Lajmi se qeveria shqiptare miratoi një paketë kundër medias, e cila do të shtojë censurën në vend, bëri xhiron e botës. Ja çfarë shkruan gazeta e madhe amerikane, Nju Jork Tajms
Ligjvënësit në Shqipëri kaluan një ‘paketë anti-shpifje’ të mërkurën, e cila autorizon gjoba të rënda për median online dhe u jep fuqi shtesë rregullatorëve qeveritarë të medias, pavarësisht një proteste nga gazetarët dhe paralajmërimeve nga organizatat ndërkombëtare.
Pesëmbëdhjetë organizata të gazetarëve dhe shoqërisë civile, i kërkuan parlamentit shqiptar të hedhë poshtë legjislacionin e mbështetur nga qeveria, duke theksuar se ai “kërcënon lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend, në kundërshtim me parimet ndërkombëtare”.
Harlem Desir, përfaqësuesi i lirisë së medias në OSBE, tha se ka akoma punë për t’u bërë që të reduktohet shuma e gjobave për publikimin e lajmeve të dyshuara si të rreme. Legjislacioni i miratuar lejon gjoba deri në 16 mijë euro.
Desir tha se zyra e tij planifikon të monitorojë nga afër zbatimin e këtij ligji, i cili nuk duhet në asnjë mënyrë të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.
Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatoviç, dhe zyra e Komisionit Europian në Tiranë, po ashtu i bënë thirrje ligjvënësve shqiptarë të amendojnë legjislacionin në përputhje me normat europiane.
Për shkak të presionit, qeveria ndryshoi disa dispozita që ishin në draftin origjinal, përfshirë atë që kërkonte regjistrimin e mediave në internet.
Mediat post-komuniste të Shqipërisë në përgjithësi janë përdorur ose shfrytëzuar nga partia politike në pushtet.