Nga Fatos Lubonja
Shumë njerëzve u ka bërë përshtypje përdorimi nga Edi Rama i shprehjes “pabesi e natyrës” në mesazhin e parë të ditës së tërmetit. Personalisht më bëri të qesh hidhur, por edhe më futi në reflektim. Qesha duke thënë me vete se edhe në këtë rast ky njeri, që nuk mund të komunikojë veçse në mënyrë manipulative, nxitoi të gjejë armikun për t’ua hedhur si kockë njerëzve, me synim që të largojë çdo përgjegjësi nga vetja. Qeshja ishte e hidhur, sepse, duke dëgjuar ato fjalë, thashë me vete se edhe kësaj here, me ç’duket, faji do të mbetet jetim.
E vërteta është se edhe sikur ta marrim natyrën si një qenie me vullnet e qëllime të mbrapshta ndaj njerëzve, nuk mund të thuhet se na ka bërë një pabesi, sepse ajo na ka paralajmëruar vazhdimisht se herë pas here do të na tregojë se është më e fortë se ne. Paralajmërimin e fundit ajo na e dha vetëm para dy muajsh në tërmetin e 21 shtatorit. E megjithatë, fjala e parë që i doli këtij njeriu nga goja, ishte fjala “pabesi e natyrës” dhe jo përgjegjësitë që kemi ne për shkallën e tragjedisë që krijoi ky tërmet.
Pas disa ditësh, ngaqë e kuptoi se kishte shkuar larg me përdorimin e natyrës si armik apo ndoshta kur pa se kishte shkaktuar zemërimin e besimtarëve, që punë të tilla si tërmetet ia atribuojnë Zotit, i cili nuk mund të jetë armik dhe i pabesë ndaj krijesave të tij, manipulatori gjeti një shprehje tjetër: “është e shkruar” u thoshte njerëzve, duke ia vënë përgjegjësinë e vdekjes së 51 qyqarëve Zotit. Por, në këtë rast, harroi se ata që besojnë në Zot, punë të tilla si tërmetet i quajnë ndëshkime për shoqëri keqbërësish që janë zhytur në krim e degjenerim. Duket që ky tërmeti e ka çoroditur shumë Ramën, sepse e ka zënë paniku i përgjegjësisë. Me siguri sikur t’i dilte vetë Zoti përpara, do t’i thoshte se korrupsionin e degjenerimin, për të cilin ai i ndëshkoi shqiptarët, e kishte krijuar opozita deri në 2013 e se ai kishte bërë një gabim të madh që e hodhi tërmetin ndëshkues në kohën e qeverisjes së tij, por për këtë e kanë fajin gazetarët e kazanit që e kanë keqinformuar.
Nga paniku i përgjegjësisë për vdekjen e 51 vetave dhe dëmet kolosale që ka pësuar vendi, Edi Rama nuk po lë gjë pa bërë. Po luan teatër ku të mundet e si të mundet që të prekë njerëzit, që t’u thotë se ai është njeri i mirë, që i do ata si Gregu, veç që të mos mendojnë se ai ka ndonjë përgjegjësi për këtë që ndodhi. Ndërkohë që në këtë aktrim bëri armik natyrën dhe Zotin dhe e harroi fare armikun që e ka përqeshur, kërcënuar e fyer pafund, opozitën, duke e ftuar atë të ulet në tryezë me të për të zgjidhur këtë hall të madh. Harroi se tepsinë e donte të tërën për vete dhe tani që në tepsi ka mbetur vetëm përgjegjësia dhe vështirësia e pamasë që ka krijuar kjo tragjedi, e fton Lulzim Bashën t’i ndajë llokmat e boshësisë me të. Por nuk mjaftohet vetëm me këtë. Ndërkohë që gjatë dymbëdhjetë vjetëve kryetar bashkie nuk la fushë futbolli e basketbolli pa e kthyer në shesh ndërtimi të pallateve monstra, shkon në spitale te fëmijët e plagosur të mbetur pa prindër e pa shtëpi dhe luan teatër me ta, duke u dhuruar topa basketbolli e duke u premtuar se do t’u sjellë fanellat e Ronaldos dhe Donarumës të firmosura prej tyre (sepse i ka miq të afërt). Çmenduri! Por në këtë çmenduri nuk harron që të dëgjojnë të gjithë, që të mos shikojnë televizor dhe të mos hyjnë në “Facebook”, sepse atje (nënkuptohet) mund të dalin armiqtë që flasin për përgjegjësitë e tij. Të mjerët fëmijë! Kur t’i shohin këto filmime të rritur, do ta kuptojnë se kë kanë takuar në ditën e tragjedisë së tyre më të madhe.
Ajo që na ndodhi me këtë tërmet tragjik: vdekja e 51 personave, shembja apo kthimi në të pabanueshme i qindra, mos mijëra ndërtesave, trauma psikike e një populli të tërë, kostot që do të na duhet të paguajmë në të ardhmen, do të kishin qenë shumë herë më të vogla, ndoshta edhe të papërfillshme, sikur të mos kishim pasur në krye njerëz si Edi Rama me shokë, që kanë inkurajuar me veset e tyre pjesën më të keqe të njeriut shqiptar e që ia kanë dhënë në dorë fatet tona e të natyrës që kemi trashëguar nga paraardhësit pjesës më të mbrapshtë të shoqërisë. Edi Rama, në 12 vjet kryetar bashkie, nuk bëri një plan urbanistik, i cili përcakton, përveç të tjerave, edhe lartësitë e ndërtesave sipas zonave sizmike dhe gjeologjike. Ai shkatërroi çdo institucion shtetëror që kontrollon mënyrën e ndërtimit, duke ua lënë në dorë gjithçka oligarkëve të tij sipas parimit “një pallat, një votë”. Ai bëri gjithçka që të kontrollojë mediat, gazetarët dhe specialistët që duhet të informonin njerëzit edhe për rreziqet që paraqisnin këto lloj ndërtimesh. Nën shembullin e tij pararojë, kështu kanë vepruar në Durrës dhe kudo jo vetëm të tijtë, por edhe ata të opozitës. Mënyra sesi i ka shpenzuar paratë publike për t’i shpërndarë nëpër duart e babëzitura (për një kilometër rrugë 20 milionë euro) ka bërë që trupat e shpëtimit, për turp të botës, të punonin me duar dhe lopata për nxjerrjen e viktimave. Janë këto përgjegjësi morale dhe ligjore që e kanë panikuar Edi Ramën e që ai kërkon t’i verë në heshtje me çdo mjet, deri edhe me kërcënime mbylljeje të portaleve apo edhe me arrestime. E pra, të mos flasësh për përgjegjësi në këto ditë, është sikur të rrish të qash të vrarin në shtëpi pa kërkuar të dish se cili është vrasësi dhe nëse u kap apo jo. Është sigurt se në këtë rast ai do kryejë vrasje të tjera.
Thënë të gjitha këto për këtë njeri që meriton të ndëshkohet dhe jo t’i lihet në dorë menaxhimi i katrahurës së shkaktuar nga ky tërmet – nëse duam që të ngrihemi mbi të dhe jo të zhytemi edhe më – ngulmoj se vrasësi duhet kërkuar jo thjesht te ky njeri, por te një sistem dhe një kulturë që ka pjellë njerëz të tillë. Shtjellimin se çfarë kam parasysh me këtë po ia le shkrimit mbi reflektimet që më ngjalli shprehja e Ramës “pabesi e natyrës”. /panorama/