Nga Boldnews.al
Ai ishte krijesë e medias. Një personazh anonim, një njeri pa të shkuar e të tashme, por u pompua si e ardhmja. Ishte një pedagog në Akademinë e Arteve Figurative. Dikush në profesorat pa pikturat e tij dhe i konsideroi si të thella, që në fakt ishin disa zhgarravina të bojatisura që ngjanin me shumë me dragoj të deformuar, sesa vepra arti të mirëfillta. E gjitha një shprehje surreale edhe në kanavacë, por ai la penelin për të kapur penën.
Media i dha hapësirë. Në fillim disa gazeta të përditshme dhe më pas bota i erdhi në duart një personazhi haluçinativ kur si kërpudhat pas shiut u hapën televizione, lokale në fillim e më pas kombëtare. Edi Rama e shfrytëzoi këtë moment për tu futur në botën e aktrimit politik, klithjes së një personazhi anormal që në çdo moment botuesit e mëdhenj mediatik e paraqitnin se vetëm ai mund të sillte normalitet në vend.
Bosët mediatik e afruan, ish-kryeministri Fatos Nano u bind që të tërhiqte nga Franca këtë Ramën e pompuar, ta shihte një herë, ti jepte një mundësi për të drejtuar një ministri, qoftë edhe të dorës së fundit për nga rëndësia si Ministria e Kulturës.
“E mora të palarë dhe me thonj pa prerë nga Franca”– deklaroi Nano disa kohë pasi e kishte sjellë në Shqipëri dhe kaluar nga ministria e Kulturës në Bashkinë e Tiranës. Për Nanon ishte tepër vonë, gropa që i kishte hapur Rama ishte e thellë dhe e fundosi. Këtu nis rrugëtimi në ngjitje i Ramës, i cili në vitin 2013 fitoi zgjedhjet me aleancën me LSI-në dhe në 2017-ën me taborin e politikanëve të lidhur me krimin mori i vetëm mandatin qeverisës. Me tepsi e timon në duar Rama kërkon edhe më shumë. Nuk i mjafton gjithçka ka marrë, çdo institucion të uzurpuar, çdo pushtet të kapur.
Pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe drejtësia është tashmë në duart e tij, i kishte mbetur vetëm një qoshëze pa e kapur dhe dje ai e mori me një ligj fort të kontestuar. Nëpërmjet miratimit të “paketës anti-shpifje” Rama ka futur në “paraburgim” fjalën, ka prekur në thelb lirinë e medias. Nëpërmjet dy enteve shtetërore AMA dhe AKET, kryeministri do kontrollojë çdo medium të pavarur, duke mbyllur dhe gjobitur mediat sociale që janë i vetmi zë që nuk mundi ta mbante nën hyqmin e tij.
U lind prej medias, por sot ai vrau atë që e “polli”. Ka lënë të livadhisin në benefitet e një pushteti një grup “aoligarkësh mediatik”, që përdorin hapësirën publike për të mbajtur në këmbë një pushtet të ngritur mbi korrupsion, lidhjet me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.