Trysni diplomatike rreth tarifave të Kosovës dhe fushatës së Serbisë

Diel, 16 February 2020 08:57

Dy herë me radhë brenda kësaj jave presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Kosova duhet të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradi duhet të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që të rifillojnë bisedimet ndërmjet të dyja palëve.

Në një letër urimi për kryeministrin e ri të Kosovës Albin Kurti me rastin e zgjedhjes së tij dhe një urim për presidentin Hashim Thaçi në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, presidenti Macron, tha se është i gatshëm për të organizuar një takim në Paris ndërmjet të dyja palëve, por për këtë duhet të hiqen tarifat ndaj mallrave serbe dhe Beogradi të heqë dorë nga fushata kundër pavarësisë së Kosovës.
Kërkesa e tillë ndaj të dyja palëve, tashmë e përsëritur edhe nga evropianët, është shtruar nga diplomacia amerikane e cila është vënë në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të premten ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi ndërmjetësoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për linjën hekurudhore dhe autostradën që lidhë të dyja vendet.

Nënshkrimi i saj u bë në prani të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa disa orë më vonë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha nga Munihu se nënshkruesit e marrëveshjes nuk ishin të autorizuar nga qeveria e tij.

Por, brenda qeverisë së tij zërat ishin të ndryshëm. Marrëveshja u mbështet nga zyrtarë të koalicionit qeverisës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për diplomatët amerikanë, marrëveshja Munihut është një përparim historik dhe të dyja palët duhet të shfrytëzojnë situatën e krijuar me ri angazhimin e administratës amerikane.

Bisedimet Kosovë – Serbi janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave.

Kurti është zotuar ta bëj një gjë të tillë, por duke kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë. Ai ritheksoi një synim të tillë edhe gjatë debatit në një panel në kuadër të konferencës së Munihut ku ishte i pranishëm edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili tha më pas se “pati shkëmbime të rrepta” me kryeministrin Kurti.

Debati është zhvilluar me dyer të mbyllura, por në rrjetet sociale rrodhi një video ku kryeministri Kurti paraqet tri parime për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë. Sipas tij nuk ka marrëveshje pa dialog, nuk ka dialog me harta dhe së fundmi pa presidentë rreth hartave, duke kritikuar kësisoj idetë që ishin hedhur në vitin 2018 nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti Serbisë Aleksandër Vuçiq për prekjen e kufijve në kuadër të procesit të normalizimit ndërmjet tyre.

Kryeministri Kurti kishte nxitur reagimin e presidentit serb gjatë debatit duke thënë se ndërsa 20 vjet më parë Kosova është çliruar nga pushtimi serb, tash është koha që Serbia të çlirohet nga Kosova.
Presidenti serb tha të shtunën se në Munih kishte mbrojtur autoritetin e Serbisë. “Ashtu sikundër bëra mbrëmë pas disa fjalëve të tmerrshme në një panel ku u tha se e kemi okupuar Kosovën, se kemi kryer krimet më të rënda dhe gjenocid”, tha ai.

Të hënë më 17 shkurt Kosova shënon 12 vjetorin e pavarësisë së saj që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. Por, të dyja palët synojnë integrimin në Bashkimin Evropian dhe kusht për këtë është normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet tyre. 

Login to post comments