Nga Ilir Nikolla
Ligjërimi i Edi Ramës dhe Erion Veliajt dy ditët e fundit e ka hequr atë cipën e politikanëve që kërkojnë kompromis por kompromisi po u pamundësohet dhe është zhveshur në versionin e thjeshtë: “me 30 qershor ta çojmë opozitën në shtëpi”. Më qartë se kaq s’bëhet. Rama dhe Veliaj nuk durojnë dot më të kenë as opozitë në rrugë, pasi opozitën e vërtetë në parlament kishin kohë që s’e duronin dot dhe e kishin braktisur parlamentin si një vend pa zot. I fortë me kandidimin, Erion Veliaj shpalli sot objektivin e mazhorancës: “ta heqim opozitën nga rruga e nga jeta politike, ta çojmë në shtëpi”. Deklarata i bënte jehonë qendrimit të Edi Ramës në Korçë, të cilëve mbështetësve të vet të tulatur dhe të strehuar në një lokal larg mexhlisit që ishte marrë në zotërim nga protestuesit, u tha për t’u dhënë gajret: “duroni deri me 30 qershor, se pastaj do ta kemi të gjithë pushtetin dhe do ta shohin ata që protestojnë se ç’do t’i gjejë”.
Grishja për përplasje civile me 30 qershor tashmë është një grishje e anës që pasi konsumoi grushtin e shtetit për marrjen e institucioneve më 2017-n, tani po kërkon përmbylljen e puçit me largimin nga jeta politike të çfarëdolloj faktori opozitar dhe lënien në publik vetëm të teatrit të kukullave. Sa më e turpshme gjendja e kontrollit të territorit për kryeministrin Rama, aq më e qartë retorika se pas 30 qershorit, në Shqipëri do të mbizotërojë veç Edvin-izmi. Kjo kastë s’ndalet jo veç në frontin e brendshëm. Prej kohësh, e ka hequr cipën edhe në marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Kërcënimi që i bëri Edi Rama presidentin të Maqedonisë së Veriut, se shqiptarët janë faktori kryesor i stabilitetit në vend, duke aluduar se shkëputja e Maqedonisë nga Shqipëria në rrugëtimin drejt Brukselit do të thoshte gjithashtu edhe bllokim i vetë Maqedonisë, pritet ta japë ndikimin e vet në ditët në vijim. Në fakt mediat gjermane, të cilat janë në pararojë për të lexuar sjelljen destabilizuese të Edi Ramës kanë paralajmëruar prej 3 ditësh sjelljen prej bullisti të kryeministrit shqiptar ndaj kundërpalëve të Bashkimit Evropian, të cilët janë shantazhuar se do të shohin destabilizimin e të gjithë rajonit, në rast se procesi i integrimit të Shqipërisë shkëputet dhe shqyrtohet veçmas (pra nuk do t’i hapen negociatat) nga rasti i Maqedonisë së Veriut (të cilës do t’i hapen negociatat).
Tani sjellja prej bullisti e kryeministrit dhe berihaji plot frikë e sinqeritet në të njëjtën kohë i Erion Veliajt ndihmon disi për të kuptuar qartë se kush po e bën grushtin e shtetit me 30 qershor e kush po detyrohet të zbresë në rrugë për të mbrojtur liritë e fituara para 30 vitesh e që po nëpërkëmben vitet e fundit nga makineria e juntës putiniste në pushtet. Sjellja prej bastexhinjsh e Edi Ramës dhe Erion Veliajt që më shumë ruajnë njëri-tjetrin sesa mendojnë të fitojnë mbështetjen e qytetarëve dhe prej panikut po luajnë sipas parimit “gjithçka ose asgjë” ka një të mirë, i ekspozon ata para shqiptarëve dhe botës perëndimore. Paniku ua ka bërë të paefektshme edhe propagandën bajate në 12 të ditës në 40 gradë në livadhe të mbushur me pensionistë që po i ha takikardia, edhe shkrimet me pagesë në mediat perëndimore se ata janë garantuesit e stabilitetit në Shqipëri, edhe deklaratat e porositura nga politikanë që për vete e morën dajakun që meritojnë në zgjedhjet evropiane të para disa javëve. Tani s’ka më kohë për lojëra, 30 qershori është afër dhe autorët e grushtit të shtetit, sipas teorisë së Fan Nolit në qershorin e 1924-s, e bënë sot “pronunciamento”-n” e tyre. Shpallën se duan eliminimin e opozitës, mirë do ishte pa çak e pa bam, po nëse s’do qe kështu, e kanë gati edhe rebelimin antikushtetues që ngërthen termi i “pronunciamento”-s, pra të policisë, ushtrisë (për turpin e vet, Xhaçka e ka thënë qartas se ushtria në çdo rast do t’i bindet kryeministrit dhe jo presidentit) dhe të të gjitha agjencive që tashmë funksionojnë si trupa paramilitare të kryeministrit. Destabilizimi i rajonit për të garantuar grushtin e shtetit në Shqipëri është gjetur si formula mbijetuese e ditëve të fundit para 30 qershorit. Pastaj, kur yxhymin final e shqipton Erion Veliaj, merret me mend vetë se sa njerëz do të shkojnë prapa. Thirrjet për dhunë e likuidime shtetërore janë në stilin e Ali Komikut. Çasti ka kaluar dhe tani klika po tregohet e paaftë të menazhojë humbjen. Ndoshta i takon sërish opozitës që po drejton njëfarësoj lëvizjeje për kthimin e Shqipërisë në legalitet që të menazhojë syçelët humbjet, edhe në emër të palës që e ka humbur arsyen.