Deputetët që nuk dogjën mandatet u përdoren në mënyrën më përverse politike nga PS dhe kryeministri sa herë që u duheshin për të goditur opozitën reale. Kjo kategori deputetësh që i dha goditjen finale parlamentarizmit në vend, tashmë nuk i duhen më askujt. Ndërkombëtarët e panë se këta nuk përfaqësojnë më asgjë politikisht, por vetëm disa emra në borderonë e Rilindjes. Ndaj dhe nuk i takon më njeri, veçse kur i duhen Taulant Ballës për vota si në “pazarin e Milotit”.
Pakti mes Frontit Opozitar dhe qeverisë për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor u ka dhënë fund historive me opozitë të blerë dhe me diversione të deputetëve që për interesa personale pranuan mandatet. Faktori ndërkombëtar dhe gjithë autoritetet e huaja që ndjekin zhvillimet në Shqipëri, këto ditë kanë çmontuar skemën e Rilindjes për të zëvendësuar opozitën reale të vendit me njerëz të futur në Kuvend me sponsorizimin e qeverisë. Fakti më domethënës ishte dje gjatë vizitës së parë në Tiranë të Komisionerit të ri për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi. Pasardhësi i Johannes Hanhn, mbërriti në Tiranë jo vetëm të diskutuar mbi çështjen e integrimit në BE, që është detyrë e posaçme e zyrës së tij, por edhe për të dhënë një sinjal nga Brukseli për marrëveshjen mes partive politike. Në axhendën e publikuar nga zyra e tij, Komisioneri i Zgjerimit zhvilloi takime publike me gjithë aktorët dhe faktorët kryesorë politikë në vend, por jo me të ashtuquajturit deputetë të “opozitës Parlamentare”. Ai u takua me Presidentin Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministrin Edi Rama, krerët e Frontit Opozitar, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, etj, por nuk zhvilloi takim zyrtar me deputetët që thonë se janë “opozita”. Komisioneri i BE gjeti kohën që të vizitojë dhe zonat e prekura nga tërmeti, së bashku me kreun e qeverisë Edi Rama dhe ministrin Blendi Çuçi. Gjithashtu vizitoi dhe familje të prekura nga tërmeti, ndërkohë në faqen e tij zyrtare nuk ka asnjë takim zyrtar me përfaqësuesit e dy grupeve parlamentare, gjasme opozitare në Kuvend. Të pyetur dje nga “Koha Jonë”, deputetë të rinj që kanë marrë mandatin thanë se nuk kishin asnjë informacion për takim zyrtar të Komisionerit për Zgjerimin me përfaqësues të grupit të tyre. Në takimin mes Gramoz Ruçit dhe Oliver Varhelyi ka qenë e pranishme dhe Rudina Hajdari, por si pjesë e deputetëve të Kuvendit dhe jo në takim të veçantë si përfaqësuese e grupit parlamentar “opozitar”. Me saktë, takimi është bërë me kreun e Kuvendit dhe deputetët e mazhorancës, pasi as njoftimi i BE-së për takimin me Ruçin nuk përmend në asnjë rresht fjalën përfaqësues të opozitës. Nuk përjashtohet mundësia që Kujtim Gjuzi dhe deputetë të tjerë të kenë konsumuar apo konsumojnë kafe private me delegacionin dhe komisionerin e BE në lokalet e Tiranës, por në takimet zyrtare dhe nuk figuron asnjë e dhënë që “opozitarët” janë marrë në konsideratë nga Komisioneri i BE. Në mbrëmje, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca publikoi në Tëitter fotot e gjithë takimeve nga vizita e Komisionerit Oliver Varhelyi. Deputetët e gjasme opozitës nuk figurojnë askund, gjë që konfirmon se për BE-në nuk ka opozitë parlamentare. Në fotot e Sorecës ka dhe një detaj në dukje të rastësishëm që tregon shumë, Rudina Hajdarit është “zhdukur” edhe nga fotoja e takimit të Komisionerit me Gramoz Ruçin.
Mungesa e një takimi zyrtar me deputetët që refuzuan të djegin mandatet ngjan e çuditshme, po të kemi parasysh rëndësinë që u kushtuan një pjesë e ndërkombëtarëve. Kujtojmë që ca eurodeputetë që humbën zgjedhjet dhe sot nuk dihet ku janë zhdukur, nuk iknin nga Tirana pa u konsultuar me Kujtim Gjuzin dhe pa pirë kafe me Ralf Gjonin. Ca ndërkombëtarë të tjerë që sulmonin opozitën reale, nuk harronin kurrë të thërrisnin në takime publike deputetë të blerë, që nuk i njihte askush dhe nuk dihej kë përfaqësonin, për t’i inkurajuar të ndiqnin këshillat e Rilindjes si të eliminohej opozita reale që dogji mandatet. Me orientimin e Rilindjes, deputetët që nuk dogjën mandaten u përdoren në mënyrën me perverse politike sa herë që duheshin për të goditur opozitën reale. Kjo kategori politikanësh që i dha goditjen finale parlamentarizmit në vend, tashmë nuk i duhen më askujt. Ndërkombëtarët e panë se këta nuk përfaqësojnë më asgjë politikisht, por vetëm disa emra në borderonë e Rilindjes. Ndaj dhe kanë vendosur t’i takojnë vetëm kur takojnë deputetët e PS. Më në fund e kupton se kriza nuk zgjidhet me Rilindjen dhe njerëzit e blerë të saj, por me opozitën reale që përfaqëson shumicën e shoqërisë.
Deputetët e blerë edhe Rilindjes tashmë nuk i duhen më si identitete politike, sepse ka vota të ca anonimëve të tjerë që i dalin dhe i teprojnë.
Ata erdhën si bashibozukë dhe po ikin edhe si hajdutë!