat nuk funksionojnë.

Ish- Kryeminsitri Sali Berisha e përshëndeti  reagimin q qytetarëve ndaj dhunës së pushtetit të Ramës. Duke postuar këtë video, Berisha shkruan:

"Nderim qytetareve te Bregut te Lumit qe me guxim mbrojne banesat e tyre nga Edvin Urrejtesi dhe Lal Plehu, qe duan t'ju rrenojne shtepite pa demshperblim! Ju lumte! sb"

Login to post comments