Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet sot në Bundestag, në një seancë dëgjimore të komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestagun gjerman.
Në një video live të postuar në “Facebook” z. Basha shfaqet me Kryetarin e Forumit Rinor të CDU, Paul Ziemiak. Kryetari i opozitës i pranishëm në seancën e vështirë dëgjimore ku priste të ndeshej me shumë skepticizëm, e ka falënderuar z. Ziemiak në emër të opozitës shqiptare dhe të rinjve shqiptare.
"Jemi këtu me z. Paul Ziemiak, i cili është anëtar i komisionit për Çështjet Evropiane dhe Çështjet e Jashtme, po kështu kryetar i Forumit Rinor të CDU, “Junge Union”, i cili është një nga mbështetësit më të fuqishëm të Shqipërisë dhe Rinisë Shqiptare. E falënderoj për ndihmën që na dha sot në këtë mbledhje të vështirë të Komisionit për të bindur anëtarët e Komisionit, anëtarët e CDU dhe CSU për një votë pozitive për negociatat si një kontribut për të shtuar presionin ndaj qeverisë në raport me demokracisë, shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, reformën në drejtësi, reformën zgjedhore. Pra, për të ndihmuar përmes presionit të shtuar në arritjen e objektivave evropiane që ka opozita, PD-ja, rinia e PD-së dhe rinia shqiptare", rrëfen Basha në video live nga Berlini.
Nga ana e tij z. Paul Ziemak tha ka thënë: "Faleminderit për vizitën tuaj këtu në Parlamentin gjerman, Bundestag. Faleminderit për diskutimin e shkëlqyer që patëm sot. Urimet më të mira nga unë, Forumi Rinor dhe partia tonë për të rinjtë në Shqipëri. Ne besojmë tek ju. Punojmë shumë mirë bashkë, ndaj dhe urimet më të mira nga Berlini për Shqipërinë!"