Nga Georgi Gotev, EURACTIV
Diplomatët ende po e pyesin veten se çfarë fshihet pas inicativës së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të cilët tetorin e kaluar vendosën të avancojnë bashkëpunimin rajonal duke formuar një të ashtuquajtur Mini-Shengen në Ballkanin Perëndimor.
Por nëse iniciativa është e mirë, pse kritikohet në vetë rajonin?
Kosova, e cila lufton akoma për njohje ndërkombëtare, është veçanërisht e tërbuar, pasi e sheh atë si një tradhti nga vendi motër, Shqipëria, e cila po flirton me armikun e vjetër, Serbinë. Në Shqipëri vetë, opozita kritikon ashpër idenë, e cila ngjall dyshime për qëndrueshmërinë e saj.
Nga ana e tij, Mali i Zi deklaroi se nuk është i interesuar të bashkohet, sepse, mes të tjerash, nuk sheh ndonjë vlerë të shtuar. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qëndrore (CEFTA), e cila garanton një shkallë të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.
Anëtari i BE dhe fqinji ballkanik, Bullgaria, nuk e pëlqen iniciativën, sepse ajo mban erë përpjekjesh për të ringjallur një formë të Jugosllavisë ose të Serbisë së Madhe, e cila vazhdimisht kërkon të vendosë Shkupin nën kontroll.
Një eurodeputet nga partia në pushtet në Bullgari, GERB, theksoi se kjo është një inicativë e Serbisë dhe shtoi se Beogradi ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia.
Maqedonia e Veriut po zhvillon zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill. Opozita nacionaliste VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski është fuqimisht pro-serbe dhe Mini-Shengeni është muzikë për veshët e tyre.
Ajo që është e qartë ëshët se nga Mini-Shengeni përfiton Serbia. Vendi i izoluar me tokë, me më pak se 7 milionë banorë (Jugosllavia kishte 23 milionë) ka nevojë absolute ta projektojë veten në një kornizë më të madhe. Mini-Shengeni ka potencialin për të përfshirë 12 milionë banorë.
Shqipëria nuk ka qenë kurrë pjesë e Jugosllavisë, kështu që akoma më mirë: sigurohet dalja në Adriatik në vend të anëtarësimit të Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë. Dhe një bonus: Kjo e poshtëron vërtet Kosovën.
Në fund të fundit, anëtarësimi në BE nuk është për nesër dhe, në mungesë të shanseve reale për anëtarësim, lagjia do të formësohet nga aktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Në një balancë, shumë do të thonë: Serbia e Madhe është ndoshta më e mirë se Shqipëria e Madhe.