NGA ARMAND SHKULLAKU
Dy ngjarje të rënda, në harkun kohor të disa orëve, kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi angazhimin opozitar për të ndjekur udhëzuesin e Bundestagut gjerman, si një mënyrë për të garantuar një sistem më të shendetshëm demokratik dhe një garë elektorale të ndershme dhe të barabartë.
Fjalë është për votimin në shkelje flagrante të Kushtetutës (bashkë me votat e hibridit të ri opozitar) të dy anëtareve të reja të gjykatës më të lartë të vendit dhe për dhunën policore të ushtruar direkt mbi qytetarët tek unaza e re. Të dyja këto ngjarje janë përshkrimi më i mirë i një pushteti, i cili për gjashtë vite me radhë, ka bërë pikërisht këtë gjë: ka përdorur edhe dhunën e kartonave edhe dhunën fizike për t’ia dalë në krye aferave të veta që e mbajnë në këmbë, ndonëse noton në një moçal skandalesh, krimi dhe korrupsioni.
Opozita shqiptare e ka provuar për pesë vite me radhë t’i kundërvihet kësaj arrogance të shumicës, por në asnjë rast nuk mundi ta ndalë atë deri sa e vetmja rrugë që i mbeti ishte të refuzonte të luante rolin e kundërpushtetit në një regjim pa asnjë lidhje me demokracinë përfaqësuese. Janë me dhjetra rastet, kur nën sloganin e kryeministrit, “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, opozita dhe opinioni publik kritik me qeverinë, nuk mundën të ndalin akte të rënda që cënuan Kushtetutën, legalizuan grabitjen e pronës publike, abuzuan me paratë e taksapaguesve. Ato madje nuk ia dolën, ndonëse ligji ekzistonte, të ndalonin kryeministrin të kandidonte individë me rekorde kriminale edhe kur shkonte i vetëm në zgjedhje.
Dy pikat kyçe të kushteve të Bundestagut për hapjen e negociatave me Shqipërië janë edhe reforma zgjedhore dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese. Por a ka kuptim, pas asaj që ndodhi të hënën në Kuvend dhe që ishte gatuar prej kohësh në organizatën e Rilindjes, të negociohet dhe të participohet në një ndërmarrje të tillë me këtë organizatë? A mundet që pas skemave manipuluese të kryeministrit, të ulesh me të për të bërë një reformë që do të garantonte zgjedhje të lira, kur në fund organizata do ta votojë atë me anëtarët e bindur të Gramoz Ruçit në Kuvend?
Aktet e fundit vetëm përforcojnë bindjen se, brenda sistemit, Edi Rama është i aftë t’i mundë kundërshtarët e tij pa e filluar ende përballjen me ta. Ato janë dëshmi kokëforta se asgjë e shkruar në letër, në ligj apo edhe në vetë Kushtetutën, nuk është garanci për rregulla të pastra loje. Se asnjë program politik, ekonomik ose angazhim qytetar nuk ka vlerë përballë një pushteti që kontrollon gjithçka. Cilido kryeministër në botë që do të regjistronte në karrierën e tij skandale si ato të lidhjes së krimit me politikën, afera korruptive me miliona euro apo qoftë edhe dështimin me hapjen e negociatave, nuk do të zgjaste asnjë ditë të vetme në pushtet.
Por këtu fatin e pushtetit nuk e vendos rregulli demokratik, por përjashtimi prej tij. E vendos forca dhe manipulimi, korruptimi dhe propaganda, prandaj të luftosh një deformim të tillë të demokracisë me mjete demokratike, nuk prodhon vetëm humbje por edhe dëshpërim masiv. Dhe ky dëshpërim është sot refleksi i mpirjes së nervit qytetar për të ndalur një regjim që sa vjen dhe bëhet më arrogant.
Opozita sot gjendet në një pozitë tepër të vështirë, në udhëkryqin mes asaj që nisi dhe asaj që duhet të bëjë. Mes përballjes elektorale me Edi Ramën kryeminstër dhe organizatën e tij në njërën anë dhe refuzimit të rifutjes në sistemin që kontrollohet prej tij në anën tjetër. Rruga e parë është e provuar disa herë, ndërsa e dyta e lënë në mes, po disa herë. Frustrimi opozitar prej kësaj dileme po shndërrohet çdo ditë edhe në frustrim qytetar. Thirrjet dëshpëruese ndaj opozitës sot, ndërsa banorët e unazës goditeshin me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, janë pikërisht shprehje e këtij frustrimi.
Luzim Basha nuk ka kohë për të humbur. Ai duhet të zgjedhë njërën prej rrugëve, atë që e ka shkelur disa herë por nuk e ka nxjerrë në krye ose atë që e ka provuar por nuk e ka çuar vetë deri në krye./ Lapsi.al