Intervista/Paralajmëron prokurori amerikan: Ja hapi tjetër që presim nga SPAK, do t’ua bëjë të vështirë zyrtarëve …

E Enjte, 30 Janar 2020 18:26

Gjon Junçaj, prokurori federal amerikan që ndihmoi në kryerjen e reformës në drejtësi në Shqipëri, thotë se strukturat reja anti-korrupsion, si SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, do ta bëjnë shumë të vështirë për zyrtarët e lartë që të përfshihen në akte korrupsioni.

Në intervistën me kolegen Menada Zaimi, Zoti Junçaj u përgjigjet pyetjeve mbi rolin që duhet të luajë SPAK-u në raport me disa nga dosjet më të bujshme në Shqipëri, të mbyllura ose në proces hetimi.

Zëri i Amerikës: Z. Junçaj, në korrik 2016 Shqipëria ndryshoi Kushtetutën duke i hapur rrugë reformës në drejtësi. Rreth tre vite e gjysmë më vonë, a mendoni se janë përmbushur pritshmëritë?

Gjon Juncaj: Mendoj se të gjithë e kuptuan kur u miratua reforma, se do të ishte një rrugë e gjatë. Kurdoherë që bëhen reforma e ndryshime aq të thella në një sistem juridik, duhet kohë që reforma të kryhet në mënyrën e duhur e me kujdes. Kjo po merr kohë, por gjëja e rëndësishme është se jemi drej asaj rruge.

Zëri i Amerikës: Sot vendi është pa Gjykatë të Lartë. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon dhe presidenti e parlamenti akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të Kushtetutës, për shkak të mënyrës se si i kanë zgjedhur anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Opozita nga ana tjetër akuzon qeverinë socialiste për “kapje” të sistemit të ri të drejtësisë. Kjo situatë nuk duket sikur flet për një sistem të ri e të besuar drejtësie. Cili është mendimi juaj?

Gjon Junçaj: Kur reforma u miratua dhe u hartuan ligjet sikurse janë tani, u tregua kujdes që të kishte drejtësi, si në shembullin e Gjykatës Kushtetuese, që Presidenti, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Parlamenti, secili të kishte një radhë për të emëruar dikë. Padyshim që ky është një problem, që Gjykata Kushtetuese nuk po funksionon aktualisht. Por gjëja e rëndësishme është që Presidenti, Parlamenti të gjithë ata që janë të përfshirë, të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur këtë çështje, të mos shkaktojnë probleme të reja, apo t’i bëjnë ato edhe më keq, por të bashkëpunojnë e të arrijnë konsensus dhe në një farë mënyre ta çojnë përpara reformën.

Zëri i Amerikës: Si mund të arrihet konsensusi?

Gjon Junçaj: Këtë duhet ta vendosin ata. Ajo çfarë është inkurajuese për mua aktualisht është se Shtetet e Bashkuara e kanë përforcuar misionin e tyre duke dërguar ambasadoren Kim në Shqipëri. Jam i sigurt se ambasada e SHBA-së do të vazhdojë me përpjekjet e saj për të përkrahur dialogun mes të gjitha palëve dhe individëve që janë të përfshirë në këto çështje, për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj apo çështjeve të tjera që mund të dalin.

Zëri i Amerikës: Disa javë më parë, Shqipëria krijoi Strukturën Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK-un. Publiku pret që ajo “të pastrojë shtëpinë”. Presioni mbi të është i lartë. A mendoni se do t’i përmbushë pritshmëritë?

Gjon Junçaj: Le të jemi të qartë për diçka. Ajo që ka nisur nga puna është zyra e Prokurorit të Posaçëm. SPAK-u është më shumë se kaq. Ne kemi gjithashtu nevojë për Byronë Kombëtare të Hetimit, krahu hetues i SPAK-ut, si dhe gjykatat e SPAK-ut. Ky është SPAK-u! Nuk është vetëm tetë apo 10 prokurorë, është më shumë se kaq. Mendoj se ky është një hap i parë i rëndësishëm, për të cilin u desh shumë kohë për të arritur deri këtu. Por po aq e rëndësishme mendoj është, nëse pyesni prokurorët në Shtetet e Bashkuara ose në Shqipëri, ata do t’ju thonë se kemi nevojë për këta hetues dhe ky është hapi tjetër që duhet të presim. Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Drejtësisë në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit do të jenë atje për të ndihmuar në këtë proces.

