VIDEO/ PPP e qeverisë nuk kursejnë as ujin e pijshëm, plane për ujësjellësat

Premte, 01 November 2019 11:46

Qeveria shqiptare parashikon të japë me koncesion, furnizimin me ujë të pijshëm dhe menaxhimin e ujërave të zeza. Sipas një draft-ligji të ri, pas rrugëve, shërbimeve spitalore, aeroporteve e porteve, radhën e ka uji i pijshëm dhe kolektorët. “Vetëm pas marrjes së miratimit, qeverisja vendore do të vijojë me procedurat e parashikuara në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik- privat” thuhet në draft-ligj.

Hartimin për dhënien me koncension edhe të ujit të pijshëm e ka bërë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila nënvizon se ky projekt-ligj sjell një përqasje të re për rritjen e performancës së sektorit, si në drejtim të qëndrueshmërisë financiare ashtu edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve nga shoqëritë UK , pohon Monitor.

Ndërsa nga ana tjetër, Banka Botërore trumbeton se koncensionet nuk kanë transparencën e duhur dhe gjithashtu evidenton rrezikun që vjen prej PPP-ve të cilat kanë nxjerrë jashtë kontrollit shpenzimet e buxhetit, pasi kontratat e partneriteti publik-privat, janë në rritje dhe me kosto tejet të larta.

Apeli i Bankës Botërore erdhi pak ditë pasi qeveria miratoi dy PPP për ndërtime rrugësh, Milot - Balldren dhe Orikum –Dukat. "Zhvillimet e fundit kanë të bëjnë me miratimin e një ligji që mandaton Ministrinë e Financave të kontrollojë PPP dhe jep hapësirë për më shumë transparencë lidhur me kontrata. BB ka qenë e angazhuar me qeverinë për aspektin e monitorimit.

Një nga pikat kryesore është hartimi i një raporti për PPP përmes të cilit synohet jo vetëm dhënia e informacionit por dhe performanca e tyre ne mendojmë se është një instrument i rëndësishëm".

Rreth tre vjet më parë, bashkia e Tiranës bëri të ditur se kishte pasur disa oferta nga kompani serioze midis tyre edhe një kompani kineze për menaxhimin e Ujësjellësit, teksa në janar të vitit 2018, në Tiranë, çmimi i ujit të pijshëm u rrit 65 lekë/m3, nga 45 lekë/m3 që ishte më parë ose 44% më i shtrenjtë.

Si rrjedhojë, Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës rezultoi me fitim 1.2 miliardë lekë para të taksave ose rreth 10 milionë euro, gjatë vitit 2018, nga 4.3 milionë euro vitin e mëparshëm, me më shumë se dyfishim./SYRI.TV

Login to post comments