Presidenti Ilir Meta i është drejtuar popullit shqiptar për referendum për mbrojtjen e Kushtetutës.
“Unë do të qëndroj si kryegarant i Kushtetutës dhe do iu kundërvihem me gjithë forcat e mia kundërshtarëve. Shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë, Shqipëria do të drejtohet vetëm me Kushtetutë. Kushtetuta është vija e kuqe flakë, Shqipëria nuk do të jetë shpresëhumbur. Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar për të bërë referendum”, tha Meta.
Pjesë nga deklarata:
Jetëgjatësia e Kushtetuës është treguesi më i drejtpërdrjtë i fuqisë së saj për të qëndruar e pacënuar dhe e paprekshme, si një tempull i shenjtë, që i shërben shtetit të së drejtës. Sa më serioz sistemi demokratik i një vend, aq më i panevojshëm është ndryshimi i Kushtetutës. Kushtetuta thuajse gjithmonë kanë lindur në kohë krizash. për këtë arsye, është Kushtetuta ajo që vendos kufirin e përqendrimit të pushtetit të çdokujt, që lakmon të jetë i gjithpushtetshëm. Kushtetuta mbetet vijë e kuqe e pakalueshme, për sa kohë fuqia e saj buron nga populli. 22 nëntori është datë historike. Për herë të parë populli shqiptar miratoi Kushtetutën post-komuniste. Na u dhurua Kushtetuta më demokratike që ka pas Shqipëria deri më sot. Populli vendosi që sovraniteti i përket vetëm atij. Populli shqiptar përcaktoi se liritë themelore të njeriut duhet të ishin të pandara, të patjetërsueshme. E projektuar për të hedhur themelet e një shteti, Kushtetuta e ’98 mundësoi vendosjen e paqes në vend. Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin e qytetarëve shqiptarë fatkeqësisht u zhbë brenda natës, në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e 2008. Si pasojë e kësaj marrëveshje, deputetët nuk përfaqësojnë më popullin. Ndryshimet e vitit 2016 kanë nxjerrë në pah probleme të tjera.
Kushtetuta u kthye në rregullore me data e afate, që janë shkelur nga të gjithë. Kjo po con në paralizimin dhe destabilizimin e drejtësisë në vend. Organet e reja të gjyqësorit do duhet të kenë një trup me integritet. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon të jetë i njëansahëm. Venecia i ka thënë të gjitha për ata që kanë vesh për të dëgjuar. Tashmë jemi para një situate dramatike. Kushtetuta po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllim përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e kryeministrit. Janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, me një proces antiligjor, njëpartiak. Kuvendi është lënë qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese dhe po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të saj. Me këto afate, kur një pensionist mund të mos e gëzojë pensionin që i takon. Kur një kryeprokuror është zgjedhur me një proces antikushtetues, kur dhunohen të drejtat e qytetarëve në mes të ditës, kur kanë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese, kur fjala e lirë është vënë në shërbim të propagandës, kur vendi po shpopullohet pa mbarim, kur nuk ka më investim serioz nga të huajt, është koha për t’i thënë ndal këtij degradimi. Shqipëria e ka pësuar njëherë.