Zëri i Amerikës: Po thoni se SPAK-u nuk mund të punojë pa BKH-në?

Gjon Junçaj: Mund të funksionojë, por ne presim që ajo të funksionojë më mirë me të sapo trajnuarit, hetuesit e rinj që do të bëhen pjesë e BKH-së. Sigurisht që mund të funksionojë. Duhet të kemi parasysh gjithashtu se kjo është një strukturë e re që trashëgoi të gjitha rastet që kishte Prokuroria e Krimeve të Rënda, pra ata nuk po fillojnë gjithçka nga e para. Ata gjithashtu duhet të zbatojnë rregullat e tyre të brendshme, duhet të kuptojnë se si të veprojnë më mirë si një strukturë e re prokurorie. Jam i sigurt që populli shqiptar do të donte të shihte rezultate që në ditët e para, por pritshmëritë duhet të jenë që në planin afatgjatë, në muajt dhe vitet në vazhdim, ata do të kenë një zyrë prokurorie që do t’u shërbejë atyre më mirë sesa ajo që ishte më parë.

Zëri i Amerikës: A prisni që këto struktura të krijohen së shpejti?

Gjon Junçaj: Di që po kërkojnë prokurorë të rinj dhe mendoj se afati po afrohet. Drejtuesi i ri i SPAK-ut ose Prokurorisë së Posaçme z. Kraja duhet të zgjedhë me të tjerë, kreun e ri të BKH-së. Pra këto hapa po hidhen dhe natyrisht është e lehtë të thuhet, le të presim! Duhet të presim dhe t’i japim kohë që të ngrihet.

Zëri i Amerikës: Sipas organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, korrupsioni në Shqipëri është përkeqësuar gjatë 4 viteve të fundit. Ju keni punuar atje për disa vite dhe mund të supozohet se keni informacione të brendshme. Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri? Njerëzit mendojnë se të gjithë politikanët janë të korruptuar. A është ky një mit?

Gjon Junçaj: Kam biseduar me qytetarët atje, e natyrisht që ata kanë arsye të shqetësohen për mënyrën se si vendi i tyre është drejtuar 30 vitet e fundit dhe padyshim përpara kësaj, gjatë periudhës së komunizmit. Pra ata janë shumë të pakënaqur. Informacioni më i rëndësishëm që unë kam marrë, ka ardhur nga vetë njerëzit atje. Por jo çdo fjalë në rrugë, nëse mund të shprehem kështu, është e vërtetë. Mirëpo, në kushtet kur rinia shqiptare largohet nga vendi, në një shkallë që është më e lartë se në çdo vend tjetër në Evropë, kjo në vetëvetë thotë gjithçka që ju duhet të dini, se cilat janë problemet në rrënjë. Dhe mendoj se ato të çojnë gjithmonë tek politika dhe sistemi i drejtësisë që nuk u ka shërbyer qytetarëve ashtu siç duhej. Kështu që shpresoj se po ecim përpara. Ndërsa reforma përparon, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Bashkimin Evropian do të ndihmojnë që ajo të kryhet ashtu siç duhet, që gjërat të përmirësohen.

Zëri i Amerikës: A mendoni se strukturat e reja të drejtësisë kanë burimet e nevojshme financiare apo kapitalin e duhur njerëzor për t’u përballur me krimin e organizuar dhe korrupsionin?

Gjon Junçaj: Shtetet e Bashkuara përmes Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë do të investojnë miliona dollarë në trajnime dhe sigurimin e burimeve teknike për SPAK-un. Do të ketë gjithashtu ekspertë të Departamentit të Drejtësisë atje për t’i ndihmuar. Kështu që ata do të kenë aftësinë për të bërë punën që duhet të bëjnë. Natyrisht që prova e vërtetë dhe që presim është nëse puna do të bëhet. Dhe mendoj se populli shqiptar pret që kjo të ndodhë. Prokurorët e rinj, kryeprokurori i ri dhe të gjithë prokurorët dhe hetuesit e tjerë u vetofruan dhe e pranuan vetë atë përgjegjësi dhe njerëzit duhet të presin që ata ta bëjnë këtë. Ata duhet t’i përmbahen atij standardi që kanë pranuar.

