"Goditja finale" e Ramës me pronat, dhe pse alarmi ka shkuar nga Athina në Berlin e Nju Jork?!

Hënë, 16 September 2019 14:33

Për herë të parë që nga lindja e pluralizmit në Shqipëri dhe nisja e rrugëtimit të vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian, fqinji ynë Greqia rrezikon seriozisht që të votojë kundër për hapjen e negociatave. Së fundmi ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, në një shkrim të publikuar në të përditshmen,`Ta Nea` përpara takimit të paralajmëruar mes dy kryeministrave në Asamblenë e Përgjithshme të OKB në Nju Jork, sërish ka paralajmëruar Tiranën zyrtare.

“Sa i përket Shqipërisë është e qartë dobia reciproke, nga një përmirësim i marrëdhënieve dypalëshe. Mirëpo, duhet të vë në dukje, që Shqipëria vazhdon të mos përmbushë detyrimet e saj në lidhje me të drejtat minoritare dhe pronësore të minoritetit etnik grek”, shkruan mes të tjerave në këtë shkrim ministri i Jashtëm Dendias.

Më herët, rreth një javë më parë, edhe vetë kryeministri grek Mitsotakis deklaroi hapur se, “Greqia nuk do të miratojë hapjen e negociatave anëtarësuese të Shqipërisë në BE, në rast se unë nuk shikoj akte konkrete për heqjen e diskriminimit ndaj minoritetit etnik grek”.

Në këtë situatë, mjaft media greke kanë spekulluar edhe për një dështim të mundshëm të takimit, Mitsotakis-Rama në SHBA, edhe pse zyrat respektive po punojnë me intesitet për mos dështimin e tij.

Po përse është nervozuar kaq shumë qeveria greke me atë Shqiptare, si kurrë më parë në këto afro 30 vite?!

Kujtojmë se edhe qeveria e majtë paraardhëse e Mitsotakis, në periudhën e fundit të saj i distancoi mjaft marrëdhëniet me qeverinë e Ramës; deri në ngrirje. Në muajt e fundit të tij si kryeministër, Tsipras, i bëri një telefonatë të ashpër homologut Rama nga Shkupi, duke e paralajmëruar veçanërisht për lojën që po përgatit “me ligj” për pronat në Jug të vendit, shumë prej të cilave posedohen edhe nga minoritarët grekë në vendin tonë.

Në mes të muajit Prill të këtij viti, mediat greke i kanë bënë jehonë një bisede telefonike me tone të ashpra mes Tsipras dhe homologut të tij Edi Rama dhe sipas raportimeve, në fokus të bisedës kanë qenë pronat në bregdetin Jon dhe se kjo çështje madje do të diskutohet edhe në Asamblenë e radhës së OKB gjatë këtij Tetori.

Gazeta greke, “Ethnos”, me këtë rast u hap me kryeartikullin, “Pas vizitës në Shkup, Tsipras telefonon Ramën”, duke zbuluar se gjatë bisedës së tensionuar, dy kryeministrat ndërthurën çështjen e pronave, me perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian, e cila vihet në dyshim nga pala greke me rastin e hapjes së negociatave ose jo, muajin e ardhshëm. Në të njëjtin artikull thuhej se në mënyrë informale qeveria greke njoftoi, se kryeministri grek u fokusua në VKM-në për pronat në bregdetin e Jonit dhe për aktet normative të ligjit mbi minoritetet. Gazeta, duke iu referuar burimeve diplomatike, njoftonte se qeveria shqiptare ka vendosur që pronat e diskutueshme do të regjistrohen nga pronarët nëse do të munden dhe ato që do të mbeten pa pronarë, do të kalojnë në administrimin e ministrisë së turizmit.

Një tjetër gazetë, “Ta Nea”, thekson se çështja e pronave të minoritarëve do të diskutohet edhe në OKB dhe madje kjo me iniciativën e vetë qeverisë gjermane. Pavarësisht se takimi i fundit mes Ramës dhe Merkel gati u mbajt sekret, duket se edhe kjo çështje ka qenë në fokus të bisedës dhe paralajmërimeve të kancelares gjermane.

“Ta Nea” duke ju referuar burimeve të veta, shkruan gjithashtu se Berlini ka paraqitur një paketë me katër pyetje në kuadër të sesionit të 33-të vlerësimit periodik të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe se një nga pikat, lidhet me të respektimin e të drejtës së pronës në përgjithësi dhe në veçanti; sa zbatohet kjo e drejtë për minoritetet.

Por për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë në gjithë këtë “histori pronash” që ka alarmuar jo vetëm Greqinë, por edhe Gjermaninë dhe vendet e tjera?!

