Europa nuk i ka mbyllur dyert e Shqipërisë, por të korrupsionit

E Enjte, 06 February 2020 15:19

Nga Jorida Tabaku

Dje, BE ka miratuar një metodologji të re për procesin e hapjes së negociatave. Tanimë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë të qartë rrugën që duhet të ndjekin për të nisur bisedimet për hyrjen në BE. Shqiptarët rrugën për këtë proces e kanë të përshkruar qartë nga 9 kushtet e Bundestagut që do të pasohet më pas me një vëzhgim të imtësishëm nga ekspertët e BE-së dhe të vendeve anëtare mbi çdo bashkësi të reformave që do ndërmerren.

Natyrisht që ndonëse BE ka ndryshuar metodologjinë, në themel të saj kanë mbetur parimet themelore të integrimit; mbështetja e pamohueshme e BE-së se vendet e BP duhet të integrohet, besimi i patundur që ky integrim vjen si pasojë e meritës mbi çfarë është arritur, vazhdueshmëria e reformave pasi ato janë për qytetarët dhe jo fasadë. Mbi të gjitha, baza kryesore e integrimit mbeten demokracia institucionale, sundimi i ligjit dhe reformat ekonomike. 

Rruga e përcaktuar nga metodologjia e re është një një dinamikë e mundshme për një qeveri që ka vullnetin për integrim. Diçka që i ka mungar realisht kësaj mazhorance që në ditën e parë të pushtetit. Rruga e integrimit për në BE është e mundimshme por jo e pamundur dhe shpresoj shumë që qeveria ta shohë këtë si një mundës dhe incentiv për të bërë më shumë dhe jo për të bërë më pak.

Më shumë konferenca ndërqeveritare ku bëhet raportim për plotësim kriteresh, më shumë dialog politik, më shumë vullnet politik dhe angazhim nga të dyja palët. Mundësi financiare për ato që performojnë më mirë, mundësi për të zhvilluar dhe ekonomikisht vendet që janë në këtë proces duke ndihmuar që të përmirësohen dhe treguesit ekonomike janë të gjithë tregues se ky proces do të jetë një proces reflektimi e përmirësimi dhe për vetë vendet.

Por ajo që është më e rëndësishme është kredibiliteti: ky është një proces kredibiliteti dhe angazhimi për reforma që zbatohen dhe jo reforma në letër, për ndryshime reale dhe jo për propagandë.

Europa nuk i ka mbyllur dyert e shqiptarëve, gjithmonë i ka ofruar mundësi. Por BE, sigurisht që kurrë nuk do t’i ketë dyert e hapura për krimin, korrupsionin, migracionin, kapjen e drejtësisë dhe për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme!

Login to post comments