“Kosova duhet të heqë tarifën ndaj Serbisë, pa reciprocitet”, ky ishte mesazhi i radhës i SHBA-ve.
Kërkesa e parë që erdhi nga SHBA-të ndaj Kurtit si kryeministër ishte heqja e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, ndërsa sot është kërkuar heqja e taksës, madje edhe mos-vendosja e reciprocitetit, shkruan lajmi.net.
Kurti, i cili dikur pohonte se tarifa nuk duhet të hiqet tani ka ndryshuar qëndrim duke thënë se kjo duhet të zëvendësohet me reciprocitet, por, këtë po e kundërshtojnë SHBA-të.
“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Dick Custin, këshilltar për Marrëdhënie me Publikun në ambasadën amerikane në Gjermani.
Lidhur me këtë, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim publik, por sa i përket kërkesës së SHBA-ve, lajmi.net ka kontaktuar me ekspertë të ekonomisë dhe politikës për t’i marrë mendimet e tyre.
Muhamet Mustafa, ekspert i ekonomisë për lajmi.net është shprehur se takska ka ndodhur në një kohë kur Serbia ishte destruktive në raport me Kosovën, por sipas tij, SHBA-të duhet të kërkojnë edhe ndaljen e fushatës nga Serbia kundër Kosovës.
Sipas Mustafës, reciprociteti është normë reale dhe nuk do të duhej të diskutohej kaq shumë.
“Tarifa ka ndodhur në një kohë kur Serbia është treguar destruktive karshi pavarësisë së Kosovës si një përgjigje dhe kjo lidhet me atë çështje dhe mund të hiqet nëse Serbia e ndryshon qëndrimin dhe SHBA-të kanë kërkuar edhe ndaljen e fushatës së Serbisë që e dëmton Kosovën në pozitën ndërkombëtare, njohjen dhe pjesëmarrjen në organizmat ndërkombëtar dhe Kosovën ta heq taksën. Por, reciprociteti është normë reale dhe parimisht nuk do të duhej të diskutohej sepse në qoftë se reciprociteti mund të ketë ndikim, mund të jetë pozitiv edhe negativ do të thotë, t’i përgjigjen një veprimi pozitiv ose negativ të një vendi tjetër dhe nuk duhet të lidhet taksa me reciprocitet, Kosova nëse e konsideron vetën shtet e ka mundësinë ta aplikojë reciprocitetin jo vetëm me Serbinë por me çdo shtet.”, tha Mustafa për lajmi.net.
Më tutje, Mustafa është shprehur se SHBA-të kërkojnë nga të dy anët përmirësimin e marrëdhënieve, por sipas tij, askush smund t’ia mohojë Kosovës reciprocitetin.
“Nuk është kërkesë eksplicite e SHBA-ve, nëse Serbia nuk t’i pranon as vulat, nuk ka çfarë. SHBA-të kërkojnë nga të dy anët të përmirësohen marrëdhëniet. Kosovës askush smund t’ia mohojë reciprocitetin dhe sigurisht duhet të jetë proporcional kështu që Kosova duhet të diskutojë në çfarë mase do të aplikohet.”, tha Mustafa për lajmi.net.
Më tutje, ai është shprehur se diskutimi i madh për tarifën dhe reciprocitetin po tregon papjekuri politike.
“Mirëpo, taksa, reciprociteti si po diskutohet, tregon papjekuri politike. Shteti i ka instrumentet e veta dhe vepron, duhet të jemi më të përmbajtur sepse duke kriju fushata për taksë e reciprocitet nuk bëhet mirë.”, tha eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa për lajmi.net.
Në anën tjetër, eksperti i çështjeve politike, Jeton Brajshori për lajmi.net është shprehur se SHBA-të e kanë marrë shumë seriozisht çështjen e taksës dhe reciprocitetit.
“Ajo çka SHBA-të kanë proklamuar më herët, tani më ka marrë trajtë serioze, duke kërkuar me ngulm heqjen e taksës 100% dhe mos përkrahur masat e reciprocitetit. Ambasadori Grenell dje bëri të qartë se është kundër reciprocitetit, ndërsa sot po çarkullojn lajme se SHBA-të do të anulojnë të gjitha investimet në Kosovë deri sa të hiqet taksa”, tha Brajshori për lajmi.net.
Më tutje, Brajshori është shprehur se qasja e ambasadorit Grenell është e njëanshme. Ai ka thënë se Trump në prag të zgjedhjeve presidenciale ka nevojë që të bëjë fushatë me sukseset në politikat e jashtme dhe kjo mund të jetë arsyeja.
“Mendoj që kjo qasje e ambasadorit Grenell është e njëanshne duke bërë presion vetëm në palën kosovare , ndërsa Serbia vazhdon me lobim kundër pamvarsisë së Kosovës. Këtu vihet në pah ajo çka kemi theksuar më herët, se presidentit Trump në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA i nevojiten disa adute për fushat, ku do të tregonte se SHBA-të kanë arritur suksese në politikat e jashtme duke bërë paqe mes vendeve që janë me dekada në konflikte.”, tha Brajshori për lajmi.net.
Në fund, ai është shprehur se Kosova mund t’i pezullojë përkohësisht tarifat dhe reciprocitetin por me garancion nga SHBA-të për sjelljet e Serbisë karshi pavarësisë së Kosovës.
“Pala serbe gjithmonë ka theksuar se është e gatshme për vazhdimin e dialogut po sa të hiqet taksa, kjo është edhe arsyeja e presionit të ambasadorit Grenell që mos të ketë as masa reciprociteti nga frika se Serbia do të refuzoj dialogun, pala kosovare është në pozicion të vështirë dhe të padrejtë, do të duhet të marrë vendimin më të mirë të mundshëm i cili për momentin duket se do të jetë pezullim i përkohshëm i taksës dhe reciprocitetit. Mirpo pala kosovare duhet të kërkoj garanci nga ambasadori Grenell që edhe Serbia të mos vazhdoj me bllokimin e antarsimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar, në të kundërten ne do të dalim nga ky dialog si palë e dëmtuar.”, tha Brajshori për lajmi.net.
Vlen të theksohet se SHBA-të kanë kërkuar vazhdimisht të pezullohet taksa 100 për qind për produktet serbe nga ish-kryeministri Haradinaj por kjo nuk ka ndodhur.
Në anën tjetër, në opinionin publik çarkullojnë zëra se pikërisht kjo është çështja që ka bërë që Haradinaj të japë dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit.
Se cili do të jetë qëndrimi i Vetëvendosjes karshi kësaj kërkese të SHBA-ve mbetet të shihet.