Takimi i ftohtë: Merkel përcjell Ramën, me një `predispozitë pozitive`

Premte, 13 September 2019 12:43

Pas takimit që pati me një përfaqësi të Bundestagut gjerman, kryeministri Edi Rama, zhvilloi paraditen e të premtes edhe një takim në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel. Ashtu siç ishte paralajmëruar, tema e bisedës mësohet se ka qenë vota e Gjermanisë në tetor për hapjen ose jo të negociatave, mes BE-së dhe Shqipërisë.

Pas takimit, nuk pati prononcime për gazetarët dhe kancelarja Merkel pasi e përcolli deri te shkallët, u kthye e heshtur në zyrën e saj. Ndërkohë i vetmi që ka `folur` me një gjuhë aspak entuziaste ishte kryeministri Rama, nëpërmjet një postimi të shkurtër në Facebook.

“Shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares Merkel”, shkruan thatë kryeminstri.

Pra ndryshe nga sa proklamuar propaganda e Rilindjes brenda vendit për një Po të madhe të Gjermanisë, Rama ( më herët shkroi; “Në Kancelarinë Federale për të kërkuar PO-në për Shqipërinë”) nuk ka marrë asnjë lloj garancie nga Gjermania, ndryshe nga sa ndodhi në takimin e djeshëm me katër vendet e Vishegradit.

Duke pasur parasysh se zakonisht në këto raste Rama i shton me shumicë dozat e entuziazmit, nga vetë fjalët e tij kuptohet se ajo që ka marrë për negociatat nga kancelarja Merkel (përveç shuplakave për gjendjen brenda vendit) është vetëm një “predispozitë pozitive”!

Nuk dihet ende se çfarë është biseduar në hollësi, por ky takim i Ramës me Merkel vjen pas një periudhe të gjatë zhgënjimi dhe ngrirje të marrëdhënieve, të cilat dikur në fillimet e qeverisjes së Ramës ishin mjaft të ngrohta dhe me pritshmëri të larta.

Në mes të muajit tjetër, Tetor, qeveritë dhe disa parlamente të shteteve anëtare të BE-së, përfshi do të vendosin nëse do të votojnë pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më pas, vendimi përfundimtar për hapjen ose jo të negociatave do të merret nga Këshillit i Ministrave të vendeve të Bashkimit Europian. Ndërkohë që Shqipëria deri më tani për këtë çështje është trajtuar në bllok me fqinjin tonë, sa më shumë që po afron data finale, aq më shumë po shtohen zërat e rëndësishëm brenda BE-së, për një ndarje dhe shanse më të mëdha për qeverinë e Zoran Zaev.

Modifikuar më Premte, 13 September 2019 12:45
Login to post comments