Diçka nga mjegullnaja që shoqëron një “goditje të madhe dhe përfundimtare” të Ramë për të grabitur, edhe çka ka mbetur nga pasuritë e Shqipërisë dhe qytetarëve në favor të oligarkëve të tij tashmë të njohur, e zbuloi ish- kryeministri Berisha, në daljen e tij të fundit në “Opinion” të Blendi Fevziut. Me pak fjalë Berisha sqaroi se thelbi i acarimit grek për minoritarët dhe vetoja e mundshme për hapjen e negociatave, ka lidhje me një mega-aferë gjigante për të gjitha pronat në Shqipëri dhe veçanërisht ato me vlerë të madhe në bregdet.

Bëhet fjalë për të famshmen, “Korporata e Investimeve Shqiptare”, e cila është ideuar prej kohësh nga Rama dhe po bëhet gati që të “ligjërohet” shumë shpejt në parlament. Ky institucion “shtetëror” që do të funksionojë si një kompani private, nuk është asgjë tjetër veçse leva e radhës e Edi Ramës, për të vjedhur pronat publike dhe private të shqiptarëve.

Edi Rama duke parë vendosmërinë e qeverisë greke dhe duke e ditur që çështja e pronave do ti ngrihet në Asamblenë e Përgjithshme në OKB, ditën e sotme (16 shtator 2019), urdhëroi mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, për të bërë disa retushime duke shpresuar se do të mundet ta kalojë me kaq, siç bëri edhe me ligjin për tokën e Teatrit Kombëtarë.

Pavarësisht nga disa ndryshime estetike që Kuvendi i bëri projektligjit për ngritjen e “Korporatës së Investimeve Shqiptare” (KISH), gjithsesi ky institucion do të ketë të drejtë “me ligj”, të shpërndarjes pronat publike për ‘investitorët’- klientë të Ramës, si dhe me anë të VKM-ve mund të marrë prona private, për t’ia dhënë këtyre bizneseve nën maskimin e “investimeve strategjike”.

Pra kalimin e të gjithë pronave në duart e një njeriu, që quhet Edi Rama dhe se ku i rishpërndan ai, tashmë dihet!

Në një dalje të sotmen, Jorida Tabaku, në emër të Partisë Demokratike denoncoi këtë aferë gjigante duke thënë se;

 “Drafti është kundërshti të plotë me Kushtetutën e RSH; Kjo pasi ai kundërshton sigurinë fizike të pronës, qoftë ajo private apo shtetërore. Korporata është thjesht maska me të cilën Rama vesh fytyrën e vërtetë të ligjit, një krijesë e tij dhe qeverisë për të gllabëruar pronat publike dhe më tej ato private të Shqiptarëve. Sipas projektligjit qeveria shqiptare i jep të drejtën vetes që të krijojë këtë korporatë dhe më pas do t’i kalojë asaj me VKM trojet apo pronat e caktuara nga autoriteti lokal apo ministror në fondin e saj. Sipas një varianti të Ligjit, do të jenë këto prona që do të jenë kapitali i kësaj korporate në treg”.

Loja që po bën Edi Rama është, se megjithëse qeveria ka ndryshuar nenin në lidhje me prokurimet publike sërishmi ajo ka lënë në hije mënyrën se si operohet me to. Drafti i ri ngre çështjen e Prokurimeve që nuk do të jetë sipas standarteve të ligjeve shqiptare megjithëse pronat publike që do të jepen nga KISH janë publike. Ligji i jep mundësinë KISH që përmes VKM-ve ajo të marrë edhe pronën private të qytetarit të cilin shteti mund ta përllogarisë, si gjoja në interes publik. Kështu pronat në bregdet, apo në zona të tjera lakmuara të vendit, mund të gllabërohen nga KISH gjoja për interesa publikë për t’iu dhënë disa “investitorëve strategjikë”  që do të bashkëpunojnë me KISH (pra kryeministrin).

Projektligji për KISH është vazhdimësia e një rruge të nisur me ligjin për investimet strategjike (që ua vjedh pronën pronarëve, për t’ua falur gjoja investitorëve), Ligji për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës të vitit 2015, ligjet me emrat e biznesmenëve që janë votuar këto 2 vitet e fundit masivisht në parlament.

Pikërisht kjo është e vërteta e asaj që po gatuan Edi Rama, për goditjen finale përpara largimit nga pushteti. Nëse qeveria greke është e shqetësuar brenda gjithë kësaj, për ata minoritarë që preken, mijëra pronarë shqiptarë nga Ksamili në Velipojë nëse lejohet kjo, “Goditje e madhe e Ramës”, shumë shpejt do ta gjejnë veten të zhveshur nga pronat e tyre të çmuara në bregdet dhe kudo tjetër ku jua kanë vënë syrin “kuçedrat” e maskuara si biznesmenë të mëdhenj, që bashkëpunojnë me kryeministrin.

Login to post comments