 

Zëri i Amerikës: Së fundmi Partia Demokratike në Shqipëri ka akuzuar kreun e SPAK-ut mbi një çështje të njohur, që lidhet me blerjen dhe manipulimin e votave, që opozita dyshon se përfshin përfaqësues të Partisë Socialiste dhe zyrtarë të qeverisë. SPAK-u ia riktheu çështjen zyrës lokale të prokurorisë, por Partia Demokratike mendon se ky rast duhet të hetohet nga SPAK-u, sepse ai përfshin zyrtarë të lartë. Si mendoni ju, a është kjo mënyra se si duhet të funksionojë SPAK? Çështja e blerjes së votës ka qenë në themel të krizës politike në Shqipëri.

Gjon Junçaj: Pa komentuar këtë rast të veçantë, nuk duhet të harrojmë se SPAK-u nuk është e vetmja zyrë prokurorie në Shqipëri. Mandati i SPAK-ut është të shkojë pas krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe në këtë hetim të veçantë, nëse ka pretendime dhe indicie për korrupsion në nivelin politik, atëherë sigurisht që SPAK-u duhet ta ndjekë këtë, kjo nuk do të thotë që nëse rasti i transferohet një zyre më të ulët të prokurorisë ky është domosdoshmërisht një veprim i gabuar. Nuk e di përgjigjen nëse duhet të ishte bërë apo jo. Por ajo që është e rëndësishme është se prokuroria dhe çdo qytet tjetër, pavarësisht nëse është Dibra, Durrësi apo të gjithë ata prokurorë nën drejtimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm z. Çela, edhe ata kanë një punë për të bërë. Të mos harrojmë se çështjet nuk fillojnë gjithmonë në një zyrë të nivelit të lartë të prokurorisë. Mund të jetë një çështje lokale në Dibër, në Shkodër….ku është hetuar për shpërdorim detyre ose për një rast mashtrimi financiar dhe ndërsa hetimi përparon ata e kuptojnë se kemi të bëjmë me rast korrupsioni dhe këto raste janë menduar të transferohen në SPAK. Pra gjithçka që mund të them është, pa e komentuar rastin në fjalë, sepse nuk e njoh, nuk është vetëm SPAK-u që duhet të bëjë punën e vet, por janë të gjitha zyrat e tjera të prokurorive lokale. Në fund të ditës, ata duhet të punojnë së bashku.

Zëri i Amerikës: Edhe kur prokuroria lokale thotë se nuk mund të hetojë këtë rast duke shpallur moskompencën për ta bërë atë dhe ia ka kthyer çështjen SPAK-ut?

Gjon Junçaj: Nuk dua t’i gjykoj vendimet e prokurorëve, janë ata që vendosin, se ku duhet të shkojë një çështje. Por gjëja më e rëndësishme është që zyra e prokurorit dhe hetuesit duhet të bëjnë përpara me çdo hetim ku ekzistojnë pretendime të ligjshme për krim, nëse bëhet fjalë për blerje votash apo gjëra të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Junçaj, a mendoni se qeveria aktuale ka vullnetin të luftojë korrupsionin? Ditët e fundit, autoritetet rrëzuan disa prej akuzave më të rënda kundër kompanisë “DH Albania”, një kompani fiktive, që kishte falsifikuar dokumentet me të cilat u regjistrua në shtetin Delaware, kishte falsifikuar firmën e sekretarit të këtij shteti. Është pothuajse e sigurt se pas “DH Albania”, qëndron një nga biznesmenët më të pasur në Shqipëri me lidhje të ngushta me qeverinë, e megjithatë nuk shohim që autoritetet t’i shkojnë pas, ose pas zyrtarëve që u dhanë kontratën me vlerë 30 milionë. Një rast i dytë ishte mbyllja e një çështjeje tjetër të bujshme, hetimet ndaj “CEZ-it”. Çfarë do të thotë kjo sipas jush?

