Berisha: Avokati i Ramës, administrator i firmës që ruan aeroportin

E Enjte, 11 Prill 2019 18:11

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar sërish në lidhje me grabitjen spektakolare të 10 milionë eurove në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.

Berisha risjell në kujtesë një status të tijin në 2 korrik 2016, pasi edhe atë kohë po në pistën e avionëve në Rinas do të ndodhte një tjetër grabitje po kaq spektakolare.

Sipas ish kryeministrit, heshtja aso kohe dhe tani e kryeministrit Edi Rama lidhet me faktin se administrator i ICTS, kompania që merret me sigurinë e aeroportit “Nënë Tereza” është njeri i afërt i tij. Madje edhe policia, pavarësisht arrestimeve të kryera aso kohe brenda personelit të ICTS, emrin e administratorit Eno Bushi nuk e ka përmendur në asnjë komunikatë të saj.
 

Mes ish kryeministrit Berisha dhe Eno Bushit ka patur një përplasje edhe në vitin 2014. Berisha e akuzonte Bushin se ka ndihmuar pilotin italian Giorgo Riformato (piloti që u dënua për avionin me drogë në Divjakë), të kalonte në aeroport.

Postimi i plotë i ish kryeministrit Sali Berisha:

Miq, ju ftoj rilexoni kete status te dt 2 korrik 2016 per te kuptuar me mire superskandalin!

Status Jully 2 2016

Ja pse hesht Edi Rama per vjedhjen klamorize ne pisten e aeroportit te Rinasit

Te dashur miq, rrjetet sociale kane gjetur njerin nga shkaqet kryesore te heshtjes se Edi Rames per grabitjen e nje kuintal eurove ne pisten e aeroportit te Rinasit!

Ekskluzive -Fakte/ Grabitja në Rinas, avokati i Ramës administratori i firmës që ruante aeroportin

Dy ditë më parë, një grabitje spektakolare si në filma ndodhi në aeroportin e Rinasit, në pistën e avionëve. Tre persona të maskuar arritën të hynin dhe të dilnin me lehtësi nga aeroporti i Rinasit edhe pse një ditë përpara ngjarjes policia kishte shtuar masat e sigurisë për shkak të sulmeve terroriste në Turqi. Autorët arritën të prisnin bravën e derës hyrëse në pistë dhe në mënyrë të çuditshme alarmi nuk funksionoi. Pasi hynë brenda, grabitësit morën paratë nga makina e kompanisë të sigurimit “Nazeri 2000” që po i transportonte në avion dhe u larguan. Ata dogjën makinën disa kilometra më poshtë, për të humbur gjurmët.

Policia e Tiranës në një dalje për shtyp, akuzoi kompaninë e sigurimit ICTS si përgjegjëse për ruajtjen e hapësirës brenda dhe jashtë pistës së avionëve.

“Sa më sipër, theksojmë se perimetri i jashtëm i aeroportit, patrullimi nga brenda i perimetrit të aereoportit, portat hyrëse të tij, vendpushimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe salla e kamerave CCTV, janë përgjegjësi direkte e kompanisë ICTS, e cila është kontraktuar nga TIA (Tirana International Airport)”, tha dje Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.

Grabitja në Rinas/ Hijet e Skandalit të cojnë tek kryeministri

Citynews bëri një kërkim për kompaninë ICTS dhe rezultoi se administratori i saj është Eno Bushi, jurist i Partisë Socialiste në KQZ dhe avokat i kryeministrit Edi Rama.

Eno Bushi në Gjykatën e Apelit në Tiranë më përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste në KQZ

Sipas ekstraktit të mëposhtëm të QKR-së, kompania ICTS është themeluar në vitin 2009. Eno Bushi rezulton ta ketë marrë detyrën e administratorit të kompanisë ICTS në Mars të vitit 2013, disa muaj përpara se “Rilindja” të vinte në pushtet.

Një fakt tjetër interesant që ngre dyshime të forta është heshtja e qeverisë dhe autoriteteve përkatëse për administatorin e kësaj kompanie, Eno Bushi. Policia ka arrestuar 5 punonjës të aeroporti si të dyshuar, nga të cilët 3 prej tyre ishin punonjës të ICTS, por në asnjë rast nuk e ka përmendur emrin e Bushit, si administratori i kompanisë ICTS dhe përgjegjësi ligjor i saj.

Skandali i grabitjes ka mbetur në “oborrin” e Partisë Socialiste ku një “Rilindas”, jurist i partisë dhe avokat i kryeministrit Rama, është administrator i kompanisë ICTS. Tre punonjës të kësaj kompnaie u arrestuan si të dyshuar për grabitjen e parave në aeroport, por çuditërisht, administratorit Eno Bushi, i cili është përgjegjësi kryesor ligjor i kompanisë ICTS policia nuk ia përmend emrin në asnjë rast.

Në vitin 2014, Bushi është përplasur me ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi ky i fundit e akuzoi atë se ka ndihmuar pilotin italian Giorgo Riformato (piloti që u dënua për avionin me drogë në Divjakë), të kalonte në aeroport. Në atë kohë Bushi i kallëzoi në prokurori ish-kryeministrin për shpifje, duke kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim për dëm moral./Citynews

Më poshtë ekstrakti i kompanisë ICTS në QKR

Image

Login to post comments