Kompania ‘Kurti Construction Shpk & Bredhi Jes Shpk’ është shpallur nga Bashkia e Tiranës si fituese e një tenderi për të bërë kalimin e banorëve, banesat e të cilëve janë u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, nga çadrat te kontenierët (shtëpitë lëvizëse).
Tenderi është bërë me negociim të drejtpërdrejtë dhe kompania ka përfituar 66 milion e 650 mijë lekë. Referuar të dhënave të ‘Open Data’, kontrata është firmosur më 13 janar dhe kompania do të marrë shumën për blerjen e kontenierëve.
Sipas Open Data, objekti i tenderit ishte ‘blerje shtëpi lëvizëse për strehim social në raste emergjence civile’. Në dokumentin e publikuar nga Open Data thuhet se buxheti për realizimin e blerjes së shtëpive lëvizëse është siguruar nga Bashkia e Tiranës.
Nga ana tjetër sipas Dosje.al, procedurat e ndjekura nga bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj bie ndesh me ligjin për prokurimet, ku përcaktohet se në rastet e tenderave me negocim, duhet të jenë në garë të paktën dy kompani.
‘Autoriteti kontraktor, kur përdor procedurën e kufizuar dhe procedurën me negocim, nuk mund ta kufizojë numrin e kandidatëve që ftohen për të paraqitur ofertën.
Për procedurën e kufizuar numri minimal i kandidatëve të ftuar duhet të jetë jo më pak se 5, ndërsa për procedurën me negocim jo më pak se 3 operatorë ekonomikë.
Kur numri i kandidatëve, që kanë shprehur interes është më i vogël se minimumi i përcaktuar, atëherë autoriteti kontraktor mund të vazhdojë procedurën e prokurimit vetëm kur janë të paktën 2 kandidatë. Në njoftimin për tender, autoriteti kontraktor duhet të përcaktojë kriteret objektive, jo diskriminuese, rregullat që do të zbatohen, si dhe numrin minimal të kandidatëve që do të ftohen’, përcakton neni 40, pika 4 e ligjit të Prokurimeve Publike.
Kush është Rabi Kurti?
Rabi Kurti ka qenë i arrestuar më 5 shtator 2019, si një nga biznesmenët VIP, i akuzuar për 4 milionë euro mashtrim me TVSH-në.
Rabi Kurti nuk është një biznesmen i panjohur. Përmes faturave fiktive tatimore, Kurti dhe biznesmenët e tjerë të arrestuar shtatorin e 2019, i shkaktuan shtetit një dëm që kapte vlerën e 4 milionë eurove, pasi rimbursoheshin për vlera që nuk ishin reale.
A ka kryer verifikime bashkia Tiranë para se të jepte tenderin tek një kompani e cila përjashtohet nga tenderat publikë derisa të sqarojë çështjen për të cilën e ka vënë nën hetim prokuroria?