Gjon Junçaj: Siç e thashë përpara, transferimi i të gjitha çështjeve në SPAK ishte diçka që e priste Prokurorinë e Posaçme. Nuk mund të ofroj një mendim nëse ai ishte një vendim i duhur, apo i gabuar nga prokuroria për t’i mbyllur apo tranferuar ato, sikurse shembujt që ju dhatë më parë. Padyshim që gjykimi i prokurorit që e ka dosjen në dorë, është më i rëndësishmi dhe nëse ai është vendimi i duhur apo i gabuar, u takon të tjerëve ta gjykojnë. Por patjetër për fat të keq, ka pasur raste që tashmë ishin në këtë prokurori që nuk kishin përfunduar. Do të ketë raste të tjera të reja që ecin përpara. Mendoj se shqiptarët duhet të presin, pasi do të duhet kohë që këto gjëra të zbatohen e të bëhet përpara. Mendoj se do të jetë më mirë të gjykosh suksesin e Prokurorisë së Posaçme në të ardhmen. Kjo nuk do të thotë që ju nuk mund të vini në dyshim se çfarë po bëjnë ata sot, por ajo që është më e rëndësishme është që kjo gjë të bëhet hapur e me transparencë, dhe pastaj ky diskutim duhet të bëhet mes prokurorëve dhe publikut, mendimi i të cilit natyrisht është i rëndësishëm gjithashtu.

Zëri i Amerikës: Në intervistën e fundit që dhatë në Shqipëri ju thatë se nuk është e rëndësishme vetëm të hetohesh, por të kryhet një hetim i plotë. Po u jepnit një këshillë specifike prokurorëve?

Gjon Junçaj: Kjo vlen për çdo rast, sigurisht. Një hetim nuk është të lëvizësh vetëm një gur, nëse mund të shprehem kështu, por të lëvizësh gjithë gurët e mundshëm. Për të gjitha rastet, hetimet e plota janë jetike, sigurisht.

Zëri i Amerikës: Z. Junçaj, ju keni qenë në Shqipëri për tre vjet si këshilltar ligjor dhe e njihni kulturën e vendit. Sa e vështirë është që një prokuror të punojë në një mjedis ku njerëzit të gjithë e njohin njëri tjetrin dhe sekretet dalin lehtë?

Gjon Junçaj: Është padyshim një vend shumë më i vogël sesa Shtetet e Bashkuara dhe njerëzit kanë më pak distancë mes tyre. Këto janë gjëra të vështira për t’u trajtuar. Por ne duhet të kujtojmë se për sa i takon Prokurorisë së Posaçme këta njerëz, që u ofruan me dëshirë, vendosën emrin e tyre për t’u zgjedhur si anëtarë të SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme. Shpresojmë e presim që ata e bënë këtë gjë sepse besojnë në një qëllim më të lartë për t’i shërbyer të ardhmes së Shqipërisë. Ata e dinë që pas kësaj zgjedhjeje do të ketë presion, pritshmëri të mëdha. Dhe shpresa jonë në Departamentin e Drejtësisë është që ata po e bëjnë këtë për arsyet e duhura. Ne jemi aty për t’i mbështetur dhe kjo është e rëndësishme, shqiptarët duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara përmes Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë do të jenë atje në çdo hap për t’i ndihmuar ata të jenë më të mirët si zyrë e Prokurorisë së Posaçme.

Zëri i Amerikës: A do ta monitoroni punën që do të kryejë SPAK-u apo Byroja Kombëtare e Hetimit?

Gjon Junçaj: Nuk do të përdorja termin monitorim. Do të jemi atje për t’i ndihmuar në punën e tyre. Synimi nuk është të trajnojmë e të largohemi. Departamenti i Drejtësisë përmes OPDAT-it dhe Departamenti i Shtetit përmes burimeve të tjera të financimit kanë ndihmuar për shumë vite dhe do të vazhdojnë për shumë vite të tjera të ndihmojnë zhvillimin e sistemit gjyqësor shqiptar. Pra monitorimi nuk është fjala e duhur, por mbështetja është një fjalë e mirë për t’u përdorur, duke i ndihmuar ata përmes trajnimeve. Ka ekspertë dhe prokurorë shumë me përvojë aktualisht atje tani, do të ketë të tjerë në të ardhmen për t’i ndihmuar që ata të bëjnë punën më të mirë të mundshme. Kjo do të vazhdojë, sigurisht.

