Kreu i Dhomës Ekonomike të Kosovës: Kryeministri ta shoqërojë zëvendësimin e tarifës me një varg kërkesash ndaj Serbisë

E Enjte, 13 February 2020 08:43

Kryetari i Dhomës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një letër publike drejtuar kryeministrit Albin Kurti ka kërkuar që zëvendësimi i tarifës me çfarëdo lloj mase tjetër duhet të përcillet me një varg kërkesash në raport me Serbinë, sidomos duke pasur parasysh numrin e lartë të barrierave jotarifore gjatë transitit apo eksportit në tregun e Serbisë, shkruan sot “Koha Ditore”. Rukiqi ka përmendur hulumtimin e OEK-së, sipas të cilit pas vendosjes së taksës 100 për qind, sektori prodhues në vend ka deklaruar rritje të aktivitetit biznesor.

Ai ka kërkuar vëmendjen e Kurtit për pengesat ekonomike të prodhimeve kosovare në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. “Zbatimi i Marrëveshjes CEFTA vazhdon të shoqërohet nga vështirësi të shumta për Kosovën për shkak të pengesave të aplikuara kryesisht nga vendet e sipërcekura, duke konsideruar faktin që këto shtete nuk pranojnë asnjë produkt që ka origjinën kosovare. Barrierat e aplikuara karshi Kosovës janë zakonisht të natyrave të ndryshme, duke përfshirë barrierat teknike të tregtisë dhe standardet sanitare dhe fito sanitare. Në të njëjtën kohë, transitimi i produkteve të Kosovës ballafaqohet me pengesa administrative të vazhdueshme”, ka shkruar Rukiqi.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur si pengesë edhe mosnjohjen e pasaportës dhe dokumenteve të udhëtimit, nga të cilat sipas tij, dëmi më i madh u shkaktohet bizneseve për shkak të kohës, por edhe domosdoshmërisë që të angazhojnë logjistikë (sektori i transportit) nga vendet e rajonit. Më tej, në letrën drejtuar shefit të ekzekutivit kosovar, Rukiqi ka potencuar se nga viti 2008, shumë kompani kosovare janë duke u përballur me problemin e transitit përderisa importojnë nga vendet e BE-së dhe kalojnë nëpër territorin e Serbisë në pika të ndryshme kufitare.

Në fund të letrës, kreu u OEK-së, ka thënë se shteti serb nuk e njeh asnjë dokument të lëshuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, me përjashtim të EUR1 të lëshuar nga Dogana e Kosovës. Ndaj, në këtë kontekst, Rukiqi ka kërkuar një analizë të detajuar të kërkesave të bizneseve dhe implikimeve të tjera para marrjes së vendimeve që prekin veprimtarinë e tyre e rrjedhimisht mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Login to post comments