Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me drejtuesen e misionit të Bankës Botërore, Maryam Salim. Në këtë takim, Basha tha se Shqipëria ka ekonominë më të rrezikuar në rajon.
Sipas kreut të opozitës, misioni i PD do të jetë ringritja e ekonomisë dhe rikthimi i shpresës.
“Gjatë takimit me znj. Maryam Salim, Drejtuesen e Misionit të Bankës Botërore dhe ekipin e saj, diskutuam mbi projektet e BB dhe ekonominë shqiptare të zhytur në kolaps. Sot zyrtarisht, 1 në 2 shqiptarë nuk plotëson kriteret minimale të mbijetesës. Konsumi është në minimumin historik. Rënia rekord e besimit në ekonomi nga qytetarët dhe biznesi e bën vitin 2020 akoma dhe më të vështirë se ai që lamë pas.
Shqetësimi kryesor është te rritja pa kriter e borxhit publik, rritja e detyrimeve të prapambetura me 600 milionë euro, kriza ekonomike dhe rreziqet nga aferat korruptive të maskuara si PPP dhe koncesione korruptive. Kjo e shoqëruar edhe me aferën e të ashtuquajturës Korporatë e Investimeve e kanë kthyer Shqipërinë në vendin me ekonominë më të rrezikuar në rajon.
Konfirmova angazhimin tim se për Partine Demokratike nuk ka betejë më të rëndësishme se lufta ndaj korrupsionit shtetëror, i cili po largon shqiptarët, po shkatërron ekonominë dhe po vret shpresën.
Partia Demokratike është e angazhuar për ta ringritur ekonominë dhe rikthyer shpresën e besimin se vetëm me punë të ndershme e të drejtë, me konkurrencë të lirë, me taksa të ulëta do ta kalojmë këtë krizë e do të krijojmë mundësi punësimi e zhvillimi për çdo shqiptar,” tha Basha.