Vendit i duhet një qeveri e përgjegjshme, që nuk pasurohet mbi rrënojat e tërmetit. Kështu shprehet në një video-mesazh kreu demokrat Lulzim Basha, që vizitoi familjet e prekura nga tërmeti në Thumanë.
Basha akuzoi Qeverinë dhe Kryeministrin se e kanë mendjen tek parada mediatike, propaganda dhe po bëjnë gati të ngrenë mbi rrënojat e tërmetit një tjetër megaaferë korruptive, vjedhje, zhvatje dhe grabitje.
“Vendi është në një krizë të thellë humanitare, ekonomike, sociale, politike dhe kushtetuese”, thekson kreu demokrat, duke shtuar se ruga për ta zgjidhur këtë krizë duhet të nisë me përpjekjet e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake, për të patur një qeveri të përgjegjshme.
“Nga zgjidhja e krizës politike, kalon edhe zgjidhja e krizës ekonomike, kalon edhe shpëtimi i dhjetëra mijëra familjeve të cilat ndodhen si asnjëherë në mëshirën e fatit.
Kjo është sot emergjenca e vërtetë kombëtare e vendit”, thekson kreu i PD-së.
Basha thekson se banorët e kësaj zone janë tërësisht të harruar dhe braktisur nga Qeveria, ndërkohë që ftohja e motit dhe shirat i kanë nxjerrë jashtë përdorimit çadrat prej plastmasi apo çadrat verore me të cilat janë pajisur një pjesë prej tyre.
“Varfëria është thelluar dhe tashmë ka nisur një pasojë tjetër e tmerrshme e kësaj krize humanitare. Ka shumë fëmijë të sëmurë, ka shumë të moshuar në nevojë për kujdes mjekësor për të cilët kanë nevojë por të cilët e kanë plotësishtë të pamundur të marrin çdo shërbim aty ku janë apo të zhvendosen drejt spitaleve të Krujës, Tiranës apo të Laçit.
Kjo është gjendja e harresës totale, e braktisjes totale të shtetit prej kartoni, e shtetit të babëzisë dhe korrupsionit që është rrëzuar kohë para se tërmeti të rrëzonte shtëpitë e banorëve të Thumanës, Durrësit, Kurbinit dhe zonave të tjera të goditura rëndë.
Jemi në një krizë humanitare, me përmasa të plota, e cila vetëm sa do të thellohet”, tha Basha.