Ish-deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj me anë të një statusi në “Facebook” ka reaguar në lidhje me situatën në Fier, ku janë për herë të dytë janë helmuar shumë nxënës.
Mehmetaj theksoi se Ministria e Arsimit bën vetëm shou, duke shtuar se MAS duhet në fakt të sqarojë situatën.
Postimi i ish deputetes së LSI Kejdi Mehmetaj:
Çfarë po ndodh në gjimnazin e Fierit?
Shkolla e mesme “Janaq Kilica” prej dekadash është shkollë model në rang republike sa i takon rezultateve dhe sjelljes së nxënësve. Ajo që të habit është ngjarja e përsëritur e helmimit të nxënësve si pasojë e përdorimit të gazrave lotsjellës. Nga biseda me gjimnazistë, prindër e mësues kupton se përdorimi i lëndëve helmuese është reagim ndaj drejtuesve të lartë të këtij institucioni. Ngjarja e sotme ulëret vetëm një fakt: dështimin e sistemit tonë edukativ. Shkolla nuk është thjesht një institucion që vendos nota, por institucioni që edukon brezat e rinj për të qen qytetarë të mirë të këtij vendi.
Jam ndjerë e keqardhur që Ministrja e Arsimit, në vend se të fliste me komunitetin e prindërve dhe të nxënësve, bën një mbledhje alla “komuniste” me stafin pedagogjik, ku nuk trajtohet asnjë prej shkaqeve që sollën këtë situatë, përkundrazi vrapon të dalë përpara kamerave për të dënuar një adoleshent si të ishte kriminel i rëndomtë.
Përpara se të flasë për xhandarë e prokurorë, Ministrja dhe përfaqësuesit e Drejtorisë Arsimore duhet të shpjegojnë masat që po merren për të përmirësuar qasjen e drejtuesve të shkollës ndaj institucionit dhe nxënësve (nëse po merren) dhe a po punohet me psikologët.
Pse nuk u trajtua rasti seriozisht herën e parë por u lejua përsëritja dhe ku e gjetën nxënësit këtë lëndë helmuese?
Nga ngjashmëria e simptomave lënda e përdorur ngjan shumë me atë që Ministria e Brendshme ka përdorur kundër protestuesve gjatë vitit të kaluar, ndaj edhe kjo ministri duhet të marrë sot të gjithë përgjegjësitë sesi kanë mundur të rinjtë ta aksesojnë lëndën helmuese dhe sesi me sjelljet e tyre janë bërë modeli më i keq i rinisë sonë.