Zëri i Amerikës: Në intervistën tuaj përpara se të largoheshit nga Shqipëria thatë se “ajo që dëshiron të shohë populli shqiptar është se kur ka indicie të veprimtarisë kriminale në nivelet më të larta të qeverisë, prokurorët do ta hetojnë atë”. Ju përmendët hetimin e ish-Ministrit të Brendshëm dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Çfarë mendoni për këto dy raste tani?

Gjon Junçaj: Di që ish-ministri i Brendshëm u dënua, nuk u dënua me afat burgimi. Por mendoj se është një gjë e rëndësishme në kuptimin që kjo do të jetë një njollë që do ta ndjekë ish-ministrin kudo. Mendoj se dërgon edhe një mesazh në një mjedis shumë të vështirë. Duhet të keni parasysh sigurisht që kjo ndodhi para SPAK-ut ose gjykatës së SPAK-ut, pra prokurorët ishin të gatshëm ta hetonin atë duke bindur gjykatën se ai ishte fajtor për krimin për të cilin ishte akuzuar. Jam i sigurt se kjo dërgon një mesazh edhe tek njerëzit e tjerë, politikanët e tjerë dhe njerëzit në qeveri që duan të ndjekin një rrugë të ngjashme. Mendoj se ajo që duhet të presin ata tani është se do të jetë më e vështirë të kryhen krime kur të jenë një post zyrtar. Ajo që i pret ata në të ardhmen, do të jetë një zyrë e Prokurorit të Posaçëm dhe hetuesish që do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara e partnerëve të tjerë për të bërë një punë më të mirë se sa deri tani. Shpresoj se do të bëhet më e vështirë që kjo lloj veprimtarie kriminale të ndodhë në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Me lejoni t’ju përmend se çfarë tha ambasada amerikane lidhur me dënimin e ish-ministrit të Brendshëm. Ndërsa dënimi i zotit Tahiri lidhur me akuza për shpërdorim detyre jep një sinjal të rëndësishëm për të ecur përpara, dënimi i tij është shkurajues nisur nga serioziteti i akuzave. A do të vazhdojë të ndodhë kështu në Shqipëri? Hetime, akuza dhe në fund shpëtojnë pa vuajtur dënimin?

Gjon Junçaj: Por ata po largohen me njollë. Sigurisht, mendoj se çdo prokuror do t’ju thotë se ku ka një dënim sidomos për shpërdorim detyre, ose korrupsion, ose lloje të tjera të krimeve si mashtrimi, ne presim një dënim që përfshin burgosjen ose diçka tjetër, që është e përshtatshme. Mendoj se ajo me të cilën populli shqiptar është më shumë i irrituar deri tani është se ka shumë njerëz që shkojnë në burg, por gjithnjë janë njerëz të rangjeve të ulta, janë njerëzit që nuk kanë mbrojtje politike. Shqiptarët kanë të drejtë të shpresojnë, apo të presin në të ardhmen që njerëzit vërtet të ndëshkohen, pavarësisht se cilët janë. Kështu që mendoj që ky është një hap i parë i rëndësishëm, por nëse do të isha një politikan shqiptar dhe do të isha i përfshirë në korrupsion në Shqipëri, nuk do t’i bëja më llogaritë duke shpresuar për të njëjtin rezultat në të ardhmen. Mendoj se kjo u dërgon një mesazh politikanëve dhe kriminelëve të tjerë, që gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen, kjo është ajo që populli shqiptar pret dhe Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë për përgatitjen e prokurorëve dhe hetuesve, që të kryejnë një punë më të mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti Junçaj a besoni që ka ardhur koha t’i jepet fund kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri?

Gjon Junçaj: Besoj që populli shqiptar e meriton. Ne si SHBA jemi krah për krah me popullin shqiptar gjithmonë, prej ditës së pavarësisë më shumë se 100 vite më pare e deri sot, dhe në vitet që do vijnë gjithmonë do të jemi krah për krah me popullin shqiptar. Ne presim që premtimi që u dha në 2016, për sa i takon reformës në drejtësi, të mbahet. Ne si SHBA jemi gati për të ndihmuar me zbatimin e këtij premtimi, jemi krah për krah me popullin shqiptar dhe presim që ky premtim të përmbushet./VOA

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...