Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të emëruar të Vorës për heqjen e masës së sigurisë ‘Arrest me burg’. Kajmaku, kërkesën për heqjen e kësaj mase, e ka bërë nga arratia. Shkak i rrëzimit të kërkesës nga gjykata është bërë mungesa në seancë e avokatit të Kajmakut.
Masa e sigurisë ‘arrest me burg’ vazhdon të jetë në fuqi dhe pse Kajmaku nuk është gjetur ende, ndonëse të gjithë e dinë se ku ndodhet, por nuk e arrestojnë me porosi nga lart.
Dosja në gjykatë
Ndërkaq, në gjykatë është dërguar dosja hetimore në ngarkim të Agim Kajmakut, ish-kryebashkiakut socialist të Vorës.
Agim Kajmaku ndodhet në arrati që prej kohës kur është shpallur në kërkim nga Prokuroria disa muaj më parë për mashtrim në formularin e dekriminalizimit, tejkalim kompetencash si dhe falsifikim dokumentash të kryer në bashkëpunim, ndërsa procesi gjyqësor është ndjekur pa praninë e tij.
Në 16 Janar, kanë përfunduar hetimet për ish-kryebashkiakun e Vorës që u shkarkua nga KQZ pas publikimit të dokumentave nga ana e Partisë Demokratike se kishte qenë i dënuar nga autoritet greke. Kajmaku nuk është përballur drejtpërdrejt me akuzat, ndërsa këtë e ka bërë avokati i tij. Pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria për kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku, çështja është dërguar në Gjykatën Penale të Tiranës për tre akuzat e sipër-përmendura.
Akuzat
Prokuroria ka bërë me dije në rrugë zyrtare se Kajmaku kërkohet në lidhje me hetimin e nisur ndaj tij për falsifikim të formularëve, denoncuar së pari nga opozita që ngriti zërin gjatë verës dhe tregoi që Agim Kajmaku kishte qenë i dënuar në Greqi. Ai nuk e kishte raportuar këtë fakt në formularët e dekriminalizimit. Për këtë shkak, u shkarkua nga KQZ nga detyra e kryebashkiakut.
Nga ana tjetër, prokuroria pohon se ai është nën hetim edhe për ushtrim të funksioneve pas dhënies fund të detyrës duke qenë se ka shkarkuar dy nënkryetarë te bashkisë pikërisht ditën kur komisioni qendror i zgjedhjeve i ndërpreu unanimisht mandatin si edhe ka shpërdoruar detyrën. Lidhur me këtë akuzë, avokati i Kajmakut pretendon se këto dy lëvizje janë bërë më 31 Tetor.