Festat e fundvitit janë afër dhe për të dhënë mbështetjen ndaj personave të prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ishte i pranishëm në ceremoninë festive bamirësie, organizuar nga kompania “Hysenbelliu Group” dhe Fondacioni FAB, kushtuar rreth 200 fëmijëve jetimë nga Durrësi e Kavaja. Duke postuar disa foto në facebook, Kreu i Shtetit bën thirrje të fortë për të punuar të gjithë për një Shqipëri më njerëzore, më të dhembushur dhe të drejtë.
“Me shumë kënaqësi e pranova ftesën e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe Fondacionit “FAB” për të marrë pjesë në një veprimtari bamirësie kushtuar rreth 200 fëmijëve jetimë e jo vetëm, nga Durrësi e Kavaja, dy nga zonat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Jetimët duhet të ndjejnë ngrohtësinë, dhembshurinë dhe dashurinë e shtetit dhe të shoqërisë, por edhe të ndihen pjesë e familjes sonë të madhe, jo vetëm në momente të tilla humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar. Të punojmë të gjithë për një Shqipëri më njerëzore, më të dhembushur dhe të drejtë, që u jep ëndrra, shpresë dhe mundësi çdo ditë jetimëve, fëmijëve dhe të rinjve tanë për një të ardhme të sigurtë dhe të ndritur në atdheun tonë”, shkruan Presidenti Meta.
Festat e fundvitit për kompaninë “Hysenbelliu Group” dhe Fondacionin FAB, e kthyen vëmendjen te fëmijët jetimë, për t’i kthyer atyre buzëqeshjen në mënyrë që festat të trokasin njësoj edhe për ta si për gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Në një ceremoni të dedikuar e gjitha për ta, fëmijët jetimë përjetuan një ditë ndryshe, ndërsa shijuan ushqimet e ngrohta të gatuara me shumë dashuri për to nga stafi i ”Prestige Resort”, kërcyen e festuan nën ritmet e këngëtarëve të dashur të cilët në krijimtarinë e tyre u kanë kushtuar shumë këngë fëmijëve, si Luan Zhegu, Liljana Kondakçi etj.