Ish-eurodeputetja Doris Pack ka qënë sot e pranishme në aktivitetin “Qytetarët dhe zëri i tyre në mbrojtje të trashëgimisë”, ku ka apeluar të ruhen vlerat kulturore, siç është edhe Teatri Kombëtar, që do të shembet për t’ja lënë vendin një projekti të ri.
Duke u pozicionuar në krahë të artistëve që protestojnë Pack apeloi për reflektim nga ana e kryeministrit Rama. Ajo tha se qytetarët shqiptarë do të duhet të ishin shprehur me anë të një referendumi para se të merrej vendimi për shembjen e tij.
Pack tha ndër të tjera se: Ajo që më tërbon është që Komisioni i Parlamentit Europian në Shqipëri, duke qenë se viti 2018 ishte viti i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, nuk ndërhyri për këtë çështje”.
Ajo nuk e kurseu një thirrje edhe për ambasadorët. “Kam një apel për të gjitha Ambasadat dhe ambasadorët se ata duhet të jepnin përgjigje se çfarë do të bënin për të njëjtën çështje në vendet e tyre”, ka thënë Doris Pack.
Pavarësisht se u shpreh që nuk donte të ndërhynte në politikën e brendshme shqiptare, Pack tha se me rastin e teatrit po thyhet çdo normë morale.
“Nuk e kuptoj kush është i interesuar ta prishë. Më lejoni t’i dërgojë një mesazh kryebashkiakut që është zgjedhur për të mbrojtur mirëqenien e shqiptarëve, nuk e kuptoj se si mund ta lejojë kryeministrin t’ja heqë teatrin qytetit. Kjo nuk është morale, po thyhet çdo normë morale. Janë disa njerëz që duan ta marrin dhe të ndërtojnë disa ndërtesa të larta. Kundrejt tyre ka edhe disa njerëz që duan ta ruajnë. Kryeministri ka dhunuar jetën tuaj. I bëj apel ta rishohë me një tjetër sy këtë çështje. Nuk jam këtu si një politikane partiake, por se më pëlqen vendi juaj. Ndaj i bëj apel të kuptojë ndjenjat e artistëve, qytetarëve që e kanë votuar dhe të kuptojë se qëndrimi çdo ditë përpara këtij teatri do të thotë qendresë për të ruajtur shpirtin e Tiranës”,- vijoi ajo.