Rikthehen përplasjet në Shkodër për çështjen e zhvendosjes së KZAZ nr.3 nga ambientet ku ishte caktuar nga KQZ brenda shkollës “Shejnaze Juka”.
Punonjës të Policisë Bashkiake të Shkodrës, të mbështetur nga simpatizantë të Partisë Demokratike dhe ish deputeti Bardh Spahia janë përplasur me efektivët e policisë që ruanin derën e KZAZ nr. 3 dhe me forcë kanë hyrë në ambientet e brendshme. Më pas ata i kanë vendosur zjarrin materialeve zgjedhore brenda KZAZ. Sipas dëshmive në vendngjarje nga përplasjet ka dhe persona të lënduar.
Bashkitë e drejtuara nga opozita përfshirë këtu dhe atë të Shkodrës i kanë dërguar një letër disa ditë më parë KQZ për lirimin e hapësirave të parashikuara për KZAZ pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Ngjarje të ngjashme ka pasur mëngjesin e sotëm edhe në Tropojë ku mbështetës të opozitës kanë hyrë me forcë në ambientet e shtëpisë së kulturës ku ishte vendosur KZAZ dhe kanë nxjerrë nga aty materialet zgjedhore.